“Kryeministri Sali Berisha vazhdon t’i hedhë benzinë zjarrit duke thënë se protesta e ish të burgosurve ka një motivim politik”. Kështu shkruan në blogun e tij ‘Le Persone e la Dignità’ të të përditshmes Corriere della Sera, reporteri i Amnesty International, Riccardo Noury, që ka sjellë në vëmendjen e lexuesve italianë grevën e urisë së ish të dënuarve politikë që po mbahet në Tiranë prej një muaji, tashmë
Nga Riccardo Noury
Një grup prej 24 ish të dënuarish politikë të regjimit komunist që qeverisi Shqipërinë nga viti 1944 deri më 1990 ka nisur një grevë urie prej mëse tre javësh, në shenjë proteste për vonesat me të cilat qeveria shqiptare po u jep dëmshpërblimet e parashikuara nga një ligj i vitit 2007. Sipas Shoqatës së ish të përsekutuarve politikë, nga viti 2007 është paguar vetëm një e teta e dëmshpërblimit të parashikuar. Ndërkohë që shumë ish të burgosur janë të moshuar, të sëmurë dhe jetojnë në kushte të një varfërie ekstreme.
Më 8 tetor ish të burgosurit Gjergj Ndreca dhe Llazi Koço i kanë vënë flakën vetes dhe kanë mbetur të lënduar rëndë. Më 10 tetor u vetëdogj Lirak Bejko. Të tjerë ish të burgosur kanë zhvilluar manifestime proteste përpara parlamentit.
Më 12 tetor, falë ndërmjetësimit të ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë dhe të Delegacionit të Bashkimit Europian, u zhvillua një takim mes një përfaqësie të grevistëve të ish të burgosurve dhe presidentit shqiptar Bujar Nishani. E megjithatë kryeministri Sali Berisha vazhdon t’i hedhë benzinë zjarrit duke thënë se protesta e ish të burgosurve ka arsye politike.
Amnesty International u ka kërkuar autoriteteve shqiptare që të rinisin takimet dhe të garantojnë pagesën e menjëhershme të dëmshpërblimeve që u takojnë ish të burgosurve politikë.
Gjatë 46 vjetëve të regjimit komunist opozitarët e regjimit u persekutuan për shkak të ideve të tyre politike, u arrestuan, u internuan dhe iu sekuestruan të gjitha pasuritë. Dhjetëra mijëra vetë u burgosën dhe shumë prej tyre u internuan dhe u detyruan të punonin në punë të detyruar në kushte të ashpra, me ushqime e kura mjekësore shumë të pakta.
Sipas Shoqatës së ish të përndjekurëve politikë, 5.577 burra dhe 450 gra u vranë.
Ligji i vitit 2007 parashikon që çdo ish i burgosur politik të shpërblehet me 2.000 lek (rreth 14,30 euro) për çdo ditë burg.
Edhe Ambasadori Ettore Sequi, kreu i përfaqësisë së Bashkimit Europian në Tiranë ka kërkuar të nisë dialogu. Të njëjtën gjë kanë bërë edhe tri organizata jo qeveritare shqiptare, Komiteti Shqiptar i Helsinkit, Qendra Shqiptare për të drejtat e njeriut dhe Qendra shqiptare për rehabilitimin nga traumat dhe torturat.
Përveç një pjese të dëmshpërblimeve të dhëna sipas ligjit të vitit 2007, ish të dënuarit politikë, të liruar njëzet vjet më parë, nuk kanë marrë asnjë kompensim tjetër nga qeveria. Disa të burgosur, që u janë nënshtruar torturave, nuk kanë marrë as rehabilitimin as mbështetje psikologjike nga autoritetet dhe po të mos ishte për shoqatat lokale, ata do të ishin braktisur krejtësisht në fatin e tyre.
Lexo në origjinal:
Albania, gli ex prigionieri politici si danno fuoco per avere giustizia