in

Dhjetë arsye për të vizituar Shqipërinë, “perlën e Mesdheut”

Mag, autorja e TravelMe.World, blogut të udhëtimeve të sapohapur, zbulon Shqipërinë, “sekretin e fundit të Evropës” dhe u këshillon ndjekësve të saj ta vizitojnë

Mag është me origjinë polake që jeton në ShBA. Pas një karriere të shpejtë e brilante, vendos të lërë punën për të bërë diçka që i pëlqen: të shëtisë botën, sepse siç shkruan në prezantimin e blogut të saj të udhëtimeve, TravelMe.World, “Një jetë kemi, e nuk jepet një shans i dytë”.

Ksamili – Foto TravelMe.world

Blogun e inauguron pikërisht me një shkrim mbi Shqipërinë që ka vizituar muajin e shkuar e që konsideron një vend ‘të mahnitshëm’, ‘perlë të Mesdheut’, ‘sekretin e fundit të Evropës’.

Sipas saj, ka shumë motive për ta vizituar, por 10 të parat, janë të mëposhtmet:

1. Shqipëria është destinacion turistik ende i pazbuluar, ofron “paqe e gëzim, mënyrën e vet të jetesës, natyrë të paprekur dhe kënaqësinë e të pasurit të gjitha për vete thesaret e saj të mahnitshme.

Saranda – Foto TravelMe.world

2. Shqipëria ka klimë mesdhetare të mrekullueshme gjatë gjithë vitit, me verë të ngrohtë dhe dimër të butë, veçanërisht përgjatë bregdetit.

3. “Plazhet e virgjëra” janë, sipas blogeres, një tjetër arsye për të vizituar Shqipërinë. “Ka qindra km bregdet të paprekur dhe ofron plazhe me rërë dhe guralecë; shumë mundësi zgjedhjeje për të pasionuarit e plazhit”. Ajo lavdëron në veçanti plazhet e jugut, “pranë Sarandës e Ksamilit”, të cilave nuk mund t’u rezistosh dot. 

Ksamil – Foto TravelMe.world

4. “Vargje malore magjepsëse”. “A ka vend më të bukur se ai që ofron qoftë detin qoftë malin? E pra Shqipëria i ka të dyja, dhe me shumicë” shkruan blogerja që nënvizon edhe praninë në male të “liqeneve alpine e akullnajore” dhe një “larmi e bukuri të rrallë natyrore”.

Syri i Kaltër – Foto TravelMe.world

5. Mrekullia arkeologjike është një tjetër arsye për të vizituar Shqipërinë. “Nëse natyra e moti nuk mjaftojnë, – shkruan blogerja – ka edhe të tjera për adhuruesit e historisë dhe të arkeologjisë”. “Falë afërsisë me Greqinë, nuk është e çuditshme që gjen me bollëk vende arkeologjike, kështjella, vende të përfshira nga UNESCO në listën e trashëgimisë së njerëzimit dhe histori të lashtë anembanë Shqipërisë”.

Butrint – Foto TravelMe.world

E në vazhdim, blogerja sheh si arsye për të vizituar Shqipërinë edhe:

6. Ushqimin e shijshëm;

7. Çmime të arsyeshme;

8. Vendasit dashamirës;

9. Siguri dhe tolerancë;

Blogerja e mbyll me pikën 10 që më shumë se një arsye është një apel për të investuar në Shqipëri, ku, sipas saj, një apartament të mirë me pamje nga deti e gjen edhe me 50 mijë dollarë.

EUROPE’S LAST SECRET – THE TOP 10 REASONS TO VISIT ALBANIA NOW!

Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

Shpërthen fabrika e fishekzjarrëve. Edhe shqiptari Sajmir Merja mes viktimave

Liqeni i Shkodrës i parë nga hapësira – Fotografia e astronautes