in

Emigrantët dhe pensionet e Invaliditetit në Shqipëri e Itali

Ashtu si pensioni i pleqërisë, edhe ai i invaliditetit është gjithnjë e më i vështirë për emigrantët, në mungesë të marrëveshjes dypalëshe mbi mbrojtjen sociale

 

Është fakt që një pjesë e konsiderueshme e emigrantëve shqiptarë, kanë vjetërsi kontributive për sigurimet shoqërore si në Shqipëri ashtu dhe në vendet ku kanë emigruar. Sipas statistikave, numri më i madh i emigracionit shqiptar është në dy vendet fqinjë, në Itali dhe Greqi. Fakti që emigrantët përgjithësisht janë të punësuar në punë të vështira, sjell si rrjedhojë ekspozimin e tyre ndaj sëmundjeve dhe aksidenteve në punë. Po kështu rritja e moshës për përfitimin e pensionit të pleqërisë e ka shtuar ndjeshëm numrin e invalidëve, mbasi me rritjen e moshës shtohet mundësia e sëmundjeve.

Mungesa e marrëveshjes bilaterale ndërmjet shtetit shqiptar dhe atij italian e grek, në shumë raste i privon emigrantët nga përfitimi i pensionit të invaliditetit, ngaqë nuk përmbushen kushtet e përcaktuara ligjore të shteteve respektive.

Bazuar në legjislacionin shqiptar, (Ligji 104/2014), për të përfituar pension invaliditeti në Shqipëri duhen përmbushur këto kushte :

Personi që bëhet i paaftë, merr pension invaliditeti, kur ka plotësuar periudhën minimale të sigurimit dhe për çdo arsye, veç aksidentit në punë ose sëmundjes profesionale. Ai e merr këtë pension kur bëhet i paaftë:

a) për çdo veprimtari ekonomike;

b) kur ka gjymtime të forta dhe dëmtime fizike (duke përfshirë verbimin).

Invaliditeti caktohet nga komisioni mjekësor i caktimit të aftësisë për punë (KMCAP) .

Në vendimin e tij shënohen shkaqet e invaliditetit, koha e fillimit të tij si dhe shkalla e humbjes së aftësisë në punë. Kundër vendimit të KMCAP-it të rrethit personi mund të ankohet në KMCAP-in epror pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore, vendimi i të cilit përsa i përket caktimit të aftësisë për punë është i formës së prerë.

Sipas shkallës së humbjes së aftësisë për punë, invaliditeti klasifikohet :

a. Invaliditet i pjesshëm, kur personi i siguruar humbet aftësinë për punë në profesionin apo punën e tij të fundit, por mund të kryejë punë të tjera sipas përcaktimit të vendimit të KMCAP-it;

b. Invaliditet i plotë, kur personi i siguruar bëhet i paaftë për çdo punë;

c. Invaliditet i plotë në kushtet e nevojës për kujdestari.

Në nenin 21 të ligjit 104/2014 përcaktohet: Periudha minimale e sigurimit për pension invaliditeti është sa 3/4 e diferencës së moshës së personit të siguruar në kohën që bëhet i paaftë dhe moshës 20 vjeç dhe në 5 vitet e fundit para lindjes së të drejtës të ketë së paku 12 muaj  sigurim shoqëror.

Personi që përfiton pension për invaliditet, kur plotëson moshën, ka të drejtë të kërkojë pension pleqërie, nëse ky do të jetë më i favorshëm për të.

Për të qartësuar kuptimin e periudhës së nevojëshme të sigurimit sipas përcaktimit “Periudha minimale e sigurimit për pension invaliditeti është sa 3/4 e diferencës së moshës së personit të siguruar në kohën që bëhet i paaftë dhe moshës 20 vjeç”, i referohemi një shembulli, kur një person është i moshë 60 vjeç. Atëherë periudha minimale kontributive e kërkuar për të përfituar pension të plotë do të jetë 60 – 20 = 40*3/4 =30 vite ( moshë minus 20 shumëzuar me ¾ ).

Në këtë mënyrë, sipas shembullit hipotetik që morëm, këtij personi i duhen gjithsej 30 vite për të përfituar pension invaliditeti të plotë, ndërsa për pension pleqërie do të duheshin për këtë vit 35 vite e 8 muaj. Në rastet kur nuk plotësohet kjo vjetërsi kontributive, atëherë përfitohet pension invliditeti i reduktuar proporcionalisht me vjetërsinë kontributive që ka.

