Videoja e përgjimit, mes ish zëvendës kryeministrit, Ilir Meta, dhe ish ministrit të Ekonomisë, Dritan Prifti, e transmetuar në mediat vizive, është cilësuar nga tre ekspertë shqiptarë “jo origjinale”.
Tiranë, 1 nëntor 2011 – Në seancën gjyqësore të 31 tetorit, në Gjykatën e Lartë, tre ekspertët Ardian Pollo, Ermal Beqiri dhe Artur Rrahamani deklaruan se në përfundim të ekspertizës së tyre, rezulton se materialet e transmetuara përmes kësaj videoje nuk janë autentike.
Ekspertët kanë ekzaminuar orën-kamera, lap topin dhe USB-në, e dorëzuar nga Dritan Prifti. Ata pretendojnë se biseda Meta-Prifti nuk është regjistruar nga ora: “Në objektin e ekspertimit provë materiale “Orë” nuk u gjet asnjë gjurmë e bisedës Meta Prifti”. Ata vënë në dukje se “nga ekspertimi u konstatua se probabiliteti i shenjave të ndërhyrjeve e montimeve është i lartë për pjesën audio ” dhe që “materiali audio video, i ndodhur në DVD, sekuestruar në redaksinë e emisionit “Fiks Fare” nuk është i njëjtë me materialin e ekspertizës”.
I menjëhershëm reagimi i ish ministrit Prifti lidhur me raportin e ekspertëve shqiptarë, që e konsideruan videon “Meta -Prifti” si jo origjinale: “Ekspertët gënjejnë kur thonë se ora-kamera e dorëzuar nga unë nuk ka kryer regjistrimin. Të paktën dy shtete e dinë të vërtetën, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar, sepse 2 nga ekspertët më të mirë të tyre kanë vërtetuar origjinalitetin dhe paprekshmërinë e videos. Ekspertët shqiptarë, nga paaftësia apo korrupsioni, dëmtojnë Shqipërinë para gjithë botës demokratike që na monitoron”.
“Nëse Ilir Meta del pa lagur nga kjo histori që e pa gjithë Bota me zë edhe me figurë, – përfundon ish ministri Prifti – nuk besoj se do të mbetet njeri në këtë vend që beson më tek drejtësia. Ftoj Gjykatën, Prokurorinë dhe Ilir Metën të pranojnë ekspertizën shtetërore të videos nga një vend i Bashkimit Europian. Asnjeri nuk është mbi ligjin, qoftë ky edhe zëvendës kryeministri Ilir Meta”.
Në fakt, në përfundime krejt të tjera kishin arritur muaj më parë ekspertët e huaj. Në konkluzionin e amerikanit Glen Bart, mes të tjerash thuhej se: “Videoja që është transmetuar në programin televiziv dhe që gjendet në USB-në (e dorëzuar nga Dritan Prifti si provë), në fakt është vetëm gjysma e videos. Videoja e plotë gjendet në sistemin e kompjuterik (po ashtu të dorëzuar nga Dritan Prifti si provë). Duket se videoja e plotë është ndarë në dy video të ndryshme, por nuk ka gjetur prova që personat që jepen në video janë tjetërsuar. Data në BIOS dhe koha në kompjuter ishin në përputhje me datën dhe kohen aktuale në Shqipëri”. Eksperti amerikan pohonte gjithashtu se nuk ishte në gjendje të pastronte segmentin audio të videos me pajisjet që kishte në dispozicion. Pikërisht duke u mbështetur në këtë ekspertizë – që veç të tjerash nxori në dritë edhe një video tjetër të fshirë prej Dritan Priftit ku ishte ai që merrte ryshfet – Prokurorja e Përgjithshme në shkurt i kërkoi parlamentit heqjen e imunitetit për Priftin dhe Metën me motivin se meqë “sipas konkluzionit të aktit të ekspertimit, videoregjistrimi është i patjetërsuar dhe shkalla e gabimit është zero” niste ndjekjen penale të dy ish ministrave.
I menjëhershëm reagimi i ish ministrit Prifti lidhur me raportin e ekspertëve shqiptarë, që e konsideruan videon “Meta -Prifti” si jo origjinale: “Ekspertët gënjejnë kur thonë se ora-kamera e dorëzuar nga unë nuk ka kryer regjistrimin. Të paktën dy shtete e dinë të vërtetën, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar, sepse 2 nga ekspertet më të mirë të tyre kanë vërtetuar origjinalitetin dhe paprekshmërinë e videos. Ekspertët shqiptarë, nga paaftësia apo korrupsioni, dëmtojnë Shqipërinë para gjithë botës demokratike që na monitoron”.
Videoja e skandalit Meta-Prifti