Veçanërisht përpjekjet për lidhjen e marrëveshjeve dypalëshe për pensionet duhen bërë nga të gjithë faktorët shtetërorë, shoqërorë dhe politikë, në mënyrë që dhe qytetarët shqiptarë të kenë mundësinë e marrjes së pensionit.
Dhe nuk bëhet fjalë për një numër të kufizuar qytetarësh, por për 1/3 e shtetasve shqiptarë që është jashtë vendit. Dhe nuk bëhet fjalë për luks, por për bukën e gojës së tyre.
Nga Naim Balluku, zëvendëspresident i patronatit INAS Albania
Emigracionit shqiptar në Itali filloi në vitet ’90 dhe përkon me fundin e sundimit të gjatë komunist gjatë të cilit ai ishte mohuar. Me shpërbërjen e ndërmarrjeve shtetërore e kooperativave bujqësore, emigracioni shërbeu si një valvul, për të amortizuar në mënyrë të ndjeshme problemet e mëdha social-ekonomike të vëndit. Aktualisht, emigracioni shqiptar është sa 1/3 e popullsisë së regjistruar në regjistrin kombëtar, ku peshën kryesore e zënë shqiptarët e emigruar në Greqi dhe Itali.
Edhe mbas viteve 2000, ky emigracion ka vazhduar, por pa ato dyndjet e viteve ‘90. Edhe në vitet 2000 ka ekzistuar emigracioni klandestin, por pjesa më e madhe e emigrantëve kanë shkuar si rezultat i lëvizjeve të rregullta, si bashkim familiar, punësim, përfitim shtetësie etj.
Aktualisht, në Itali, ky emigracion është i dyti ndër komunitetet e tjera të huaja. Me shtesën e numrit të bashkimeve familiare është rritur dhe procesi i stabilizimit, që e ka kthyer atë nga një emigracion i përkohshëm në emigracion të qëndrueshëm.
Veçoritë social-demografike të komunitetit shqiptar në Itali janë:
– Shqiptarët përfaqësojnë komunitetin e dytë ndër qytetarët jokomunitarë me qëndrim të rregullt në Itali.
– Emigrantët shqiptarë duke filluar nga data 1.1.2013, janë në një numër 497.761, e barabartë me 13,2% të totalit të emigracionit nga qytetarët jokomunitarë me qëndrim të rregullt në Itali. Aktualisht ky numër i ka kaluar 500 mijë.
– 52,6% të qytetarëve me origjinë shqiptare janë burra, ndërsa prania e femrave është në 47,4%.
– Zonat ku kemi një përqendrim më të madh të emigracionit shqiptarë është Italia e veriut, ku ndodhen rreth 61,8% të komunitetit. 27,2% jetojnë në zonat qendrore, 9,7 në jug të Italisë dhe 1,3 në ishuj.
– Kanë një moshë mesatare të re prej 30,5 vite që është moshë më e ulët se mesatarje e emigracionit në përgjithësi, e cila është 31,7. Emigracioni shqiptar karakterizohet me një moshë më të lartë të të miturve dhe të rinjve deri në moshën 29 vjeç. Kështu 27,5% e qytetarëve shqiptarë në Itali, nuk janë më shumë se 17 vjeç (mesatarja e komuniteteve tjerë këtë moshë në kanë është në masën 24,1%), 11,5% është me moshë nga 17 deri 24 vjeç (mesatarja e komuniteteve të tjerë është 9,3%) dhe 11,4% është me moshë 25 deri 29 vjeç.
– Nxënës e studentë me origjinë shqiptare të regjistruar në vitin shkollor 2012/2013 kanë qënë 104.710.
– Familja paraqitet si motivi kryesor i pranisë në Itali: 53% e qytetarëve shqiptarë me leje qendrimi të rregullt janë mbajtës të një lejeje për motive familiare. Lejet e qëndrimit për punë përfaqësojnë 43% të të gjithave.
– 66% e qytetarëve shqiptarë kanë një leje qëndrimi afatgjatë, përqindje që është mbi mbi 10 pikë më e lartë se ajo e të gjithë qytetarëve jokomunitarë (54,3% e të gjithë të huajve me qëndrim të rregullt në Itali kanë leje qëndrimi afatgjatë).
Pjesëmarrja në tregun e punës
– Në Itali popullsia me shtetësi shqiptare, me një moshë mbi 15 vjeç, pra në një moshë për punësim është 465.075 qytetarë. Nga kjo masë popullsie janë të punësuar vetëm 50% e saj, krahasuar me 57,6% e të gjitha komuniteteve të huaja mbi 15 vjeç. gjithnjë për shqiptarët në Itali mbi 15 vjeç, rreth 11,5% përbëhet nga ata që janë punëkërkues, ndërsa 38,5% është një kuotë inaktive, të cilët nuk kanë zhvilluar asnjë orë punë në javë.
– Papunësia për shqiptarët ka arritur në një shifër të konsiderueshme prej18,8%, duke e tejkaluar atë të mesatares së komuniteteve të tjerë jokomunitarë, që është në masën 14,5%.
