in

DonnAlbania – Gjendja e gruas shqiptare në Atdhe e në Itali

Takim në Modena më 19 mars

Romë, 15 mars 2018 – Një prej nismave për celebrimin e  festës ndërkombëtare të Gruas në qytetin e Modenës është edhe DonnAlbania. Takimi, që do të mbahet më 19 mars në orën 18Sallën e Konferencave (Ex Oratorio) të Palazzo dei Musei, është organizuar nga RTM – Volontari nel Mondo dhe Albania News, në kuadrin e projektit të kooperimit ndërkombëtar mes Shqipërisë dhe Italisë “W.O.M.E.N. – Women of the Mountains Empowerment Network”, i realizuar me kontributin e Fondacionit Cassa di Risparmio di Modena e të Komunës. Aktiviteti bëhet me patronazhin e Ambasadës së Shqipërisë në Itali dhe të Komunës së Modenës.

Takimi ka për qëllim të ofrojë reflektime nga këndvështrime të ndryshme rreth gjendjes së gruas shqiptare në vendlindje e Itali.

Me moderimin e avokatit dhe shkrimtarit Darien Levani, në takim do të sjellin kontributin e tyre shkrimtarja e njohur Anilda Ibrahimi që përmes personazheve të romaneve të saj do të shpalosë evolucionin e rolit dhe tw vlerwsimit të gruas në Shqipëri në shekujt XX dhe XXI; Ambasadorja e Shqipërisë në Itali, Anila Bitri, që do të flasë mbi angazhimin e institucioneve shqiptare për t’u siguruar grave mundësi të barabarta dhe për të promovuar e mbrojtur të drejtat e tyre; Gerarta Zheji Ballo, Sekretare e Parë në Ambasadën e Shqipërisë, që do të ofrojë një panoramë rreth gjendjes së grave shqiptare në Itali; Francesco Gradari, Përgjegjës i Projekteve të Ballkanit RTM – Volontari nel Mondo që do të flasë rreth statusit të gruas në Shqipërinë e Veriut duke prezantuar rezultatet e projektit të bashkëpunimit ndërkombëtar “WOMEN – Women of the Mountains EmpoWerment NetWork”. Në takim do të ndërhyjnë edhe Irene Guadagnini, Këshilltare për Shanse të Barabarta e Komunës së Modenës dhe avokati  Ernest Owusu Trevisi, Koordinator i Komisionit të Shanseve të Barabarta të Fondacionit Cassa di Risparmio di Modena.

Aktiviteti, ku mund të marrin pjesë shoqata, media dhe qytetarë të interesuar, do të transmetohet live në Facebook nga Albania News.

 

“Pritja” e Roland Sejkos, premierë në Torino dhe Asti

Asti: Migrimi i grave shqiptare