in

Dita e lirisë

nga Leon MIRAKAJ

U bëmë 100-vjeçarë! Si asnjëherë iu gëzuam e iu lumturuam kësaj datëlindjeje, 28 Nëntorit.  Me mijëra vërshuam qyteteve e shesheve të atdheut e jo flamuj, përqafime, brohoritje, i tërë një komb-etnie e iu gëzuam kësaj dite. Na bashkon e na bën të ndihemi të barabartë, kudo ku ndodhemi, ndoshta edhe më të mirë, si asnjë ditë e datë tjetër e këtij shekulli shqiptar. Por, pa u fashitur ende ky gëzim i madh, bile edhe brenda tij, rifilluam sherrin e vjetër 100-vjeçar  e në mos më të vjetër.

Protokolli nuk kënaqi disa (populli i tërë qe në festë e… më falni për shprehjen, nuk i plasi hiç për Protokollin). Opozitë e pozitë, si gjithmonë, edhe në këtë ditë të shënuar, qenë të ndarë.

U tallëm me paradën ushtarake (me thënë të drejtën, shumë modeste). U tallëm me desh e qengja (I kemi therur gjithë jetën, nga na mbiu gjithë kjo alergji ne adhuruesve të qengjave, simbol i paqes…?), u tallëm me tortën, duke e quajtur babëzi e jo entuziazëm të një populli relativisht të ri…100-vjeçar.

Aspak nuk na shqetëson vjedhja ditën për diell e pasurive kombëtare nga politikanë e matrapazë të ndryshëm…jo! Na bezdisin pamjet e njerëzve që, nën euforinë e një gëzimi, nën entuziazmin e një feste, në oreksin e papërmbajtshëm që gjeneron  pamja e një torte të gatuar e të zbukuruar bukur e mbi të gjitha, falas, u turr të konsumonte. Më vjen ndër mend krahasimi i tortës së copëtuar e gurëve të murit të Berlinit… e pse jo!?
Por ajo që më shqetëson më shumë e që më cenoi lumturinë e festës është, pa dyshim, përplasja e datave: 28 e 29 Nëntor.

Të gjithë e dimë sa mund, përpjekje e luftë, po luftë (!!!) iu deshën stërgjyshërve tanë që të mbërrinin në atë 28 Nëntor të një shekulli më parë. Jetë të dhëna nën flamur e, mbi të gjitha, për një ideal të vetëm: Shqipëria e lirë dhe e mosvarme.

Nuk jam historian e me thënë të drejtën, duke parë kush e ka bërë historinë tonë në 50 vjetët e fundit e vazhdon ta bëjë ende, as do të doja të isha, por  më është më se e qartë se, si për shpalljen e pavarësisë, si në luftën e Vlorës më 1920-n, në atë të 7 prillit 1939 e më vonë gjatë rezistencës ndaj pushtuesve, njerëz kanë dhënë jetën në lulen e moshës e për një ideal: atë të Shqipërisë së lirë. Është detyrim që këto jetë të humbura – lartësuara të djemve e vajzave shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore të kenë vendin e tyre në altarin e kombit, si dhe një datë që t’i kujtojë me mirënjohje. Problemi ngelet data…

Të gjithë e dimë tashmë që 29 Nëntori është dita e çlirimit të Jugosllavisë, ndërsa qe 4 dhjetori, sipas fakteve të zbuluara rishtas, që pa gjermanin e fundit të largohej nga Shqipëria. Një histori e shtrembëruar na mësoi se qenë partizanët që e çliruan Shqipërinë. Në fakt, Shqipërinë e kanë mbrojtur në shekuj shqiptarët e shqiptaret. Ashtu si dhe në Luftën e Dytë Botërore, nuk qe një parti (parti-zane), po mijëra djem e vajza të inkuadruar në shumë parti, nga të gjitha krahinat e Shqipërisë, nga të gjitha fetë që kombi ynë falet, po nën të njëjtin ideal, atë të mbrojtjes së lirisë e të MËVETËSISË SONË!

Pra, ç’ditë më e bukur do të ishte se 28 Nëntori, mëma e të gjitha datave që shënojnë rezistencën e shqiptarëve për liri? Të vazhdojmë të zihemi kur iku gjermani i fundit si mënyrë për t’u urryer e për të mos gëzuar 100-vjetorin e lirisë!? Të vazhdojmë me zënkat tona duke mos lënë të qetë ata që vunë gjakun në themelet e kombit?

Ka kaq shumë vlerë kapja mbas një date që vjen fill mbas nënës së datave të shenjta të shqiptarëve? Ndshta është zgjedhur e tillë thjesht për të thënë se Shqipëria e shqiptarët e mbyllin historinë e tyre të kohëve e plejadave burrash që ndritën faqet e saj, ndoshta kanë dashur të thonë që me këtë datë fillon një erë e re, nga zeroja.

Historia që u shkrua me vonë, kësaj here nga parti-zanët, dëshmon që kështu qe, filloi një erë e re! Dëshmoi që 30 nëntori, fillimi i ferrit për atdheun tonë, nuk duhet harruar kjo datë, qe dita e fillimit të fshirjes nën gjak e dhunë, terror kafshëror, injorancë primordiale, gjithçka e asaj historie që shqiptarët kishin bërë e shkruar deri më 29 Nëntor.

U shkatërrua ekonomia e vendit, në ’90-n ishim  vendi më i varfër në Europë e një nga më të varfrit në botë. U minua shpresa e një bashkimi kombëtar (Kosova u shit, Çamëria u injorua), u masakrua inteligjenca e kombit në emër të një dite të re, pa kujtesë. U përçudnua flamuri (drapër e çekan si fillim e më pas ylli komunist), shteti u çmontua në çdo qelizë të tij.

