Berisha: Avioni u rrëzua nga mbingarkesa, piloti ndante paratë me Ramë. Tahiri: Policia po tregohet e suksesshme në luftën kundër trafikut të drogës
Pas shumë polemikash të javëve të fundit mes opozitës e mazhorancës mbi zërat rreth trafikimit të drogës nga Shqipëria në Itali me avionë të posaçëm, rasti (?) e do që një avion të gjendet vërtet në plazhin e Divjakës, pranë tij një makinë e mbushur me drogë.
Ka ndodhur vërtet të shtunën, më 10 maj. Një avion privat tip Piper është ulur në plazhin Divjakës. Avioni i vogël drejtohej nga italiani Giorgio Riformato, i datëlindjes 1956 nga Castelveccana e Vareses. Sipas tij, ulja në atë vend nuk ishte e paramenduar, ishte nisur nga Rinasi drejt Italisë, por për shkak të një defekti është detyruar të ulet në plazhin e Divjakës. Por “çuditërisht” pranë vendit ku u ul Riformato, u gjet një makinë me 460 kg hashash dhe u arrestua drejtuesi, Saimir Bajrami, 35 vjeç, të cilit i janë sekuestruar dhe 27.000 euro. Edhe Bajrami jeton në Itali e në Shqipëri kishte shkuar prej 2 ditësh.
Të marrë në pyetje, Riformato është munduar të shpjegojë me rastësinë faktin e të gjendurit pranë makinës me drogë, por Bajrami ka pranuar se hashashi që kishte ishte për t’u ngarkuar në avion në drejtim të Italisë.
Kush është Giorgio Riformato
Riformato është bërë “i famshëm” në Itali në vitin 2009 kur është akuzuar se ka një shkollë abuzive për pilotë. Asokohe u zbulua nga emisioni televiziv “Le Iene” që shkuan në shkollën e tij ku i vetëquajturi “komandant” i aviacionit jepte leksione fluturimi pa pasur asnjë licencë duke arritur t’u kërkojë nxënësve deri 20 mijë euro
Prokuroria e Vareses e akuzon për mashtrim dhe për shkeljen e disa neneve të kodit të fluturimeve pasi ai ka ushtruar me përfitim shërbimin e transportit ajror dhe të dhënies së leksioneve në këtë fushë pa pasur certifikatën e operatorit apo licencën. Praktikisht “komandanti” Riformato mundet vetëm në bëjë fluturime turistike pa qëllime fitimi.
Berisha: Avioni u rrëzua nga mbingarkesa, piloti ndante paratë me Ramën
Sapo lajmi i bllokimit të avionit në Divjakë u përhap, ka reaguar menjëherë Sali Berisha, që nuk ngurron të akuzojë drejtpërdrejt Edi Ramën e Ilir Metën që, sipas ish kryeministrit, “shndërruan Shqipërinë në Kolumbinë e Europës”.
“Kapet në Divjakë mushkonja e parë e miellit e Edi Ramës! Avioni nuk është ndaluar nga policia as dhe nga ndonjë operacion antidroge, por bie nga mbingarkesa. Zoti shpëton shtëpinë e një fshatari pa i rënë avioni mbi çati. Ky është sundimi i drogës”, shkruan Berisha në Facebook. Më vonë ndan me ndjekësit e tij të rrjetit social një tjetër mendim: “Avioni është nisur nga Rinasi me drogëra të forta dhe në Dijvake ka marrë ngarkesën (mbingarkesën) tjetër, me të cilën u rrëzua. Piloti është person me precedentë kriminalë por natyrisht me kontratë për ndarje fitimi me Ramën dhe suitën e tij. Klika Rama Meta shndërroi Shqipërinë në Kolumbinë e Europës. Qytetarë, regjimi punisto mafioz po damkos dinjitetin tonë dhe të Shqipërisë”.
Tahiri: Policia bllokoi një skemë trafikimi droge
Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, bëri të ditur të dielën, nëpërmjet një konference për shtyp, se avioni i rrëzuar në Divjakë dhe makina e bllokuar me drogë disa kilometra më tutje kanë qenë në tentativë të një trafiku droge në rrugë ajrore, por kjo falë policisë është ndaluar.
“Përtej hamendësimeve, me përgjegjësinë time të plotë them se avioni ka qenë i regjistruar nga autoritetet përkatëse me leje të rregullt sipas ligjeve në fuqi. Në momentin që avioni është nisur nga Rinasi dhe është shkëputur nga komunikimi me kullën e vrojtimit, kjo e fundit ka lajmëruar institucionet e duhura që kanë nisur menjëherë hetimet përkatëse që sollën ndalimin e këtij operacioni trafiku”, theksoi Ministri i Brendshëm.
“Kemi ushtruar kontrolle të gjithanshme në të gjitha pikat kufitare, jemi në gatishmëri të plotë në luftën ndaj trafikut dhe kriminalitetit në Shqipëri dhe kjo ka bërë që sasia e drogës e kapur gjatë kësaj kohe është shumëfish herë më e lartë se ajo që është kryer nga qeveria e shkuar, e cila bërtet për trafikun e drogës, ndërsa vetë nuk e kapte”, iu kundërvu Ministri polemikave të ngritura nga opozita.
“E deklaroj me përgjegjësi të plotë se historia e kësaj ngjarje u ngjiz nga instiktet kriminale të frymëzuara tek qytetarët, nga politika e papërgjegjshme, e deklaratave të papërgjegjshme nga goja e atyre që ishin në krye të vendit. Sot jemi shumë herë më të fortë dhe Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit janë kthyer në një standard sigurie të pamenduar deri dje” tha Tahiri duke akuzuar opozitën se po synojnë të verbojnë e të shurdhojnë qytetarët shqiptarë.