Shuma e pensionit të invaliditetit të plotë llogaritet në të njëjtën mënyrë si pensioni i pleqërisë. Shuma e përgjithshme e pensionit nuk mund të jetë më e vogël se 75% e pagës minimale neto në shkallë vendi” (aktualisht paga minimale në shkallë vendi ëdhtë 22.000 lekë).

Po kështu në këtë ligj përcaktohet, se personit që përfiton të ardhura:

– kur ka nevojë për një kujdesje të vazhdueshme nga një person tjetër, sipas vendimit të Komisionit Mjekësor të Caktimit të Aftësisë për Punë (KMCAP), i jepet një pagesë shtesë prej 15 për qind të bazës së vlerësuar neto të vitit të fundit para lindjes së të drejtës;

– kur ka në ngarkim fëmijë deri në moshën 18 vjeç ose kur këta studiojnë apo janë të paaftë për punë deri në moshën 25 vjeç, përfitojnë një të ardhur shtesë familjare për çdo fëmijë në masën 5% të pensionit, por jo më shumë se 30 për qind.

Në këtë mënyrë për të përfituar pension invaliditeti në Shqipëri, personi, duhet të përmbushë kushte shëndetsore, që kanë të bëjnë më humbjen e aftësisë për punë dhe kushte ligjore që lidhen me vjetësinë kontributive. Në kushtet ligjore është dhe ai, i përcaktuar në nenin 21 të ligjit 104/2014, ku personi që aplikon për pension invaliditeti, në 5 vitet e fundit para lindjes së të drejtës të këtë së paku 12 muaj  sigurim shoqëror.

Duke qenë se një pjesë e mirë e emigrantëve nuk kanë mundësi ta plotësojnë këtë kusht, si pasojë e mungesës së prezencës në Shqipëri, pavarësisht se  mund të kenë vjetërsi kontributive në Shqipëri me 20 vite e më shumë, nuk e plotësojnë kushtin sipas këtij neni. Në këtë mënyrë këta emigrantë mbeten pa pension invaliditeti e rjedhimisht pa të ardhura për përballimin e jetesës, aq më tepër që në kushte të rënduara fizike dhe sëmundjeve, jetesa bëhet edhe më e shtrenjtë.

Po kështu për të përfituar pension invaliditeti në Itali, krahas kushteve të gjendjes shëndetsore, kërkohet që personi që aplikon, të ketë të paktën 260 kontribute javore (pesë vjet kontribute dhe sigurime shoqërore), nga të cilat 156 (tre vjet kontribute me sigurime shoqërore) në pesë vitet e para datës së aplikimit.

Në kushtet e krizës ekonomike në Itali, ashtu sikurse dihet, u rrit ndjeshëm papunësia, ku përqindja më e lartë rezulton për emigrantët, dhe rrjedhimisht plotësimi i këtij kushti vështirësohet së tepërmi.

Sikurse mund të gjykohet emigrantët duke patur vjetërsi kontributive në të dy shtetet dhe duke mos plotësuar kushtet për pension invliditeti, sipas ligjeve respektive në të dy vendet, mbeten pa të ardhura, në kohën kur janë aq nevojtarë, për të përballuar sëmundjen.

Marrë në konsideratë sa më lart, është e domosdoshme që përkundrejt këtij fenomeni duhet të jemi shumë të ndjeshëm. Sepse nuk bëhet fjalë për raste sporadike, por e një dukurie në rritje. Jemi një vend ku emigracioni zë një masë afërsisht të barabartë me 1/3 e popullsisë të rregjistruar, dhe ndjeshmëria ndaj emigracionit duhet të jetë më e lartë, jo vetëm për kontributin që ka dhënë ky emigracion në jetën social – ekonomike të vendit, por dhe si detyrim që ka çdo shoqëri, e veçanërisht organizmat shtetërore për mbështetjen e tij.

Në këtë kuadër, mendoj se është e domosdoshme përmirësimi i bazës ligjore, për të bërë të mundur përfshirjen e emigracionit, në përfitimet sociale.

Dhe nuk bëhet fjalë për kërkesa luksi, por për të ardhura minimale për mbijetesë.

Përgatitur nga Naim Balluku, zëvendëspresident i patronatit INAS Albania

 

“Sei una merda”, il controllore insulta ripetutamente l’immigrato senza biglietto VIDEO

Arrihet marrëveshja për reformën në drejtësi