in

Dënohen dy të moshuar shqiptarë. Arsyeja, çeku social

E merrnin padrejtësisht sepse jetonin në Shqipëri. Gjykatësi vendos që duhet të kthejnë mbi 26 mijë euro për të shmangur burgun

Romë, 26 prill 2016 – Të shumta rastet e kronikës që kemi pasqyruar vitet e fundit të paditjeve të pleqve shqiptarë që jetojnë në Shqipëri por në Itali marrin çekun social. Lajmi i fundit flet për dënimin në Rovereto të një çifti të moshuarish, 78 vjeç burri e 71 e shoqja.

Gjykata i ka dënuar përkatësisht me 10 e 8 muaj burg, dhe u ka pezulluar dënimin me kusht që të kthejnë shumat e përfituara nga INPS padrejtësisht. Burri duhet të kthejë 19.812,50 euro ndërsa gruaja 6.750,42 euro që janë pikërisht shumat që çifti ka përfituar nga viti 2010 deri në 2015-tën kur instituti i sigurimeve shoqërore sinjalizoi në Prokurori faktin që çifti jetonte më shumë në Shqipëri se në Rovereto. Kusht i domosdoshëm për dhënien e çekut, në fakt, është rezidenca e vazhdueshme dhe efektive në Itali, por çifti këtu jetonte vetëm disa javë e pastaj kthehej në Shqipëri ku rrinte muaj të tërë.

Prokuroria, pas hetimeve të bëra pas sinjalizimit të INPS-it, verifikoi që të moshuarit shkelnin vërtet ligjin dhe i çoi ata në gjyq.

Në dënimin e dhënë, nga njëra anë gjykatësi vendosi të dënojë të moshuarit me burg por nga ana tjetër ua pezulloi atë me kusht që të kthejnë mbrapsht shumat e marra padrejtësisht. Me pak fjalë, për të shmangur burgun pleqtë duhet të kthejnë mbrapsht mëse 26 mijë eurot. Do të arrijnë të mbledhin këtë shumë? E vështirë për pleqtë që, sidoqoftë, kushtet ekonomike për marrjen e çekut i përmbushin, pra nuk kanë të ardhura të tjera veç çekut, të paktën në Itali.

Më kot avokati i tyre u mundua t’i nxirrte të pafajshëm duke argumentuar se ata nuk kishin dijeni mbi kushtet e vendosura nga INPS e se ishin në mirëbesim. Për gjykatësin, është shkelur ligji e për të shmangur burgun, pleqtë le të kthejnë mbrapsht ç’kanë marrë padrejtësisht, qoftë edhe në mirëbesim.

 

 

Lexo edhe: Pension social në Itali por jeton në Shqipëri? Ja ç’mund të të ndodhë

 

 

15-vjeçari vret veten sepse një shoqe i heq miqësinë në Facebook

Njëmijë euro kujt ikën, bonusi i Norvegjisë për riatdhesimet vullnetare