in

Edhe Ambasada pret pasaportat

Në fund të marsit shërbimi i aplikimit dhe i lëshimit të pasaportave të reja biometrike ka nisur në Athinë dhe në Selanik. Italia ende pret. “Gjithçka është gati, por presim të vijnë nëpunësit e shoqërisë koncesionare që bën pasaportat” thotë ambasadori ynë në Itali Llesh Kola në këtë intervistë për “Bota shqiptare”.

Bota Shqiptare: Pyetja është ajo që bëjmë tashmë prej muajsh. Kur do të nisë aplikimi për pasaportat edhe këtu në Romë?

Ambasadori Llesh Kola: Tashmë, nuk ka mbetur asgjë tjetër veçse të vijnë funksionarët e shoqërisë koncesionare që bën pasaportat dhe të nisin punën. Më hollësisht dua të them se nga ana jonë gjithçka është gati, edhe se janë pak gjërat që varen prej ambasadës: na u kërkua një zyrë dhe e kemi liruar, na u kërkuan emrat e mundshëm të stafit teknik që do të punësohet në këtë zyrë dhe të një roje, edhe këta i kemi nisur tashmë. Sapo shoqëria të vendosë të sjellë kompjuterët e pajisjet e tjera mund të nisë menjëherë nga puna.

Mund të themi që është punë ditësh?
E shpresoj, por nuk dua të them gjëra që nuk varen nga ambasada. Për t’u kuptuar më mirë po ju them që kjo shoqëri vepron në mënyrë të pavarur nga ambasada, as nuk e detyrojmë dot të vijë në një datë të caktuar e as nuk kemi marrë prej saj deri më sot një datë se kur ajo mendon të nisë punën në zyrën në Romë apo në Milano.

Pra zyra e aplikimit do të veprojë më vete, jo si pjesë e ambasadës?

Ecuria e punës për pasaportat do të varet nga shoqëria koncesionare që ofron këtë shërbim.
Shpresoj vërtet në mbarëvajtjen e procesit pasi prej kohësh kemi arritur të vëmë rregull në zyrat konsullore: tashmë pagesat në bankë, përdorimi i shërbimit postar për atë pjesë të dokumenteve për të cilat nuk nevojitet prania e personit kanë dhënë frytet që prisja. Në dyert e ambasadës nuk sheh radhët e mundimshme të njëherë e një kohe.

Pritshmëria e lartë dhe kjo vonesë në prag të pushimeve mund t’i sjellë sërish radhët e gjata
Nuk do të dëshiroja kurrsesi që radhët të ktheheshin sërish ndaj shpresoj që për aplikimet për pasaportat shoqëria të ketë menduar për një mënyrë prenotimi, me mail apo me telefon për t’u caktuar të interesuarve paraprakisht një datë kur ata mund të vijnë për të aplikuar e më pas për të tërhequr pasaportën. Unë do t’i sugjeroja një call-center të jashtëm, të pavarur nga punonjësit e kësaj zyre në mënyrë që të jetë sa më i paanshëm dhe të respektohet me përpikëri renditja e takimeve sipas asaj të telefonatave.

Çmimi do të jetë ai që po aplikohet në Greqi, apo ai që ishte vendosur në Kuvendin e Shqipërisë kur u miratua shtesa e kontratës koncesionare me Sagem Securite?
Çmimi i dokumenteve do të jetë ai që po aplikohet në Greqi: 10 euro për letërnjoftimin elektronik (që është i detyrueshëm) dhe 108 euro për pasaportën biometrike. Ambasada nuk është marrë me tarifat e dokumenteve.

Dhe këtyre çmimeve u duhen shtuar edhe të paktën 72 eurot për përditësimin e lejes së qëndrimit… A mund të na thoni për sa kohë janë të vlefshme pasaportat e vjetra, në mënyrë që emigrantët të marrin në konsideratë të gjitha mundësitë, qoftë atë të bërjes së pasaportës në Shqipëri, qoftë atë të bërjes së saj në prag të përtëritjes së lejes së qëndrimit?
Pasaportat që shqiptarët kanë sot në dorë janë të vlefshme deri në skadencën e tyre. Ato janë dokumente të rregullta të lëshuara nga shteti shqiptar. Nuk të lejojnë të lëvizësh pa vizë në zonën Shengen, por ky nuk është problemi i shqiptarëve që jetojnë rregullisht në Itali pasi atyre këtë të drejtë ua jep leja e qëndrimit. Edhe në Shqipëri kush nuk do të përfitojë nga liberalizimi i vizave mund të mos aplikojë për pasaportën biometrike.

Pak kohë më parë “Fiks Fare” vuri në dukje problemin e komunikimit të shqiptarëve me Ambasadën përmes telefonit, problem i përhershëm të cilin e kemi nxjerrë në dukje edhe ne me ambasadën që ju drejtoni.
Jemi të vetëdijshëm për këtë problem. Por kemi probleme konkrete dhe kërkojmë mirëkuptimin e bashkatdhetarëve. Kemi një centralinë telefonike të vogël që nuk arrin të marrë të gjitha telefonatat dhe personel të paktë. Veçanërisht muajt e fundit, linja jonë është shumë e ngarkuar edhe për shkak të informacioneve që kërkohen lidhur me pasaportat biometrike. Ju siguroj që mundohemi t’u përgjigjemi sa më shumë telefonatave që të jetë e mundur. Veç telefonit kemi edhe adresat e-mail: për çdo informacion mund të shkruani në info@ambalbania.it, u përgjigjemi brenda 48-72 orëve. Ndërsa për rastet urgjente, si rastet e vdekjeve, kemi vënë në dispozicion edhe një numër celulari, 347-058.1383, të cilit i përgjigjemi në çdo moment, në të gjitha ditët e javës. Në faqet internet të Ambasadës www.ambalbania.it gjeni kontaktet e të gjithë stafit diplomatik: numër telefoni dhe e-mail, përfshirë edhe timin.

Stafi Diplomatik i Ambasadës

Romë 2011: “Ndalohet hyrja për kafshët dhe imigrantët”

Mos kini frikë – Grand Hotel Albania / 2