Rreth përmbledhjes së re me poezi të Gjelina Xhikës
Nga Irma Kurti
Gjelina Xhika prezantohet përpara lexuesve me librin e ri me poezi, nën siglën e botimeve ADA, të titulluar: “Dritëhijet e shpirtit”, pas përmbledhjes poetike, në shqip dhe në italisht, “Ditët e mia” të botuar në 2014.
Pasioni për të shkruar i Gjelinës i ka rrënjët në rininë e hershme. Siç pohon ajo vetë “megjithë vështirësitë e emigrimit është munduar ta kultivojë këtë ëndërr dhe ta bëjë realitet”.
Banon prej 25 vitesh në Itali, por “është ende e lidhur me kujtimet, me vendlindjen e mbi të gjitha me gjuhën shqipe si mjeti më i mirë për të shprehur ndjenjat dhe emocionet”. Në fakt, lidhja me atdheun përshkon si një fill i pashkëputur poezitë e saj: “Nuk e di”, “Aty isha edhe unë”, “Kurbeti”, “Qyteti im” etj.
Në poezinë “Mall që nuk shuhet” ajo shkruan: “Unë eci rrugës dhe mendohem/ah, sa mall në shpirt kam/për kujtimet, dhimbjet, lotët/që të gjitha i kam lënë pas.
Shpesh, janë kujtimet ato që nuk e lenë të qetë. Ato vijnë nga larg, ndoshta dhe atëhere kur nuk i pret, duke i nxjerrë gjumin. Shkëputim disa vargje nga poezia “Qyteti im”: Gjurmët e fëmijërisë nuk fshihen/atje, tek “pusi që lahet vetë”/dhe nëpër ëndrra etjen e shuaj/pranë gurgullimës së tij që flet.
Vargje të sinqerta, të drejtëpërdrejta ato të Gjelinës që burojnë nga një shpirt i dëlirë. Si të tilla, të ngjallin emocion, të bëjnë të gëzohesh e të trishtohesh së bashku me autoren, në të gjitha përjetimet që vizaton pena e saj.
“Dritëhijet e shpirtit”, siç mund të deshifrohet edhe nga titulli, sjell jo vetëm motive dashurie, lumturinë e gëzimin fëminor kur ajo gjëndet e rrethuar nga magjia e natyrës po dhe shqetësimin, revoltën, zemërimin për ato fenomene që mbizotërojnë në realitetin e sotëm dhe që nuk mund t’i shpëtojnë kurrsesi ndjeshmërisë së Gjelina Xhikës si krijuese. Janë një fëmijë i pafajshëm që i thotë “lamtumirë” kësaj bote, një rrugë e mallkuar që rrëmben një jetë, një vogëlush i braktisur, hipokrizia e njerëzve etj, ato që e preokuptojnë autoren. “Dora e plakur”, “Vetmi”, “Pranvera rri e fshehur”, “Brengë”, “Rrugë e mallkuar”, “Hipokrizi”, “Kur e keqja të ndjek” janë disa nga titujt që fokusohen në “hijet” e realitetit shqiptar.
Në poezinë “Dhimbje” Gjelina shkruan: “Sa dhimbje ndjen zemra e një nëne/sytë e saj janë mjegulluar me lot/në krahë po i përpëlitet një jetë,“Zot, të lutem shpëtoje, më dëgjon?”“. Apo dëshpërimi i pakufi për një jetë të pafajshme që shuhet shumë shpejt dhe që në zemrën e saj prej nëne përjetohet me një dhimbje dyfish: “Ti ishe lulja që kurrë nuk çeli/zgjatëm duart, të të falnim jetë/por ti nuk e pe dritën e diellit/zemra jote e vogël me yjet fle”. (Lulja që nuk çeli)
Shumë poezi të ndjera e emocionuese Gjelina ia ka dedikuar nënës së saj të shtrenjtë, e cila “nuk e pret më tek dera dhe nuk i hap krahët, si dikur”. Ajo ka ditur të skalisë më së miri në vargje një mungesë të madhe dhe të pazëvendësueshme që vetëm ikja e një prindi mund të lerë pas:“Mbretëreshë e universit”,”E përjetshme”, “Mirupafshim Nënë” ,“Lotët binin si breshër” etj.
Në poezinë “Të kërkoj në çdo yll” dhimbja e trishtimi marrin këtë formë: ”E shtrenjta Nënë, m’u mekën fjalët/e humbur u ndjeva si një një pyll./Ti je tretur, nga malli unë digjem,/të kërkoj në çdo yll”.
Siç shprehet Gjelina përmes një vargu të saj: “Poezia ime është dashuri, dhimbje e brengë”.
“Dritëhijet e shpirtit” është një libër që do ta gjejë rrugën tek lexuesi sepse u bën jehonë gëzimit e trishtimit, dashurisë dhe zhgënjimeve të përditshme, parë nga këndvështrimi i një nëne, bashkëshorteje, por mbi të gjitha i një krijueseje që kërkon t’i ndajë përjetimet e saj me lexuesin.