Më 20 shkurt u mbushën 21 vjet nga rrëzimi i bustit të Enverit në sheshin Skënderbeu në Tiranë. Shqipëria e sotme është vallë ajo e dëshiruara nga ata të rinj që i vunë lakun në fyt statujës dhe e hodhën poshtë? Ja një shkrim nga Bardhyl Matraxhiu i para nëntë vjetëve, që duket si të ishte shkruar sot
Dymbëdhjetë vjet që nga dita e rrëzimit të bustit të diktatorit Hoxha nuk janë shumë për tu shkëputur nga një epokë dhjetëra vjeçare diktature nga më të egrat, por nuk janë edhe pak për të gjykuar ku jemi e ç’bëjmë. Sot duket se ajo që na frymëzoi dhe na nxiti në ato ditë të ftohta të Shkurtit 91’ është shumë larg. Më tepër se kurrë njerëzit po vuajnë jo vetëm ekonomikisht, por edhe psikologjikisht pasojat e një sistemi të çuditshëm, që na ekzistuaka vetëm në Shqipëri dhe që na u quajtka tranzicion. S’ kemi drita, s’ka gjë jemi në tranzicion. Paguajmë fatura nga më të lartat, jemi në demokraci dhe u themi njerëzve se kështu i ka dhe perëndimi. Kemi paga nga nja dhjetë herë më të ulëta se perëndimi, s’ka gjë, duhet të durojmë jemi në tranzicion. Kemi çmime të sendeve të konsumit më të lartat në Evropë atëherë u themi njerëzve kështu i ka dhe perëndimi d.m.th. demokracia. Kështu njeriu i thjeshtë, Ai, rrëzuesi i vërtetë i bustit e diktaturës e ndien veten të zhgënjyer e të pashpresë, aq më tepër kur në vend të të mirave të demokracisë perëndimore sheh përditë vetëm plagët e të metat e saj, prostitucion, drogë dhe një rritje të llahtarshme të kriminalitetit. Shikon gjatë trembëdhjetë vjetëve partiakë a ministra që hanë fasule dhe si me magji në mëngjes, kur na gdhihen pushtetarë bëhen kapitalistë dhe harxhojnë në një natë në Rogner aq sa një pensionist e merr në një vit. Në cilën demokraci ndodh kjo!
Dhe Ai, rrëzuesi i bustit e ndien veten të mashtruar më tepër se sa të uritur. Për gjithçka të keqe i thuhet se është tranzicion, se vendi ka hyrë në mënyrë të pakthyeshme në rrugën e integrimit në Evropën e bashkuar, në strukturat evroatlantike etj. Shkurt njeriut të sotëm pas mbi një dekadë demokracie pluraliste i kërkohen sakrifica në emër të ndërtimit të një shoqërie të re demokratike, siç i kërkohej dikur të vuante në emër të ndërtimit të një shoqërie të re socialiste.
Po sa jetë ka Ai, njeriu i thjeshtë, që t’i kalojë me privacione e mjerim në emër të një të ardhme të lumtur! Ka vetëm një. Kështu Ai e ndien që ia kanë futur keq. I kaloi këto vite mitingjeve e demonstratave, nën grykat e snajperëve dhe nën shkopinjtë e gomës dhe këtë “të ardhme të lumtur nuk e shikon aspak në horizont. Atëherë njëlloj si në vitet 90’ bashkohet me ata që iknin vaporëve, borës së kufijve, që mësynin dyert e ambasadave nën moton e shprehur e të pashprehur: “Shqipëra nuk bëhet më”. Është e kotë të argumentojmë, se gjithkush e ndjen ose e kupton se numri i njerëzve që kanë humbur besimin te politika e sotme dhe kanë pasiguri për të ardhmen është në rritje. Kriza e sotme për njeriun e thjeshtë është më tepër krizë besimi. hoqën Enverin prej bronzi, por paskëshin qenë qindra enverucë prej mishi e gjaku.
Ndërkaq ata nostalgjikët, “të pandryshueshmit”, siç i quajnë nëpër familje, “të pandreqshmit”, sikundër i quajnë në politikë, fërkojnë duart e ngazëllehen haptas. Megjithëse vuajnë nga të njëjtat privacione si të tjerët, ata duket sikur gëzohen. Aha, domethënë e patë dhe demokracinë dhe me të vërtetë a shaka thonë: “Ah Enver, të ishe gjallë!”. Çdo dështim, çdo zhgënjim atyre u shton shpresën, por më kot, procesi është me të vërtetë i pakthyeshëm. Këtë e kuptojnë dhe ata vetë, por ja që për shumë arsye nuk heqin dorë nga e tyrja. Po në qoftë se në shkurt të 91’ shumë prej tyre vringëllinin armët mitingjeve, tashmë nuk përbëjnë më rrezik. Në fund të fundit e keqja nuk na vjen prej tyre. Nostalgjikët, dhe nostalgjia për të vjetrën janë fenomene të natyrshme dhe gjallojnë gjithmonë në kapërcyell epokash.
E keqja na ka ardhur e na vjen gjatë këtyre viteve nga ata politikanë kodoshë që të emëruar po nga klane të vjetra morën përsipër ta drejtojnë Shqipërinë, duke u vetëquajtur dhe “klasë e re politike”, por që e kuptojnë shtetin demokratik si një lopë që mund ta mjelin pa pyetur për askënd. Na vjen nga ata dhjetëra enverë të vegjël prej mishi e gjaku që e përdorin ligjin si shkop vetëm kundër atyre që i pengojnë në mbajtjen e pushtetit, dhe asnjëherë kundër vetes dhe atyre që shkelin ligjin. Është e qartë që procesi historik është i pakthyeshëm, por politikat a qeveritë e ndryshme mund ta pengojnë këtë proces, mund të ecin në një ritëm me të, ose ta shpejtojnë atë. Kam mendimin se që nga shkurti i 91-it, politikanët në shumë raste dhe për shumë arsye më tepër e kanë penguar procesin e integrimit, se sa e kanë përshpejtuar atë. Është korrupsioni dhe mungesa e shtetit juridik që sjell arbitraritetin, dëshirën për ta mbajtur pushtetin me çdo kusht e pse jo dhe me vrasje politike e që na klonon çdo ditë disa Enverucë prej mishi e gjaku, në vend të atij prej bronzi që e hoqëm dymbëdhjetë vjet më parë.
Bardhyl Matraxhiu, shkurt 2003