Thuajse gjysmë milioni emigrantësh rezultojnë të regjistruar në zyrat e Gjendjes Civile të Krahinës, dhe janë rritur krahasuar me një vit më parë me 9,45%. Shqiptarët me 58.735 vetë përbëjnë komunitetin e tretë të të huajve rezidentë
Bolonjë 29 qershor 2010 – Më 1 janar 2010, të huajt rezidentë në Emilia Romagna janë 462.480 ose e thënë në shifra relative, përbëjnë 10,53% të popullsisë së krahinës (4.395.606 banorë). Çdo dhjetë vetë, një është i huaj. Këtë thotë raporti vjetor i Shërbimit të kontrollit strategjik e i statistikës së Krahinës. Një prani e re, me moshë mesatare 31 vjeç, dhe me përbërje femërore gjithnjë në rritje, madje për mosha të caktuar, më të shumta në numër se meshkujt.
Kundrejt vitit 2009 numri i të huajve është shtuar me 40 mijë persona, ose me +9,45%, rritje që sidoqoftë është më e ulët nga ajo e regjistruar dy vitet pararendëse (+15,2% në 2009 dhe +15% në 2008). Rritja e numrit të përgjithshëm të rezidentëve të krahinës më 1 janar 2010 me 39.439 është tërësisht e lidhur me rritjen e numrit të të huajve që për më tepër kompenson edhe reduktimin e lehtë (-506 vetë) të rezidentëve me shtetësi italiane.
Shqiptarët 58.735 vetë, janë komuniteti i tretë i të huajve i pranishëm në krahinë, pas marokenëve 67.502 vetë dhe rumunëve 60.673 vetë. Shqiptarët janë rritur me +7,2% në krahasim me një vit më parë dhe përbëjnë sot 1,33% të të gjithë banorëve: praktikisht çdo 75 emiliano-romanjolë, 1 është shqiptar.
Mosha mesatare e të huajve rezidentë në krahinë është 31 vjeç kundrejt moshës mesatare të të gjithë banorëve që është 45. Një e treta e rezidentëve të huaj është nën 25 vjeç, 23% është në moshë të mitur.
Ndër të gjithë të huajt rezidentë, gratë përbëjnë 50,7%. Krahasuar me një vit më parë, numri i tyre është rritur me 10,9% ndërsa ai i meshkujve me vetëm 8%. Raporti meshkuj/femra është 97 meshkuj për 100 femra, kur një vit më parë ishte 99,7%. Ky raport priret t’i afrohet gjithnjë e më shumë atij të popullsisë së përgjithshme të krahinës që është 94,5%.
“Të dhënat flasin qartë se e jona është tashmë shoqëri multietnike: për Emilia Romagnan ky është një realitet tashmë i konsoliduar – ka komentuar shifrat aksesorja e Krahinës për politikat sociale dhe imigracionin, Teresa Marzocchi – Kemi përballë persona me qëndrim të rregullt, me fëmijë që ndjekin shkollat. Është domethënëse rritja e numrit të pranive me moshë të re dhe e numrit të grave. Këto janë të dhëna të rëndësishme sepse dëshmojnë që këtu imigracioni është një dukuri e strukturuar mirë. Është detyrë e jona që të mbështesim dhe të mbrojmë këtë përbërëse të shoqërisë, veçanërisht familjet me bij të lindur këtu. Duke konfirmuar përparësinë që Krahina i ka vënë vetes: të punojmë të gjithë bashkë për të përforcuar integrimin e për të garantuar shërbimet e ndryshme në respekt të plotë të ligjit, të të drejtave dhe të detyrimeve të të gjithëve”.