Sopranoja shqiptare, në rolin e Cio-Cio-San në operan e famshme të Puccinit, Madama Butterfly, e ka përforcuar statusin e saj të yllit botëror të muzikës klasike duke merituar edhe fjalët më të mira të kritikës
Nga Fatjona Mejdini, BIRN
Sopranoja shqiptare Ermonela Jaho, në rolin e Cio-Cio-San në operan e famshme të Puccinit Madama Butterfly, ka tërhequr një valë vlerësimesh në Mbretërinë e Bashkuar ditët e fundit, ku gazetat e njohura e cilësuan performancën e saj si të jashtëzakonshme.
Gazeta The Guardian shkroi se ajo kishte “triumfuar” në rol. “Jaho është e përkryer për pjesën, me sy të zbrazët dhe të brishtë, të nxjerrë në pah nga makijazhi i bardhë, që nënvijëzojnë gjendjen e saj vulnerabël. Ajo këndon me aq shumë imagjinatë dhe ngjyrë vokale,” shkroi kritikja operistike e gazetës, Fiona Maddocks.
Artikulli i UK Independent tha se ajo ishte “Cio-Cio-San më e mirë që Londra ka parë në vite”. “Portretizimi i rolit nga sopranoja shqiptare Ermonela Jaho është i freskët dhe prekës, dhe ajo tregon thellësi të pasionit dhe vulnerablitet,” jehoi the Times.
Opera legjendare e kompozitorit italian Giacomo Puccini u vu në skenë në Operën Mbretërore të Londrës më 20 mars dhe biletat janë shitur tashmë për të gjitha datat deri më 10 prill.
Jaho nuk është vlerësuar vetëm në Britani. Media ndërkombëtare nga Australia në SHBA ka folur me superlativa ndërsa ka përshkruar rolin protagonist të artistes.
Shumë janë intriguar nga fakti që sopranoja 43-vjeçare është shqiptare, dhe Jaho ka dëshmuar se vendi i vogël me të shkuar komuniste, mund t’i japë operës një yll me përmasa botërore.
Jaho lindi në vitin 1974 dhe u rrit në Tiranën e periudhës Komuniste. Pasioni i saj për muzikën filloi që fëmijë, ndërsa dëgjonte dhe përpiqej të këndonte këngë popullore shqiptare.
Në një intervistë për televizionin TV Klan në 2012 ajo tha se e ka dëgjuar operën La Traviata për herë të parë vetëm në moshën 14-vjeçare në Tiranë, ndërsa përgatitej të studionte muzikë në liceun Jordan Misja.
“Kur, në aktin e fundit Violeta vdiq, qava sepse u preka jashtëzakonisht. I thashë tim vëllai: nuk do të vdes pa kënduar një herë Traviatën” kujtoi ajo.
Që nga ato ditë të largëta, ajo e ka luajtur Violetën e Traviatës në skenat ndërkombëtare më shumë se 240 herë, nga Viena në Londër e në Sidnej.
Ajo studioi në liceun e Tiranës dhe më pas në Akademinë e Arteve në 1993, ndërsa vendi po përpiqej të shpëtonte nga sistemi i vjetër politik dhe të kthehej në demokraci. Ajo fitoi një bursë dhe i përfundoi studimet për muzikë në akademinë Santa Cecilia në Romë.
Vitet e kaluara në Itali ajo i kujton si të bukura, por gjithashtu dhe kohë të vështira e ndonjëherë depresionuese, pjesërisht prej idesë se suksesi i një shqiptareje në operën italiane nuk i shkonte shumë për shtat profesorëve të saj apo të tjerëve.
“Fillimi ka qenë tepër, tepër i vështirë, sepse qe një botë tërësisht e panjohur për një 18-vjeçare si puna ime. Vija nga Shqipëria me ëndrrën për t’u bërë këngëtare me famë, për të kënduar në teatrot më të mëdhenj të botës. Por me vete kisha një bagazh jete shumë të ndryshëm, mundësi ekonomike në nivelin zero, me një idealizëm shumë të madh në një vend, ku idealizmi të udhëheq drejt e në shtëpinë e depresionit dhe zhgënjimit. Tërësisht e vetme. Duke e menduar tani, them se më ka shërbyer si shkollë jete dhe kam zbuluar tek vetja ime forcën, durimin, duke seleksionuar arsyet për të cilat ja vlen të jetosh e të humbasësh gjumin” është shprehur ajo për vitet e para në emigracion në një intervistë për Shqiptarin e Italisë të dhënë para ca kohëve.
Duke u ndier viktimë e paragjykimit dhe ndonjëherë edhe në vështirësi për të siguruar ushqim, ajo ia doli ta mbante ëndrrën gjallë. Puna e saj e lodhshme dhe talenti filluan t’i shpërbleheshin kur filloi karrierën profesionale në Itali dhe në moshën 23-vjeçare fitoi çmimin operistik Giacomo Puccini në Itali.
Shpejt pas kësaj, ajo fitoi konkurse të tjera në Itali dhe Europë ndërsa emri i saj u bë më i njohur në botën e operas europiane.
Ajo u zhvendos në Shtetet e Bashkuara në 2003 ku mundi të performojë në skenë në Nju Jork dhe Filadelfia.
Ndërkohë, ajo filloi të merrte famë ndërkombëtare dhe të performonte në të gjithë botën me program të ngjeshur. Ajo fitoi Çmimin Ndërkombëtar të Operës majin e shkuar.
Megjithatë lidhjet e saj me Shqipërinë mbeten të forta dhe ajo nuk humbet mundësinë të performojë në Tiranë ndërsa viziton familjen e saj.
Në shenjë që nuk e ka harruar atdheun, ajo thotë se planifikon të krijojë një shkollë të muzikës klasike në Tiranë një ditë. Ajo nuk e përjashton idenë e kthimit të përhershëm në vendin nga ku u largua 24 vite më parë.
Mbi Ermonela Jahon mund të lexoni edhe:
Ermonela Jaho fiton çmimin e publikut të International Opera Awards 2016
Ermonela Jaho vlerësohet me medalje nga kryeministri Rama
Ermonela Jaho kthehet në Tiranë me Madama Butterfly
Gli albanesi d’Italia cantano Verdi
Në La Scala, Manon është vetëm Ermonela Jaho
Violeta e Ermonela Jahos emocionon sërish Londrën
Violeta e Ermonela Jahos magjeps Stokholmin
Ermonela Jaho. Violeta shqiptare në 150 vjetorin e Italisë
Triumfi i Ermonelës