Zbret nga makina për të ndihmuar një të aksidentuar, e shtypin. Dy aksidente të njëpasnjëshme rrugore i marrin jetën 45-vjeçarit Agron Ligut.
Romë, 7 mars 2011 – Quhej Agron Ligu 45-vjeçari shqiptar me banim në Salò që humbi jetën në një aksident të dyfishtë rrugor në Prevalle, në Brescia. Emigranti shqiptar, i cili prej gjashtë muajsh kishte marrë shtetësinë italiane e që punonte në Industrie Pasotti në Prevalle, ishte duke udhëtuar rreth orës shtatë të mbrëmjes kur automjeti i tij Volkswagen Bora u përplas me një motor të drejtuar nga një djalë i ri indian i cili pati dëmtime mjaft të rënda. Me sa duket Agron Ligu kishte dalë nga makina për t’u siguruar mbi gjendjen shëndetësore të të riut dhe për t’u përkujdesur për të. Ka qenë kaq i shqetësuar për atë ç’kishte ndodhur sa pasi kishte thirrur ambulancën, kishte telefonuar dhe në shtëpi për të lajmëruar se ç’i kishte ndodhur.
Rreth njëzet minuta pas aksidentit, teksa po lëvizte përgjatë rrugës, shqiptari është shtypur nga një automjet i drejtuar nga një maroken. Me gjithë ndërhyrjen e shpejtë ai mbërriti pa jetë në spitalin Gavardo. Një episod tragjik që duket sikur konfirmon thënien se ndonjëherë fati është armiku ynë më i madh.