in

Eksodi i kuksianëve drejt Europës

Thashethemet për mundësi ekonomike dhe leje pune në Gjermani, por edhe mungesa e perspektivës së punësimit në atdhe, kanë nxitur gjatë javëve të fundit qindra vetë nga rajoni më i varfër i Shqipërisë të nisen drejt perëndimit.
Nga Gjergj EREBARA, BIRN 

Embi Uka, 63 vjeç, po kryen një shëtitje me nipin e tij fare të vogël në krah ndërsa ka mbesën për dorë në lagjen 3 të Kukësit në mesditën e të shtunës më 11 prill.

“Djalin tim e hoqën nga puna te forcat speciale të ushtrisë shqiptare katër vjet më parë. Shpresoi të kthehej në punë apo të gjente një punë të re deri tre muaj më parë kur vendosi të ikë në Gjermani. Atje i japin 300 euro në muaj, mjaftojnë sa për t’u ushqyer ndërkohë që kërkon punë,” thotë ai.

“Gjatë kohës që ishte i papunë mori borxhe ku të mundte. Jo ndonjë borxh të madh,” thotë Uka, i cili kujdeset për familjen e tij me tre gjenerata duke u ushqyer me ndihmën ekonomike prej 5,600 lekësh në muaj.

Sipas familjarëve të Ukës, emigranti, babai i dy fëmijëve, priti me shpresë nga qeveria e re për një vend pune. Por qeveria i dërgoi një faturë dritash të pabesueshme.

“Fatura e dritave më erdhi 20 milionë lekë (të vjetra),” thotë ai duke treguar një tufë të trashë letrash që paraqesin detyrimet dhe kamatëvonesat shumëvjeçare. “Më thonë t’i paguaj me këste, po ku mund t’i gjej unë kaq para? Kam dhjetë vjet që kërkoj punë por nuk ka,” thotë ai. Fatura prej 2 milionë lekësh për një familje me një apartament të vogël ngjan si shaka. Por ajo është thjeshtë e qartë aq. Për një periudhë disavjeçare, familjes Uka i janë faturuar 10, 20, apo 50 mijë lekë (të rinj) energji elektrike në muaj.

Kukësi është një vend i varfër në maksimum. Në vitin 2014 kishte 10 mijë familje në skemën e Ndihmës Ekonomike, gati 70 për qind të të gjitha familjeve të qarkut. Toka e paktë dhe e varfër jep një prodhim mesatar vjetor për familje prej 194 mijë lekësh në vit dhe këto janë të ardhura bruto, pa llogaritur koston e punimit të tokës. Sipas Institutit të Sigurimeve Shoqërore, në Kukës ka 6,600 vetë kontribuues në zonat urbane dhe 3100 vetë kontribuues në zonat rurale në një popullsi prej 85 mijë banorësh.

Emigrim masiv

Nga mesi i marsit të këtij viti, filiali i postës së Qarkut Kukës vuri re një fenomen të pazakontë. Aplikimet për pasaporta u shumëfishuan. Media vendëse filloi të interesohej se çfarë po ndodhte dhe mësoi se brenda javës 30 mars – 3 prill, në sportele kishin fluturuar 510 kupona aplikimi për pasaportë, nga të cilat, 90 ishin me procedurë të përshpejtuar. Kjo qe disa herë më e lartë se sa numri i zakonshëm i aplikimeve për pasaporta. Pas kësaj, zyrtarët e postës morën urdhër për të mos folur për median.

“Ne na dhanë urdhër të prerë për të mos folur për median,” tha një punonjëse e Postës që kërkoi të mos identifikohej nga frika. “Nuk e dimë nëse është më mirë të flasim apo të mos flasim për këtë çështje,” tha ajo.

“Nëse flasim, kemi frikë se më shumë njerëz do të nisen”.

Ndërkohë, fakti që njerëzit po ikin në një valë të re emigracioni nga Kukësi është një sekret që tashmë e dinë të gjithë. Nëpër qytet thuhet se mbi 4 mijë njerëz nga një popullsi prej më pak se 85 mijë banorësh. Askush nuk e di burimin e kësaj shifre dhe shumë thashetheme që raportohen për fakte të sigurta rezultojnë të rreme. Gjithsesi, fakti është që numri i të larguarve gjatë muajit të fundit është i pazakontë, aq sa i gjithë qyteti duket sikur njeh dikë që është nisur.

Bedri Gjana, noter në qytetin e Kukësit, thotë se në zyrën e tij ka hasur një fluks të pazakontë kërkesash për deklarata noteriale për pajisjen e të miturve me pasaportë. Në mënyrë që një fëmijë nën 18 vjeç të pajiset me pasaportë, prindi duhet të dorëzojë një deklaratë noterale ku thotë se është dakord për pajisjen me pasaportë të fëmijës së vet.

“A kanë 4 mijë, kjo mund të jetë ekzagjerim,” thotë Gjana. “Por fakti është që gjatë javëve të fundit kam patur nga tri apo pesë kërkesa për deklarata të tilla çdo ditë ndërkohë që më parë kjo ndodhte shumë rrallë,” thotë ai.

Në Kukës qarkullon në formë barsalete se kur njëri nga ata që iku u pyet se pse po ikën, ai u përgjigj se në këtë vend ka gjasa do të ikin të gjithë, deri sa të mbeten vetëm Edi Rama në Tiranë dhe Hasan Halili në Kukës. Hasan Halili, kryebashkiak për Partinë Demokratike prej dy mandatesh, ndërroi krah dhe pritet të garojë më 21 qershor për koalicionin PS/LSI.