– Fushat kryesore të punësimit për punonjësit me origjinë shqiptare janë industria 27,4%, ku ndërtimi zë 20,4%, bujqësia 23,3% dhe shërbimet 49,3%. Duhet evidentuar se janë pjesëmarrës në tregun e punës punonjës autonomë (të vetëpunësuar), ku një pjesë e tyre janë punëdhënës, të cilët kapin një numër prej 30.477 personash.
– Më shumë se gjysma e punonjësve shqiptarë merr një të ardhur mujore më të madhe se 1.000 euro, vlerë më e madhe se kuota mesatare e qytetarëve të tjerë të Evropës.
Emigrantët, të përjashtuarit e pensioneve
Kriza ekonomike e pranishme në Evropë dhe mjaft e thellë si në Itali dhe sidomos në Greqi, ka bërë që një pjesë e mirë e emigrantëve shqiptarë të humbin vendet e punës. Këtë e tregon fakti se ndërsa niveli i papunësisë në Itali është aktualisht 12,8%, niveli i papunësisë për emigrantët shqiptarë është mbi 18,8%. Më i lartë është ky nivel për gratë, në një masë prej 19,7%. Për të rinjtë në moshë nga 15 deri 24 vjeç, niveli i papunësisë është tepër i lartë dhe kap shifrën prej 43%.
Po kështu niveli i papunësisë në Greqi është shumë më i lartë se në Itali, arrin në një masë prej 27,6 %, duke qenë kështu edhe më i larti në Evropë.
Padyshim, pasojat e krizës ekonomike dhe të papunësisë, kanë një kosto jo të lehtë për emigrantët tanë. Sikurse u theksua, në kushtet e një krize ekonomike në të gjithë sektorët, pa dyshim më të prekurit dhe më të rrezikuar janë emigrantët.
Pasojat e krizës për emigracionin shqiptar ndihen:
Së pari, duke humbur vendet e punës, përkeqësohen së tepërmi problemet sociale të tyre, duke i përballur ata me pamundësinë e jetesës.
Së dyti, duke mos përballuar jetesën në vendet ku janë rezidentë, një nga drejtimet e mbijetesës është kthimi në Shqipëri, ku përballen me vështirësi shumë të mëdha. Në këto kushte, ku dhe në Shqipëri ndihen dukshëm efektet e krizës, tregu i punës nuk mundet të absorbojë një numër të madh forca pune.
Së treti, në këtë kuadër në vështirësi të mëdha janë dhe femijët e tyre, që kanë frekuentuar shkolla në vendet ku kanë qenë, dhe nuk janë familjarizuar me sistemin tonë arsimor, ose nuk e dijnë mirë gjuhën shqipe.
Së katërti, problem është strehimi, duke patur parasysh se një pjesë e mirë e emigrantëve i kanë shitur banesat.
Së pesti, papunësia ka pasoja sociale për të sotmen dhe të nesërmen. Themi për të nesërmen, mbasi duke mos qenë në marrëdhenie pune, rritet pamundësia për të plotësuar vjetërsinë e punës që kërkohet për të përfituar pension.
Problemet me sigurimet shoqërore të emigranteve
Para së gjithash, është e nevojshme të theksojmë se mungesa e një marrëveshjeje dypalëshe ndërmjet dy vendeve, bën që si Italia, Greqia, dhe vendet e tjera, ashtu dhe Shqipëria, të zbatojnë legjislacionin respektiv në fushën e sigurimeve shoqërore, bazuar në kontributet e derdhura në secilin vend dhe në kërkesat përkatëse për përfimin e pensionit.
Sistemi i sigurimeve shoqërore italiane, përcakton se gjatë gjithë jetës të aktivitetit të punës, në cilësinë e të punësuarit dhe të të vetëpunësuarit, punonjësit derdhin kontribute për të ushqyer fondin e pensioneve publike. Me këto fonde jepen tre tipe pensionesh, pensione invaliditeti, të pleqërise dhe pension familjar. Më të zakonshmet janë pensionet e pleqërisë. Duke qenë një emigracion i ri, Imigrantët shqiptarë, e kanë të vështirë për të plotësuar kushtet për pension në vendet fqinje, dhe po ashtu dhe në Shqipëri.
Më në detaje: bazuar në legjislacionin Italian dhe grek, për të përfituar një pension, krahas vjetërsisë kontributive në punë, e cila aktualisht është në proces zgjatjeje, kërkohen 20 vite vjetërsi kontributive, të cilat llogariten me javë të punuara. Por duhet të kemi parasysh se emigracioni ynë është i ri dhe janë të rralle ato raste të plotësimit të këtyre kushteve, e kështu rrjedhimisht emigrantët shqiptarë që plotësojnë moshën privohen nga përfitimi i pensionit.
Bazuar në legjislacionin shqiptar, për t’u përfshirë në kushtet e pensionit qoftë dhe të pjesshëm, është e domosdoshme një vjetërsi kontributive jo më pak se 15 vite. Kjo vjetërsi kontributive, në shumë raste është e paarritshme, por edhe nëse plotësohet, të ardhurat që përfitohen prej saj janë aq minimale, sa nuk mund të mendohet që pensionisti të përballojë jetesën.
