Prokurorët e Tiranës kërkojnë bashkëpunimin e kolegëve të Milanos që shqyrtojnë çështjet e Legës
Romë, 8 maj 2012 – Tashmë është zyrtare. Të hënën, prokuroria e përgjithshme e Tiranës i ka nisur një letër magjistratëve të Milanos që hetojnë mbi Legën, lidhur me diplomën që Renzo Bossi duhet të ketë marrë në Shqipëri pranë universitetit Kristal. Prokuroria e Tiranës i kërkon palës italiane aktet e hetimit që i përkasin diplomës së Renzo Bossi-t dhe Pier Moscagiurossi edhe që të marrë në pyetje Bossin Jr.
Nëse Milanos i intereson të mësojë nëse diploma e Bossit dhe e Moscagiuros është blerë me paratë publike të Legës, Tiranës i intereson të hedhë dritë mbi shit-blerjen e diplomave në universitetet shqiptare, ndaj po marrin në shqyrtim dy vepra penale “Falsifikim të dokumentit zyrtar”, e mbi të gjitha “për korrupsion” ndaj të panjohurve.
Prokurorët shqiptarë duan të sqarojnë nga kolegët e tij italianë “mospërputhjen kohore mes kohës së marrjes së gjimnazit, regjistrimit dhe diplomimit në universitet”. Ata duan të zbardhin faktin nëse djali i Umberto Bossit i ka ndjekur me të vërtetë kurset, për të cilat ka marrë edhe notat. Prokuroria pritet të dëgjojë edhe personelin e universitetit, të cilët e kanë regjistruar Renzo Bossin.
Prokurorët shqiptarë, që merren me këtë hetim, bëjnë të ditur për shtypin shqiptar se “Renzo Bossit mund t’i bëhet edhe një testim, për të ditur se sa e njeh ai gjuhën shqipe”. Një pikë tjetër që duhet të sqarohet është edhe fakti që diploma e djalit të Umberto Bossit është vlerësuar nga ambasada italiane në Shqipëri. “Materialet që kemi ne ua kemi dërguar Prokurorisë së Milanos dhe Napolit”, – thonë në ambasadën italiane të Shqipërisë. Por, mbetet ende sekret fakti se si u ka mbërritur në dorë zyrtarëve të ambasadës diploma e Renzo Bossit.
Mbi këtë temë:
Bossi junior me diplomë shqiptare