Hidhet poshtë urdhëresa e Komunës së Chiarit ku kryetari legist ndalonte martesën e të huajve klandestinë duke shkelur edhe sentencën e Gjykatës Kushtetuese. Thoshte: “Duam t’u tregojmë rrugën të tjerëve”
Romë, 12 prill 2012 – Një prej pikëve më të debatuara të ligjit mbi sigurinë i kërkuar me forcë nga qeveria e Berlusconit detyronte të huajt që martoheshin në Itali të tregonin lejen e qëndrimit, duke ndaluar klandestinët të lidhnin martesë.
Norma e kërkuar nga ministri i asokohe Maroni për të shmangur martesat për leverdi, u hapi një sërë telashesh edhe shumë e shumë çiftesh njerëzish të ndershëm e të dashuruar, deri kur në korrik të vitit të shkuar, gjykata kushtetuese e shfuqizoi si antikushtetuese. Nuk mund të shkelet e drejta themelore si ajo e formimit të familjes në emër të luftës kundër imigracionit klandestin.
Nga ai moment çiftet mundën të programonin martesën e tyre, edhe nëse njëri prej tyre nuk e kishte lejen e qëndrimit, thuajse në gjithë Italinë. Por në Chiari, qytezë e vogël e Brescias me rreth 20 mijë banorë, kryetari i komunës (dhe senatori) Sandro Mazzatorta në shtator 2011 nënshkroi një urdhëresë me të cilën detyronte imigrantët që donin të martoheshin, të tregonin lejen e qëndrimit para shpalljes së martesës. Me një fjalë, legisti donte të fuste nga dritarja një normë që Gjykata Kushtetuese kishte nxjerrë me shkelma nga dera. “Lega e Veriut reziston e çon përpara mosbindjen civile në respekt të ligjit dhe për sigurinë e qytetarëve. Qëllimi ynë është t’u tregojmë rrugën të gjithë atyre administruesve që duan të ndjekin rrugën e rreptësisë dhe të drejtësisë” thoshte me krenari Mazzatorta.
Por fatkeqësisht për të, rrugën e drejtë e kanë treguar sërish gjykatësit, duke hedhur poshtë, siç ishte e parashikueshme, nismën e tij.
Me sentencën e depozituar dje, gjykata e Brescias ka pranuar ankimimin kolektiv të paraqitur nga Asgi (Associazione per gli Studi Giuridici sull’Immigrazione) dhe Fondacioni Guido Piccini për të drejtat e Njeriut ONLUS, duke urdhëruar shfuqizimin ose modifikimin e urdhëresës sepse e konsiderojnë diskriminuese, pra të paligjshme. “Në bazë të sentencës së Gjykatës Kushtetuese, gjykatësi nuk mund të bëjë tjerët gjë veçse të deklarojë karakterin e hapur diskriminues të masës, që nuk mund të sjellë në fuqi në mënyrë të gënjeshtërt një normë të deklaruar më parë antikushtetuese” shpjegon një komunikatë e Asgi-t.
Komuna e Chiarit madje është dënuar të paguajë 4 mijë euro për shpenzime legale përveçse të blejë një hapësirë në të përditshmen Repubblica për botimin e sentencës. Me pak fjalë, humbja e trimit Mazzatorta po u kushton shtrenjtë bashkëqytetarëve të tij.
Sentenca e Gjykatës së Brescias
Elvio Pasca