Emigracioni shqiptar është relativisht shumë më i ri se ai i vendeve të tjera jokomunitare të Evropës dhe të vendeve të tjera joevropiane. Por një pjesë e mirë e emigrantëve ka punuar në Shqipëri, duke pasur një vjetërsi pune kontributive në ish ndërmarrjet shtetërore apo kooperativat bujqësore, apo dhe në bizneset private. Në kushtet e këtij emigracioni, tepër të madh krahasuar me popullsinë, vjetërsia kontributive e tyre është e ndarë në 2 pjesë; vjetërsi kontributive në Shqipëri dhe vjetërsi kontributive në shtetin ku janë rezidentë.
Po të marrim në mënyre hipotetike që një emigrant shqiptar, në Shqipëri ka një vjetërsi pune prej 14 vitesh dhe në Itali 19 vite, pra gjithsej ka punuar për 33 vjet, ky person nuk përfiton pension as në Shqipëri, as në Itali.
Duke qenë në kushtet e një shteti, ku numri i emigranteve është shumë i madh (Itali dhe Greqi) dhe ende nuk ka një marrëveshje bilaterale për njohjen respektive të vjetërsisë kontributive në të dy vendet, emigrantët shqiptarë ndihen të diskriminuar, mbasi pjesa më e madhe e tyre, privohen nga përfitimi i pensioneve, duke mbetur pa mjete jetese, kur plotësojnë moshën për pension. Këtë e shpjegon fakti, se megjithëse emigracioni në Itali, është në një masë rreth 500 mijë shtetas shqiptarë, numri i pensionistëve, është tepër i vogël, krahasuar me komunitetet tjera. Thënë më thjeshtë, numri i vogël i pensioneve të komunitetit shqiptar në Itali, shpjegohet me faktin e pamundësisë së këtij komuniteti për të kompletuar vjetërsinë prej 20 vitesh, për t’u përfshirë në kushte pensioni. Kështu, nga rreth 30 mijë emigrantë shqiptarë të moshës së tretë, vetëm 1.921 persona trajtohen me pensione në Itali. Në këtë kuadër, qeverive të vendeve fqinje u intereson, që të lënë pa pagesa për pension shtetasit shqiptarë, se sa të paguajnë një faturë financiare, dhe aq më tepër në kohë krize. Në këtë mënyrë zhvleftësohet djersa dhe mundi i emigrantëve dhe kontributi që kanë dhënë në ekonominë e këtyre vendeve dhe shpesh dhe në Shqipëri.
Integrimi i plotë në BE, krahas të drejtave që do të ketë si Vend anëtar i kësaj bashkësie, i jep të drejtën Shqiperisë, dhe detyrimin shteteve të BE, për lidhjen e marrëveshjeve dypalëshe për unifikimin e periudhave kontributive reciproke me shtetet përkatëse të BE-së. Pra në këto kushte, do të krijohej mundësia për bashkimin e periudhave kontributive, dhe per t’u përfshirë në kushte pensioni. Për ta shpjeguar më thjesht; një emigrant shqiptar që ka një vjetërsi kontributive në Shqipëri prej 10 vitesh, dhe në Itali apo Greqi jo më pak se 10 vite, përfshihet në kushte pensioni, si në këto vende, ashtu dhe në Shqipëri, ku secili shtet do të japë reciprokisht pjesën e tij të pensionit.
Sa më shumë të vonohet ky proces, aq më e vështirë, për të mos thënë e pamundur, do të jetë përfitimi i pensioneve për një kontigjent shumë shumë të madh emigrantësh.
Lidhja e një marrëveshjeje të tillë me Belgjikën është një hap i mirë, mbasi u krye një praktikë e tillë me një vend të BE-së. Po kështu nisja e negociatave me Italinë është një hap në këtë drejtim, por që duhet vazhduar. Nga institucionet shtetërore, shoqërore dhe organizma të tjerë, llogaritë për përfitimet nga anëtarësimi në BE, nuk duhet të bëhen vetëm për favoret dhe financimet që do të kemi. Ato duhet të marrin në konsideratë ehe kushtet ekonomiko-sociale që u krijohen emigrantëve dhe sa më i largët të jetë anëtarësimi, për aq më shumë kohë ata do të privohen nga e drejta për përfitimin e pensionit, pra e bazës së jetesës së tyre në moshë të thyer.
Megjithatë, përderisa periudha deri në anëtarësimin në BE mund të jetë relativisht e gjatë, përpjekjet për lidhjen e marrëveshjeve bilaterale, duhen bërë nga të gjithë faktorët shtetërorë, shoqërorë dhe politikë, në mënyrë që dhe qytetarët shqiptarë, të trajtohen ashtu sikundër dhe qytetarët e tjerë evropianë.
Dhe nuk bëhet fjalë për një numër të kufizuar qytetarësh, por për 1/3 e shtetasve shqiptarë që është jashtë vendit. Dhe nuk bëhet fjalë për luks, por për bukën e gojës së tyre.