Në Partinë Socialiste të Kukësit ndjehen paksa të fyer nga ky ndryshim. “Për tetë vjet ne i kërkuam njerëzve të mos e votojnë atë, ndërsa tani duhet t’i kërkojmë ta votojnë thjeshtë sepse ka ndryshuar parti,” thotë një socialist lokal që nuk dëshiron të flasë me emër për shkak të frikës për humbje të vendit të punës.

Në stacionin e furgonëve të qytetit, tre të rinj nga fshati Topojan po presin të kthehen në fshat. Njëri prej tyre thotë se ka mbaruar studimet për drejtësi në Tiranë vitin e kaluar. “Unë jam i djathtë dhe nuk kam shpresa për punë,” thotë ai. “Nuk e kam vendosur ende nëse do të iki, por po mendohem.”

Dy shokët e tij, njëri 18 dhe tjetri vetëm 16 vjeç, thonë se kanë aplikuar për pasaportë javën e kaluar dhe presin ta marrin javën e ardhëshme. “Së shpejti do të hapet Zvicra,” thotë 18 vjeçari. Kur pyetet se nga e ka këtë informacion, ai përgjigjet thjeshtë: “Jam i interesuar, prandaj e di!”

Ministria e Brendshme në Tiranë deklaroi më 10 prill se kishte vërejtur një fluks të pazakontë aplikimesh për pasaporta “përgjatë 48 orëve të fundit”, duke i këshilluar qytetarët të mos ndërmarrin aventurën e udhëtimit për në Gjermani pasi shanset reale për azil politik janë zero.

Drejtori i Policisë së Qarkut Kukës Alban Çela tha për BIRN se po heton burimin e thashethemeve që qarkullojnë në qytet. “Po hetojmë se nga vjen informacioni i pavërtetë. Na rezulton se njerëzit nxisin njëri-tjetrin duke pretenduar se të ikurit marrin 300 euro në muaj në Gjermani, gjë që është e pavërtetë,” thotë ai.

Por cilido qoftë burimi i thashethemit për mundësinë e një jete më të mirë në Europë, Kukësi po përjeton një valë të re emigrimi masiv pas 25 vjetësh emigrimi dhe migrimi të vazhdueshëm që sakaq i ka hequr këtij qarku dy të tretat e popullsisë që kishte në vitin 1989.

“Ajo që më bën përshtypje është se ata që po ikin duket sikur janë familje të reja me fëmijë të vegjël,” thotë noteri Gjana.

Thashetheme

Shqipëria ka një histori të gjatë emigrimesh masive të nisura nga thashetheme me burime të paidentifikuara. Në 2 korrik 1990, disa mijëra shqiptarë hynë në ambasadat e pakta të vendeve të huaja në Shqipëri. Në 6 mars 1991, rreth 20 mijë shqiptarë rrëmbyen anijet në portin e Durrësit dhe u nisën për në Itali pas thashethemeve të ngjashme duke kërkuar strehim politik. Përgjatë atyre viteve, mijëra shqiptarë kaluan kufirin dhe kërkuan strehim politik në Greqi ndërkohë që tentativa emigrimi masiv u regjistruan edhe në Maqedoni. Në korrik 1991, një dallgë e dytë shqiptarësh u nis me anije drejt Italisë, por kësaj here, qeveria italiane vendosi t’i riatdhesojë ata pasi doli në konkluzionin që, meqënëse Shqipëria kishte nënshkruar sakaq Deklaratën e Helsinkit për të drejtat e njeriut dhe se emigrantët nuk rrezikonin të përballeshin më me përndjekje politike në vendin e tyre. 

Përgjatë dy dekadave që pasuan, vlerësohet se 30-50 apo 70 mijë shqiptarë emigruan ilegalisht çdo vit ndërsa tragjeditë njerëzore qenë të shpeshta në kanalin e Otrantos përgjatë gjysmës së parë të viteve 2000.

Emigrimi masiv, i cili ka hequr nga Shqipëria afro një të tretën e popullsisë përgjatë 25 viteve të fundit, supozohej se qe drejt përfundimit. Hipotezat e reja të projeksioneve të popullsisë nga INSTAT sugjerojnë se aktualisht Shqipëria po ka kthime emigrantësh pothuajse po aq sa edhe largime, duke sjellë mbajtjen e popullsisë konstante.

Por vitin e kaluar, thashethemet për një mundësi emigrimi në Gjermani nëpër fshatrat e Vlorës dhe Fierit bëri që qindra njerëz të zbarkonin në portin e Vlorës me një biletë vetëm vajtje për në Gjermani.

Pas njëzet e pesë vjetësh emigrimi masiv, duket se ky problem nuk është mbyllur ende.

Një punonjës telekomi në Kukës i tha BIRN se për sa kohë kuksianët nuk shohin shpresë në vendin e vet, ata do të vijojnë të ikin.

“Ne kemi krom, por nuk e dimë se kush e shfrytëzon dhe për çfarë interesash. Kemi tokat e zëna nga liqeni i Fierzës të cilat nuk na i njohin. Njerëzit duhet të protestojnë, por kanë vendosur të protestojnë duke ikur”.

Reporter.al

 

Të martuar por nuk bashkëjetojmë. A ka problem për kartën e qëndrimit?

Bonus bebe. Botohet rregullorja zbatuese