I dorëzohen drejtësisë shqiptare, Altin Belulaj dhe Cukal Delija, dy nga organizatorët e udhëtimit klandestin fatkeq të 9 janarit 2004 nga Vlora drejt brigjeve italiane në të cilin humbën jetën 21 persona
Romë, 4 korrik 2012 – Dy shqiptarë të shpallur në kërkim ndërkombëtar, Altin Belulaj, 32 vjeç, nga Vlora, dhe Cukal Delija, 43 vjeç, nga Shkodra u ekstraduan me 3 korrik nga Italia në Shqipëri.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë e ka dënuar shtetasin Altin Belulaj me 20 vjet burg, për kryerjen e veprës penale të “Kalimit të paligjshëm të kufirit” dhe “Dhënie ndihme për kalim të paligjshëm kufiri”.
Altin Belulaj u kap në Romë, më 11 nëntor 2011. E kishte gjetur mënyrën për të qëndruar në Itali pa kaluar nëpër zyra konsullatash për vizë apo nëpër zyra komisariatesh për leje qëndrimi. Dokumentet e rreme që u ka treguar karabinierëve, kartë identiteti dhe patentë, ishin rumune, me emrin Florin Dorel Munteanu.
Po ashtu, Cukal Delija është dënuar me 15 vjet burg, për kryerjen e veprës penale të “Dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”.
Cukal Delija u arrestua më 7 mars të këtij viti në Udine ku sipas tij kishte shkuar prej pak kohësh në kërkim të punës.
Që të dy janë shpallur fajtorë pasi në bashkëpunim me shtetas të tjerë, kanë organizuar trafik të paligjshëm të qenieve njerëzore duke iu premtuar personave të ndryshëm kalimin në Itali kundrejt shumës 1500 euro për person.
Tragjedia për të cilën janë përgjegjës është ajo e 9 janarit 2004, kur një gomone me 36 persona në bord, e nisur nga Vlora drejt Italisë, është përmbysur pranë gadishullit të Karaburunit dhe si rrjedhojë 21 persona kanë gjetur vdekjen.
Në aeroportin e Rinasit Belulaj dhe Delija u janë dorëzuar përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.