Durrësi që sot do të ketë terminalin e ri të trageteve, me një sipërfaqe prej rreth 90.000 m2 dhe 36 sportele kontrolli kufitar. Në ceremoninë e përurimit të Terminalit të ri të pasagjerëve në Port do të marrë pjesë Kryeministri Sali Berisha, si dhe përfaqësues të pushtetit qendror e atij vendor.
Tiranë, 11 korrik 2012 – Përurohet në mbrëmje terminali i ri i pasagjerëve në portin e Durrësit.
Ai është ndërtuar me një investim prej 21,8 milionë euro, të financuar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Banka Evropiane e Investimeve (BEI) dhe Qeveria shqiptare.
Sipas burimeve zyrtare nga drejtoria e Autoritetit Portual të Durrësit, APD, terminali i ri i trageteve kap një sipërfaqe prej rreth 90.000 m2 dhe në mjediset e tij mund të përpunohen njëherësh 2.000 udhëtarë. Godina e terminalit, objekti më i madh në këtë shesh, i ndërtuar me konstruksione metalike dhe xhama ka një sipërfaqe rreth 5.400 m2.
Në sheshet e terminalit ka gjithsej 36 sportele të kontrollit kufitar, 10 prej të cilëve u shërbejnë udhëtarëve këmbësorë, 24 të tjerë udhëtarëve me autovetura, ndërsa 12 sportele kontrolli janë për kamionët dhe autobusët.
Mbikalimi i udhëtarëve, që nis pranë sheshit të stacionit hekurudhor të qytetit dhe përfundon brenda terminalit, ka një gjatësi rreth 226 m dhe gjerësi 4 m.
Për lehtësimin dhe komoditetin e mjeteve motorike dhe të këmbësorëve Terminali i ri i trageteve është i pajisur me të gjithë infrastrukturën e nevojshme që kërkon përpunimi i tyre, vendet e çekimeve, skanerat, pikat e kontrollit të policisë kufitare, ato doganore, peshoret, e deri tek stolat dhe karrot e bagazheve.
Nëpërmjet portit të Durrësit gjatë një viti lundrojnë me tragete mesatarisht 850 mijë udhëtarë dhe 185 mijë automjete gjithsej. (ATSh)