in

Dëshmia rozë e Nexhmie Hoxhës, karshillëk ndaj mijëra viktimave të komunizmit

E vetmja dëshmi që mund të jepte e veja e diktatorit gjakatar, Enver Hoxha, do të duhej të ishte për krimet makabre të komunizmit. Çdo dëshmi tjetër si kjo e fundit e të tjera që janë dhënë prej saj në këto 25 vite, është veçse një karshillëk i hapur ndaj mjëra viktimave të komunizmit

Nga Luljeta Progni

Për të disatën herë shqiptarët patën në prime time performancën e vejushës së diktatorit komunist, Nexhmia Hoxha, e cila këtë herë u shit si “dëshmia e fundit”.

Pra, normalisht do të kishim të bënim me rastin final ku njeriu që ka inspiruar dhe frymëzuar Enver Hoxhën, të rrëfehej si para një prifti për të gjitha mëkatet përpara se kryeengjëlli Gabriel të vijë e ta marrë.

Por jo, Nexhmie Hoxha dha një dëshmi rozë, se si i pëlqente kallamët e sheqerit apo borën me shurup apo hera e parë dhe propozimi i diktatorit.

E vetmja dëshmi që mund të jepte e veja e diktatorit gjakatar, Enver Hoxha, do të duhej të ishte për krimet makabre të komunizmit. Çdo dëshmi tjetër si kjo e fundit e të tjera që janë dhënë prej saj në këto 25 vite, është veçse një karshillëk i hapur ndaj mijëra viktimave të komunizmit.

Është në fakt karshillëk për të gjithë shqiptarët që sot e veja e diktatorit të na rrëfejë se si është njohur me njeriun që varrosi mijëra qytetarë të kombit të tij mes torturash të tmerrshme dhe çnjerëzore. Që burgosi në të vërtetë jo vetëm ata, por gjithë Shqipërinë dhe për këtë shkak vuajmë sot pasojat e do të vazhdojmë t’i vuajmë edhe për shumë vite.

Është cinizëm përballë atyre shqiptarëve që u lindën në kampet e përqëndrimit dhe u thinjën atje, për ato gra që humbën burrat e tyre dhe mes mjerimit e torturave çnjerëzore, internimeve, kaluan jetën si në ferr. Por ajo që është më e tmerrshmja, kjo intervistë i bën karshillëk nënave që kanë humbur fëmijët e tyre në kampin famëkeq të Tepelenës. Ka shumë prej tyre.

Ky është i vemti mesazh që jep kjo intervistë banale me të vejën e diktatorit Enver Hoxha.

Përndryshe, kjo dëshmi e Nexhmije Hoxhës është tentativë e pastër për të montuar historinë e shqiptarëve. Në këto 25 vite kemi parë edhe dy intervista të tjera nga e njëjta autore, ka shumë gazetarë që e kanë intervistuar me ëndje gruan që i qëndroi pranë dhe pas, duke i fryrë në vesh njeriut që vrau pa mëshirë mijëra shqiptarë.

Kjo është shoqëria që ndërtuam këto 25 vjet. Në vend që të ndodhte dekomunistizimi, ka ndodhur realisht pastrimi i krimeve të komunizmit.

Nëpër faqet e mediave kemi parë pafund histori të Enver Hoxhës e zyrtarëve të tjerë të regjimit komunist ndërkohë që ish-të përndjekurit politik janë edhe sot viktima të tyre.

Dekomunistizimi nuk ka ndodhur me kast, jo se kjo klasë politike nuk dinte ta bënte, por se ajo është në shumicën e saj; pjellë e atij sistemi gjakatar, ose thënë ndryshe zgjatimi i tij.

Ndaj sot na bën sfidë intervista e vejushës, e cila shkakton “tërmet” në këtë media që s’di të bëjë asgjë tjetër veç të merret me ballkonet e femrave VIP dhe historitë rozë të kriminelëve të komunizimit.

Dhe “Vejusha e zezë” siç e kanë quajtur metaforikisht disa gazetarë perëndimorë Nexhmie Hoxhën, nuk rrëfeu historinë, por i bëri një shërbim trashëgimisë së saj; që të rinjtë e lindur pas 1990-s të shikojnë pjesën e shtirur njerëzore tek kjo grua e tmerrshme që njerëzore, nuk ka pasur asnjë hap të jetës së saj, në krye të Shqipërisë për 50 vjet.

Botuar në 27.al me titullin “Të kërkosh njeriun tek anti-njeriu”

 

Ministria e Brendshme: Tërhiqni pasaportat biometrike të kërkuara në 2014-tën

Ermal Meta sërish në skenën e Festivalit të Sanremos 2016