in

Durrsakët në Festivalet e Këngës në vite

Krijuesit durrsakë kanë qenë të pranishëm thuajse në të gjithë festivalet e këngës në Radio-Televizion, nga edicioni i tij i parë.

Është një këngë mjaft e njohur e muzikës së lehtë që këtë fundviti feston 50-vjetorin e lindjes.  Haxhi Rama, autori i tekstit të “Lemzës”, këngës së kompozitorit Agim Krajka, thotë për ATSH-në se, kënga ka të njëjtën moshë me Festivalin e këngës në Radio, siç quhej në ato fillime kur televizioni ishte një ëndërr.

Mjeshtri i madh Haxhi Rama, i cili më vonë paraqiti bashkë me Krajkën edhe pesë këngë të tjera, kujton se “Lemza” nuk u përfshi në këngët finaliste dhe për pasojë nuk u paraqit në natën e fundit të Festivalit.

Haxhi Rama, një nga përfaqësuesit e shumtë të Durrësit në festivalin më të madh të vitit, nga bashkëpunimet me kompozitorin e shquar kryeqytetas ka fituar pesë çmime të dyta dhe një çmim të pare, me tituj mjaft të njohur edhe tani si; “Djaloshi dhe shiu”, “Ne jemi tre”, “Unaza”, “Jam një vajzë”, “S’e kam të lehtë” e “S’të harroj”.

Rama kujton edhe bashkëpunimet e mëvonshme me kompozitorët durrsakë Agron Xhunga e Zija Saraçi, ndërsa nuk le pa përmendur edhe Petraq Qafëzezin, krijuesin e tekstit të këngës së kompozitorit Nikolla Zoraqi “Nënave shqiptare”.

Mësuesi Met Dervishi ka kontribuar në festivalet e këngës me tekstin e “Erdhi bilbili”, ndërsa janë të njohura bashkëpunimet me prozatorin Bashkim Hoxha të një kompozitori tjetër të shquar së tepërmi për kolonat muzikore të 33 filmave artistikë, Hajg Zacharian Pjesmarrës në 6 edicione të festivaleve, kryesisht në vitet 1970-1980 Zacharian ka sjellë në skenën e festivalit këngët “Është një qytet”, “Atdheu im e gjithë Shqipëria”, “Këngët tona” apo “Zemërzjarrta”, interpretuesit e të cilave kanë qenë disa nga VIP-at e këngës shqiptare si Ema Qazimi, Tonin Tërshana, Luan Zhegu, Frederik Ndoci, etj.

Një tjetër kompozitor i shquar durrsak, pjesëmarrës dhe fitues në festivalet e këngës  është edhe Agron Xhunga e bashkë me të edhe Lejla Agolli e Maksim Shehu, i njohur edhe si krijues i kolonave zanore filmike.

Shpresa Tafaj, dirigjentja e parë

Në festivalin e vitit 1976, Durrësi vendos një rekord tjetër. Orkestra e madhe e RTVSH drejtohet nga një vajzë durrsake, e  sapo diplomuar në degën e dirigjimit. Në moshën 23 vjeçare, Shpresa Tafaj bëhet dirigjentja e parë shqiptare dhe prezantohet në dy festivale radhazi, edicionet 16 dhe 17, dy veprimtari në të cilat kishin grumbulluar në podium edhe mjaft durrsakë të tjerë. Tafaj, tashmë pedagoge në shkollën e mesme artistike “Jan Kukuzeli” ka drejtuar orkestrën e madhe edhe në një nga festivalet e viteve 2000, pikërisht në edicionin 44.

Shumë më jetëgjatë në podet e drejtimit vazhdon të jetë Petrika Afezolli, dirigjent i Orkestrës së RTVSH prej shumë vitesh dhe një nga kontribuuesit më të mëdhenj durrsakë në festivalet e këngës së fundvitit.

Zija Saraçi, kantautori i festivaleve

Zija Saraçi, kantautori i vetëm durrsak në Festivalet e këngës në Radio-Televizion ka marrë pjesë në 10 festivale të këngës në radio-televizion, ku në 7 prej tyre si këngëtar dhe në tre të tjera, si kompozitor. “Vetëm një herë kam kënduar këngën që kisha kompozuar vetë-thotë Saraçi, në vitin 1989, kur këndova duet me Engjëllushe Lazon këngën “Ëndrra ime”.

Nga edicioni i 9-të, deri në atë të 14-të, Zija Saraçi ka marrë në çdo edicion “Kam debutuar me këngën “Nënë dhe shoqe”, të kompozitorit Tasim Hoshafi, i cili më përzgjodhi në konkurimin e Zërave të Rinj, dy muaj përpara veprimtarisë. Po atë vit, Saraçi këndoi “Viti i ri” të Nexhmedin Dokos. Në Festivalin e 10-të këngët , ai mori pjesë me këngën“Vajza me balonë” të Aleksandër Lalos dhe “Horizontet”, të Aleksandër Peçi. Në edicionin e 11-të , festivali që shkatërroi karrierën e dhjetra artistëve ai këndoi “Sonte u takoj të gjithëve”, e cila u rendit e katërta pas grumbullimit të pikëve nga juritë në Tiranë dhe në rrethe.

