Qeveria ka parë më shumë ekuilibrat e vet se sa objektivin që duhej të arrinte. Dhe tani nuk mbetet gjë tjetër veç pritja e një sanatorie tjetër, ndoshta më e mirë, ose një tjetër dekret të rremë fluksesh.
Romë, 16 tetor 2012 – Je duke u mbytur, kërkon ndihmë e nga një barkë të bërtasin: “Ji i qetë, të shpëtojmë”. E pastaj hedhin në ujë një brez shpëtimi të vockël, njëqind metra larg teje. Duke u përpëlitur ndoshta e arrin. Ndoshta jo.
Je në Itali pa leje qëndrimi, punon në të zezë. Qeveria shpall: “Mund të pajisesh me dokumente”. Por shpik një sanatoria që duket si një vrapim me pengesa, shumë e kushtueshme, e turbullt, e varur nga zemërgjerësia e punëdhënësit tënd dhe me fatin tënd të mirë apo të keq. Ndoshta ia del. Po ka më shumë mundësi që jo.
Sanatoria u mbyll me 135.000 kërkesa, pothuajse të gjitha për ndihmëse familjare, asistente të moshuarish dhe kujdestare për fëmijë dhe ju nuk mund të ngushëllohesh me to, sidomos para se të merret vesh se sa nga këto kërkesa do të transformohen vërtet në lejeqëndrime.
Nuk mund të injorohen dy, tre, katërqind mijë punonjësit në të zezë të cilët janë përjashtuar pa pasur asnjë faj. As nuk mund të besohet përralla e treguar dje nga Ministrja e Punëve të Brendshme (kërkesat ishin pak sepse të pakët janë emigrantët e parregullt). Ajo nuk mban as verifikimin më të vogël e më të thjeshtë: mes emigrantëve të punësuar në të zezë që u janë drejtuar patronateve dhe shoqatave, vetëm një pjesë e vogël ka arritur të sigurojë kërkesën e punëdhënësit. Është qesharake, përveç se e rëndë, që ministrja Cancellieri këtë nuk e di.
E vërteta është e qartë dhe banale. Shumë punëdhënës nuk deshën të paguajnë një mijë eurot dhe, mbi të gjitha, gjashtë muajt e kontributeve të prapambetura. Shumë emigrantë të paligjshëm nuk kanë arritur të gjejnë një provë të lëshuar nga “një organ publik” për të dëshmuar praninë e tyre në Itali që në vitin 2011, megjithë lehtësimin e vonë dhe të jo të plotë të këtij aspekti. Dështimi i sanatores qe rezultat i mënyrës se si e patën shkruar.
Duhet të bëjmë një hap prapa. Kishte një votë unanime të Parlamentit i cili i kërkonte qeverisë që t’i ofronte një mundësi familjeve, bizneseve dhe punonjësve përpara se të hynin në fuqi ndëshkimet më të ashpra për punëdhënësit e emigrantëve të paligjshëm. Por sapo kjo tërhoqi vëmendjen, Populli i Lirisë, i cili kishte hedhur më parë gurin, fshehu dorën, madje tha: “Kurrë sanatorie”.
Në këtë klimë, mes deklaratave të bujshme dhe dhe hipokrizisë, qeverisë iu desh t’i japë formë atij që me këmbëngulje quajti “ravvedimento operoso” (korrigjim gabimi me pagesë). Dhe me guxim të mangët, duke negociuar turbull, ajo pa më shumë ekuilibrat e shumicës që e mbështet (dhe të zemrave që rrahin në ministritë e ndryshme të përfshira) se sa objektivin: pakësimin e emigrantëve pa lejeqëndrimi. Duke hartuar një legalizim që, në fund të fundit, nuk legalizoi.
E konsideruan sanatoren e ministrit Andrea Riccardi, i cili qe mbrojtësi i saj i vetëm, diçka që kishte të bënte me mirësinë e krishterë. Si të mos ishte një temë që ka të bëjë me rendin publik, pra me Ministrinë e Brendshme, me uljen e imigracionit të paligjshëm, që rrit kriminalitetin. Si të mos ishte e nevojshme një politikë e Ministrisë së Punës nxjerrja në dritë e sa më shumë marrëdhënieve të parregullta të punës.
Tani të mos na tregojnë që “një mundësi ua dhamë, tani e tutje do të jemi të rreptë”. Sepse dëbime masive nuk mund të bëjnë dhe as nuk ka mjete dhe vullnet politik për të hyrë në të gjitha shtëpitë dhe të gjitha ndërmarrjet për të paditur dhe ndëshkuar punëdhënësit. Si do të përfundojë?
Thjesht, pas këtij akti të vogël dhe të pafryt sa për sy e faqe, do të nisë pritja për sanatorian e ardhshme, ndoshta të hartuar më mirë nga qeveria e ardhshme. Ose do pritet një dekret i ri fluksesh, mjet i rremë si gjithmonë, por që për shumë persona është më i preferuar se pantomima që u mbyll më 15 tetor.
Mbërriti vërtet vjeshta për qindra mijëra punonjës pa dokumente, të cilët gjatë verës kishin krijuar iluzionin se mund të bëheshin burra e gra si gjithë të tjerët në këtë vend. Do presin akoma, dhe ndërkohë janë të padukshëm. Sidomos për ata që nuk duan t’i shohin.
Elvio Pasca