in

Dialogu i të shurdhërve

Aktualisht mbizotëron në Shqipëri një klimë konflikti mes qeverisë e parlamentit nga njëra anë dhe presidencës e prokurorisë nga tjetra. Është fakt se dialogu i të shurdhërve (vetëm i tillë mund të quhet pasi nuk prodhon asnjë konsensus) Berisha-Rama po mban peng shkuarjen tonë drejt Evropës. Në llogore rrethuar nga një gardh i gjatë mosbesimi ndaj tjetrës, palët kryesore politike shqiptare bëjnë vetëm sikur dialogojnë

Shqipëria ka zgjedhur presidentin e saj të ri të republikës, zotin Bujar Nishani. Në sistemin tonë, në qendër të të cilit qëndron parlamenti, roli i tij është i ridimensionuar në krahasim me vende të tjera, por vetë fakti që mishëron unitetin kombëtar e nënshkruan ligje e emërime të rëndësishme institucionale nuk e bën një figurë të papërfillshme. Aktualisht mbizotëron në Shqipëri një klimë konflikti mes qeverisë e parlamentit nga njëra anë dhe presidencës e prokurorisë nga tjetra. Shpresojmë që presidenti i ri të tregojë një pjekuri ndërmjetësuese në ekuilibrin delikat mes institucioneve tona. Meriton t’i urojme suksese.

Gara presidenciale tregoi për të pafundmen herë rresht mungesën e dialogut pozitiv mes palëve. Kanë kaluar 4 vjet nga pranvera 2008, kur PD e PS dakordësuan ndryshimet kushtetuese e reformën zgjedhore. PS ka shprehur pendesën për kushtetutën, ndërsa ndërkombëtarët rekomandojnë në kor ndryshime të reja të reformës zgjedhore para zgjedhjeve legjislative të 2013-s. Konfliktet e lindura prej 2009-s treguan se dialogu i atëhershëm i ka shërbyer vetëm takticizmash të çastit e nuk ka pasur si qëllim nisjen e një strategjie të qartë reformash. Lista e detyrimeve për të marrë statusin e vendit kandidat në BE (12 përparësitë e progres-raportit evropian të 2010-s) është e gjitha për t’u përmbushur.

Nuk është rast për të drejtuar gishtin e treguar një faktor por është fakt se dialogu i të shurdhërve (vetëm i tillë mund të quhet pasi nuk prodhon asnjë konsensus) Berisha-Rama po mban peng shkuarjen tonë drejt Evropës. Në llogore rrethuar nga një gardh i gjatë mosbesimi ndaj tjetrit, palët kryesore politike shqiptare bëjnë vetëm sikur dialogojnë. Arsyeja kryesore pse shqiptarët, ende ndër më të varfrit e Evropës, janë kthyer gjerësisht në skeptikë ndaj politikës është konstatimi i drejtë se ajo përbën një njësi autoreferenciale që shfrytëzon shoqërinë vetëm për t’i marrë votat. I ashtuquajturi dialog kthehet në një shfaqje para kamerave. Retorikisht përfaqësuesit tanë politikë bëjnë proevropianin, faktikisht janë në shumicë thellësisht konservatorë e figura larg modelit perëndimor të dialogut rezultativ. Pasojat i vuan shoqëria, ngërthyer në një deficit shumë të rrezikshëm përfaqësimi.

Po afron 100 vjetori i pavarësisë sonë kombëtare. Duhet të jemi krenarë që atëherë shpëtuam dinjitetin tonë me shkëputjen nga një perandori në shtratin e vdekjes e arritjen e moszhdukjes së Shqipërisë nga hartat. Sot ky shtet mund te krenohet me pak gjëra pasi pasqyron jofunksionalitetin më të skajshëm. Politika e dialogut të shurdhëve ka abdikuar qysh në fillim prej atij që është arsyeja parësore pse njësitë politike ekzistojnë: përfaqësimi i qytetarëve, që janë pjesëtarët socialë që votojnë e mbajnë shtetin në këmbë përmes taksave që paguajnë.

Vendi ynë ka një potencial demografik për t’u pasur zili: shumica e shqiptarëve janë të rinj. Fatkeqësisht përfaqësimi cilësor i tyre është më i pamjaftueshmi i mundshëm në kuptimin cilësor. Ky është deficiti i vërtetë demografik i Shqipërisë e asnjë lloj demagogjie politike s’e zbut dot hendekun e mospërfaqësimit të drejtë. Është gjëja më e dëshirueshme që mund të ndodhe që pjesa e shëndoshë politikisht ende e paangazhuar e shoqërisë sonë të marrë flamurin e shtetbërësit dhe të kanalizojë përfaqësimin e saj për ta bërë të përfillshëm e ndikues ose duke u imponuar brenda partive të mefshta ose duke krijuar grupime energjike vepruese të shoqërisë civile. Në dialogun me shtetin duhet të imponohet, që ky të mos jetë shurdh.

Një formë e vërtetë dialogu bashkëpunues duhet patjetër të lindë mes palëve tona sociale. Përveç pak republikash ish-sovjetike ku janë të pranishme edhe mosmarrëveshje etnike, nuk ekziston vend tjetër ish-komunist veç Shqipërisë ku një tranzicion drejt demokracisë të jetë me kufij kohore kaq të zgjatur e të bëjë vetëm hapa të ngathët përpara. Alternativa ndaj bashkëpunimit është zgjatimi në pafundësi i anarkisë së vlerave ku gjendet sot vendi. Një arsye më tepër për t’i bërë politikanët tanë, ata që marrin vendimet për ne të gjithë, me veshë që dëgjojnë.  

Gjergji Kajana, student në La Sapienza, Romë

Bie Autobusi në qafë Krrabë. Plagosen nëntë persona

ShBA. Sanatore për 800 mijë klandestinë