Në tre festivalet e radhës, nga i 12-ti, te i 14-ti, Zija Saraçi këndoi “Nëpër ditët tona”, të Kastriot Gjinit dhe së bashku me Ramadan Muhametin, Saraci këndoi “Qyteti i ri” , i Rexhep Hasimit dhe “Urimi i bardhë”,i N. Bulos. Pas një mungese 8-vjeçare, këngëtari durrsak kthehet në vitin 1982, me këngën “Cili jam tani”, të A. Rrëzës. Në vitin 1986 ai dërgon në festival bashkëpunimin e tij si kompozitor, me poetin Haxhi Rama. Kënga erdhi në skenë përmes interpretueses Jolanda Dhamo, e cila plotësonte treshen krijuese durrsake. 

Besnik Taraneshi, ky humbës i madh

Nga edicioni i dytë i këngës në Radio, qyteti i Durrësit ka një kujtim të hidhur. Këngëtari Besnik Taraneshi, që u njoh më vonë si “Djaloshi dhe shiu” humbi të drejtën e pjesëmarrjes në të gjitha veprimtaritë e këngës për një “pikë”, të cilën ai e shqiptoi si dibran “pejk”. Ky ishte preludi më i hershëm i Festivalit të 11-të të këngës në RTVSH, i cili preu mjaft koka të kulturës dhe artit shqiptar.

Zija Saraçi, Valentina Gjoni dhe Petrit Dobjani, tre “mosketierët” e Durrësit, në edicionin famëkeq arritën të shpëtojnë pa lagur nga “përmbytja” e madhe e Festivalit të 11. Ndoshta, sepse ashtu si shumica e këngëtarëve durrsakë, në veprimtaritë e mëdha, ata ishin punëtorë në ndërmarrje të ndryshme të qytetit, si porti detar, apo Nish Cigare dhe kënga për ta ishte vetëm pasion.

Një tjetër trio durrsake në Festivalin famëkeq ka qenë edhe ajo e instrumentistëve Linda Zëmblaku në piano, Dash Hoxha në saksofon dhe Met Hushi në bateri, komponentë të orkestrës së tunxhit, që nën drejtimin e Gaspër Çurçisë bëri mjaft bujë në rrethet artistike të vendit. Festivalet e viteve 1960-1970 janë dominuar nga prania e Qemal Kërtushës, një prej këngëtarëve nga Durrësi, me numrin më të madh të pjesëmarrjeve dhe të çmimeve të fituara.

Një tjetër durrsak i pranishëm me shumë sukses në katër edicionet e para të festivalit të muzikës së lehtë ishte edhe Sotir Afezolli. Ndërkohë që pjesmarrje të panumërta ka edhe Parashqevi Simaku, këngëtarja nga Kavaja, e cila nisi të aktivizohet shumë shpejt me përfaqësuesen e këngës së Durrësit.

Në kapërcyellin e viteve 1970-1980, në skenën shqiptare mbërrijnë disa vajza të talentuara durrsake si; Miga Hysi, Jolanda Dhamo, Ëngjëllushe Lazo, të cilat siç ishin paraprirë nga Valentina Gjoni, u bashkuan në fund me Morena Rekën, një tjetër emër kumbues i muzikës së lehtë.

Më vonë përfaqësuesve durrsakë të këngës iu shtuan  Redina Tili, e famshme për këngën “Pesë fustane kam”, Denis Hasa dhe Artur Dhamo. Në Festivalin e dytë, në fillim të viteve 1960 ka kënduar edhe studenti Bujar Mersini, që është paraqitur me këngën “Riviera” dhe “Bregdet”, kjo e dyta kompozim i aktorit të madh të kinemasë, Rikard Ljarja.  

 “Kam kënduar në edicionet 8, 9 dhe 10” kujton me shumë kthjelltësi Kërçuku, që vijon me titujt e këngëve “Mbi trase”, nga Platon Mezini, “Shokë të pandarë”, nga Agim Prodani, “Shoqja e bankës”, nga Aleksandër Lalo, “Stacioni i dashur”, nga Agron Xhunga dhe më e njohura nga të gjitha “Bardhësi”, nga Vakthi Sheme.

Jo pak çmime për krijuesit durrsakë të këngës në ato vite, çmime që më të shumtën e herëve jepeshin nga organizatorët në formën e copave për kostum, apo torkave të leshit për triko, gjë që nuk ka nevojë për koment. Festivali më i rëndësishëm i vitit është zhvilluar çdo vit në Tiranë dhe për pasojë, autorët dhe interpretuesit e tij ishin kryesisht artistë kryeqytetas.

Një festival i këngës së Durrësit në mesin e viteve 1960 u bë shkak që organizatorët t’ia besonin Edicionin e Tretë dy figurave mjaft të njohura të qytetit bregdetar. Artisti i Popullit Gjergj Vlashi realizoi regjinë e Festivalit kombëtar të këngës, ndërsa Artisti i Merituar, Vangjel Heba, ishte spiker i tij. Kjo përpjekje për të kujtuar kontribuuesit durrsakë në festivalet e këngës në RTVSH nuk do të ishte e plotë pa përmendur instrumentistët e shkëlqyer durrsakë Dashnor Hoxha, Linda Zëmblaku, Met Hushi, Genc Cara, Gent Salillari, vëlla e motër  Koç Driza e Nora Driza, violinistët Pandush Gjezi, Vaso Papa, Pëllumb Salillari i ndjerë,  Ramazan Peku, Pirro Sota, etj., që të gjithë pjesë e ekipit përfaqësues të Durrësit në evenimentin e madh të muzikës së lehtë që pikërisht feston edicionin nr. 50.

Gëzim Kabashi

Nis edicioni i 50-të i Festivalit të Këngës në RTSh

Emigrantët kthehen për festa. Fluks i lartë në porte e në kufirin me Greqinë