Qeveri me ministra hije, Parlament i zgjedhur mes kandidatësh së të njëjtës parti, gjykata që pushkatonin pa gjyq, gjykim pa avokat (absurditet), ushtri me komisarë më të pushtetshëm se komandantët, internacionale në vend të himnit, zvetënim i njeriut qytetar, ai që duhet të jetë shtylla e objektivi i një shteti. Por, mbi të gjitha, u humb LIRIA.

I përkas një grupi shoqëror që kaloi tmerrin komunist në të gjithë 50 vitet e kësaj batërdie që pllakosi Shqipërinë. I mësuar nga njëra anë (ajo institucionale) që partizanët qenë të vetmit që  bënë luftën e të tjerët, pa përjashtim, qenë të këqijtë. Nga ana tjetër, familja e rrethi shoqëror që më mësonte të kundërtën. Ngelej pak hapësirë për të reflektuar e për të qenë i lirë për një gjykim timin. Me kalimin e kohës, i shtyrë nga pasioni për historinë në përgjithësi e nga dëshira e njohjes të së vërtetës së historisë së vendit tim në veçanti, falë leximit, filloi të më përvijohet një tjetër e vërtetë e mundshme. Faktet e zbuluara, gjithmonë e më shumë, tregonin një tjetër tablo të asaj periudhe ngadhënjimi e tmerri. Fillova t’i shikoj personazhet si vullnetmirë e idealistë (e kam urryer gjithmonë kategorizimin e “tradhtarëve”). Nga njëra anë, njerëz që për një zgjedhje të gabuar ose që, në një akt sublim, të ndërgjegjshëm që rrezikonin të ndëshkoheshin historikisht, zgjodhën të shpëtonin atë çka mund të shpëtohej e morën pjesë kështu në qeverisjen e vendit së bashku me pushtuesit. Në anën tjetër, të tjerët, personazhe që me të njëjtën përgjegjshmëri i vunë supet luftës në fund të së cilës u instalua sistemi më gjakatar ndonjëherë në Shqipëri. Dua të besoj, duhet të besojmë, që nuk urreheshin.

Ka shumë raste që jeta e këtyre luftëtarëve të lirisë është shpëtuar nga të quajturit “kolaboracionistë”, ashtu siç ka raste bashkëpunimi midis tyre në ide e aksione (historia ka shumë për të zbuluar në këtë aspekt) kundër pushtuesve. Nëse të parët i quajmë “armiq e kolaboracionistë”, të tjerët, kësaj here u referohem parti-zanëve, duke parë atë që ndodhi fill mbas mbarimit të luftës (por që fillesat i pati që gjatë luftës), si do të mund t’i quanim?

Ndoshta koha do t’u jepte të drejtë të parëve, atyre burrave të cilët shumë herë gjatë jetës së tyre deklaruan se qëllimi i pjesëmarrjes së tyre në anën e pushtuesit qe bashkimi i trojeve shqiptare në një shtet të vetëm e ndalimi i marrjes së pushtetit nga komunistët.

Por, vdekja bashkon, rënia për atdhe e ideal fisnikëron e bën hero, dhe në rastin e historisë sonë, shpëtoi këdo nga qenia pjesë e asaj që ndodhi fill mbas ardhjes së komunizmit në pushtet. Këtyre mijëra të rënëve në luftë, të bashkuar në fatin e tyre tragjik e heroik, u është përdhosur gjaku i derdhur për liri, në historinë e shkruar nga diktatura, e për fat të keq, të sanksionuar edhe në Kushtetutë, që përcakton datën 29 si ditën e çlirimit, datë e zgjedhur jo në baza historike, por qëllimisht për t’i dhënë konotacionin komunist të gjithë luftës e për të përjashtuar e ndëshkuar këdo tjetër.

Do të ishte dashur që të gjendej një rrugë e mesme kur i referohemi periudhës së Luftës së Dytë Botërore, deri tani e mbushur me etiketat e “kriminelit” e “viktimës” dhe zëvendësimi i tyre me njerëz në udhëkryq historie e të ngërthyer në tragjizmin e një kohe ku kufiri mes së vërtetës e iluzionit qe një linjë shumë e hollë. Do të duhej të besohej se shqiptarët luftuan gjatë gjithë këtij shekulli duke iu referuar gjithmonë një dite të madhe.

A nuk u vranë për të në Prizren, në Hot e Grudë, në Krujë e Tiranë, Vlorë e Durrës e prapë së fundi në luftën e UÇK–së (e krijuar më 28 të nëntorit)? A nuk u vranë për të, për të shtrenjtën liri të fituar më 28 Nëntor 1912 heronjtë tanë? A nuk u vranë për të djem e vajza shqiptare në luftën për çlirim nga ushtritë e huaja gjatë konfliktit të dytë botëror? Pse pra të zihemi e të ndahemi në data e orë ikjeje a daljeje.

Mbetet vetëm një fakt i pakundërshtueshëm e i shkruar në pergamenën me gjak e bojë: Shqiptarët provuan lirinë e u çliruan më 28 Nëntor 1912. Kjo datë duhet të mbledhë në vetvete gjithçka madhështore që shqiptarët bënë në rrugën e tyre për liri.

Botuar njëkohësisht në të përditshmen shqiptare ‘Panorama’

UNAR: “Të punësohen edhe të huajt në Administratën publike”

Flukset. Nga 4 dhjetori mund të përpilohen kërkesat