Nga Artan Mullaj
Vërdallosja e emigrantëve për karta identiteti në të vërtetë nuk duket të jetë thjesht vetëm pasojë e një fantazie të djallëzuar të administratës sonë, që zakonisht lumturohet me shtimin e problemeve të qytetarëve, po aq sa ngazëllehet me vështirësitë në rritje të jetës së tyre. Disiplina e munguar e autoriteteve në këtë rast nuk është as vetëm pasojë e paaftësisë së saj, ashtu si nuk është vetëm çështje racizmi shpërdorimi i pabesueshëm i dinjitetit të emigrantëve tanë në dogana, ku ndëshkohen me pritje të gjata ankthi për asgjë. Nganjëherë duket sikur është edhe tjetër gjë. Të ndëshkosh ata që ndihmojnë dhe që dinë të sillen aq mirë me këtë vend, ku vështirë se ekziston harmonia, dhe të shpërdorosh një besim, siç është dashamirësia e emigrantëve, për besimin e paqenë të të tjerëve, siç është vëmendja e sinqertë publike për ta, do të thotë të funksionosh pabesisht dhe është diçka që i kalon xhelozisht kufijtë e sarkazmës, dhe që mund të supozohet si një krim kolektiv për pjesën tjetër të vetes, atë më të mirën. Sepse askush nuk mund të thotë sot se emigrantët shqiptarë, ndonëse të perceptuar e persekutuar si “Jorgo” dhe si “xanxiki” (të paktën ata të Greqisë), nuk janë komuniteti që meriton krenarinë edhe të gjitha medaljet, pasi të gjithë jemi në një mendje se ata janë klasa shpëtimtare më e civilizuar, më e kulturuar e shqiptarëve, dhe çasti i tyre është një moment dinjiteti, ku mund të gjesh lehtësisht jetë të suksesshme dhe një lob të fuqishëm në diasporë me pasuri të mëdha, të cilat ndryshe nga realiteti në Shqipëri, janë edhe të ndershme.
Dhe prapë ata persekutohen në vendin e tyre, sipas një logjike që vështirë të shpjegohet.
Vërdallosja e emigrantëve dhe moskokëçarja analoge e autoriteteve është një lajm rutinë që ashtu si edhe më parë nuk ka provokuar vëmendje të fortë publike. Është thjesht një lajm, jo një problem, derisa nuk ka as vullnet, as solidaritet, për ta zgjidhur. Por duket se edhe emigrantët kanë zënë kallo prej befasisë së përsëritur nga mosmirënjohja dhe indiferenca kombëtare për problemet e tyre, të cilat nuk janë vetëm radhët nëpër dogana dhe radhët nëpër sportele. Dhe në të njëjtën mënyrë, ata janë ambientuar dhe nuk surprizohen më as nga dinakëritë elektorale të politikanëve, as nga politika e tyre e shëmtuar, që ka një shqisë për ata, vetëm kur afrojnë fushatat elektorale.
Në këtë mënyrë, i ndikuar nga një absurditet i tmerrshëm, që vjen nga shpërfillja spektakolare për ta, komuniteti turist i emigrantëve sot ngjan përsëri i penduar, i tërhequr në qoshe, gjakftohtë. I penduar për pendimet e së shkuarës dhe për premtimin e pambajtur për të mos shkelur kurrë në këtë vend, që e duan vetëm sepse është vendi i tyre dhe që prej vitesh e mbajnë në kurriz, për të njëjtën arsye, duke dërguar lumë djersën e punës së tyre dhe gjakun e racizmit ndaj tyre, për ta shpëtuar atë nga krizat ekonomike dhe krizat e vetëdijes.
Mes lajmeve të frikshme të ditës, me shumë aksidente dhe bëma kriminelësh, ku duket sikur krimi udhëheq të gjitha perceptimet e opinionit dhe ndikon fantazitë e dëshpëruara, emigrantët tanë janë ata që rrisin statistikat e turizmit të dhimbshëm shqiptar, që nuk është turizëm, por një mall njerëzor të penduarish dhe të zhgënjyerish.
Sipas lajmeve të ditës duket që emigrantët tanë edhe këtë herë janë duke e paguar shtrenjtë përmallimin, dashurinë dhe pushimet e trazuara në Shqipëri nga lajmet e këqija të kronikave të zeza. Sepse lajme të mira nuk ka në këtë vend, çfarëdo që të thuhet, as për ata dhe as për njerëzit e tyre, dhe sukseset nuk ekzistojnë, pavarësisht propagandave qeveritare. Shumë prej tyre janë viktima të katrahurës rrugore me rritje trafiku, me sinjalistikë të munguar, dhe aksidente të shtuara, që ndodhin për shkaqe që vetëm sa njihen dhe konstatohen nga autoritetet. Atyre iu duhet të jenë dëshmitarë dhe viktima situatash që ndodhin rrallë në vendet ku jetojnë, në Perëndim. Aksidentet e shtuara të emigrantëve nëpër rrugët nacionale vetëm sa shtojnë makthin e tyre turistik, njëlloj si radhët tradicionale të ferrit, nëpër dogana andej edhe këtej kufirit, për të cilat askush nuk flet e e nuk çirret asnjëherë, dhe njëlloj si radhët e reja të ferrit të ri nëpër sportelet publike ku aplikohet për kalitje durimi, për karta identiteti dhe pasaportat e famshme biometrike.
Bri këtij realiteti me emigrantë të mërzitur, me aksidente në rrugë, me aventura kriminelësh që sfidojnë Policinë e Shtetit dhe sfidojnë gjithashtu vlerën e jetës në mes të ditës, sfidojnë edhe moralin e shtetit dhe gjithë manipulimet që ky shtet bën për ta përmasuar me optimizëm atë, politika është shpërndarë si mjegull mes ditëve të verës.
Përveç shkëmbimeve sporadike të deklaratave të dorës së dytë mes forcave politike, që duken si dhallë e holluar pas shijes së thartë që la beteja elektorale, dhe përveç sfidave fizike të përsëritura të kryeministrit, (që i ka gjunjëzuar të gjithë kundërshtarët e lindur në bregdet), ndodhive kalimtare në bastione i ka munguar magjia që i shndërron përplasjet e tyre në lajme dhe emocione, dhe i shndërron ato në ushqim shpirtëror. Por ndërkaq, mes këtyre gërr-mëreve, asnjë prononcim qoftë edhe sureal nga eksponentë autoritarë për emigrantët, për radhët e turpit dhe vërdallosjet e sarkazmës, që po i detyron njerëzit tanë të lenë në mes pushimet e të ikin njëherë e mirë nga ky vend që nuk korrigjohet dhe është edhe për të qeshur, edhe për të qarë.
Të vetmet armë, uria instiktive e shqiptarëve spektatorë për ngjarje të mëdha dhe ndryshime të mëdha, dhe kureshtja mbështetëse e tyre për lajme të forta, për politikë të fortë dhe përplasje spektakolare, nuk kanë pushtet, dhe nuk kanë mjaftueshmëri publike as për të ndihmuar problemet e tyre dhe problemet sfilitëse të emigrantëve, as për t’i ngritur ato në nivelin e vëmendjes së nevojshme të pushtetit, që do të mundësonte zgjidhje dhe dashamirësi, dhe ngaqë janë njëlloj të braktisur edhe ata në hallet e tyre njëlloj si të tjerët jashtë Shqipërisë, s’iu mbetet veç të durojnë me emigrantët në kolektivitet mungesën e shpresës dhe të shpresojnë.
Bota shqiptare 219 – 1 shtator 2009