in

Dhuna në familje. Lejeqëndrimi për viktimat tani është ligj

Miratohet përfundimisht në Senat, kthimi në ligj i dekretit. Normat e reja do të ndihmojnë imigrantet t’u shpëtojnë partnerëve të dhunshëm e t’i denoncojnë ata

Romë, 11 tetor 2013 – Dispozitat urgjente kundër “dhunës gjinore” janë tashmë ligj. Më 9 tetor kaloi në Dhomën e deputetëve e sot, pas një diskutimi të shpejtë, Senati ka konvertuar përfundimisht në ligj dekretin e qeverisë që, mes të tjerash, sjell në fuqi edhe një mbrojtje më shumë për gratë e huaja viktima të dhunës familjare.

Ligji ashpërson dënimet për keqtrajtimet në familje, dhunën seksuale dhe aktet persekutuese (stalking) dhe parashikon masa si largimi i menjëhershëm nga shtëpia i fajtorëve të dyshuar, apo asistencë legale falas për viktimat e përparësi të proceseve gjyqësore për këtë lloj vepre penale. Livrohen edhe 10 milionë euro për financimin e një plani aksioni kundër dhunës dhe për rrjetin e shtëpive të pritjes së viktimave.

Neni 4 i ligjit parashikon “lejen e qëndrimit për viktimat e dhunës familjare”, të lëshuar nga Kuestura, me propozim apo me gjykim të favorshëm të Prokurorisë së Republikës. Do të ndodhë kur gjatë hetimeve për keqtrajtime në familje, lëndime personale, sakatim të organeve gjenitale, sekuestrim personash, dhunë seksuale apo akte persekutuese të bëra në Itali “në kuadrin e dhunës familjare” do të verifikohen “situata dhune apo abuzimi ndaj një të personi me shtetësi të huaj” dhe paprekshmëria e tij është në rrezik sepse do t’i shpëtojë dhunës apo sepse bashkëpunon me hetuesit (për shembull duke paditur fajtorin).

E njëjta leje qëndrimi do të mund të lëshohet edhe kur situatat e abuzimit apo të dhunës nxirren në pah nga organizmat e shërbimeve sociale të specializuar në asistencë për viktimat e dhunës. Në këtë rast do të jenë organizmat e shërbimeve sociale që do t’i nisin Kuestorit një relacion me të gjitha elementet që t’i lejojnë vlerësimin e “rëndësisë dhe të aktualitetit” të rrezikut për paprekshmërinë individuale, por sidoqoftë do të kërkohet pëlqimi i autoritetit gjyqësor.

Po çfarë nënkuptohet me dhunën në familje? Dekreti e shpjegon në mënyrë të detajuar: “Të gjitha aktet, jo të rastësishme, të dhunës fizike, seksuale, psikologjike apo ekonomike që verifikohen në gjirin e familjes apo mes bashkëshortëve aktualë apo të mëparshëm, apo mes personave të lidhur aktualisht apo në të shkuarën nga dashuria, pavarësisht nga fakti se autori i akteve ka apo ka pasur të njëjtën rezidencë me viktimën”.

Së fundi, për autorët e dhunës nëse janë të huaj, do të parashikohet edhe një sanksion tjetër. Pasi të dënohen, edhe me sentencë jo përfundimtare, atyre mund t’u hiqet e drejta e lejes së qëndrimit e të dëbohen.

EP

Shqipëri-Zvicër. Golat dhe tradhtia

Nuovo naufragio nel canale di Sicilia. Due cento persone in salvo, decine le vittime