in

Ermonela Jaho{br}Violeta shqiptare në 150 vjetorin e Italisë

Në rolin e protagonistes së operës së Verdit, La Traviata, sopranoja Ermonela Jaho, triumfon në Arenën e Veronës dhe përgëzohet nga presidenti Napolitano

Romë, 20 qershor 2011 – “Një triumf i vërtetë”. Me këto fjalë shtypi italian ka përshkruar hapjen e sezonit të 89-të lirik të Arenës së Veronës me operën La Traviata të Giuseppe Verdit, të premten, më 17 qershor. E pjesë e këtij suksesi ishte padyshim Ermonela Jaho, sopranoja shqiptare në petkun e Violetës, e cila që me notat  e para mrekullon publikun dhe kritikën. “Një Ermonelë e fuqishme, në rolin e protagonistes, u tregua soprano me temperament të fortë dhe zë të admirueshëm”, shkruajnë për të gazetat, të nesërmen e premierës.

Ermonela e ka kurtizanen sensuale, të interpretuar për herë të parë në vitin 2005 në Operën e Marsejës, dhe së fundi në turne në Japoni me trupën e Royal Opera House Convent Garden të Londrës, një nga rolet e saj më të arrira. Ajo njihet në nivel ndërkombëtar si një nga interpretueset më të mira të këtij roli. “Është një nga personazhet që kam më shumë për zemër, sepse më jep mundësinë të shprehem më së miri” thotë ajo për shqiptariiitalise.com.

“Rolet e mija të preferuara janë pikërisht ato që kanë patos, dramë, në të cilat ndiej që jap maksimumin, qoftë me zë e qoftë me ndjenja e me shpirt. Mes titujve, përveç Traviatës, do të rendisja Madama Butterfly, Manon, Anna Bolena, Boheme, Don Carlos, Luisa Miller, Giulietta…”.

Por performanca në Arenën e Veronës të premten ishte vërtet e veçantë për të: “Natyrisht, në Itali ndihem si në shtëpinë time. Të hapja sezonin lirik në 150 vjetorin e Unitetit të Italisë, me presidentin Napolitano të pranishëm, me operën time të preferuar, ishte një çast i mrekullueshëm, emocionues dhe unik, jo vetëm nga ana profesionale por edhe humane. Madje në fund të spektaklit Presidenti erdhi e na takoi ne artistët. Do të më mbeten të pashlyera në zemër përgëzimet e tij, për zërin dhe italishten time të pastër që sipas tij, edhe pse në një hapësirë gjigante si arena,  kish arritur të kapte emocionin e çdo fjale”.

Sepse Ermonela, e lindur në Tiranë, ka ardhur në Itali që në vitin 1993, dhe këtu ka marrë krahët fluturimi i saj drejt skenave më prestigjioze të botës, mes të cilave Royal Opera House Covent Garden në Londër, Metropolitan Opera në New York, Bayerische Staatsoper  në  Munih, Staatsoper në Berlin, Teatro San Carlo në Napoli, l’Opernhaus në Cyrih, Opéra National në Lion, Teatri i Operës në Këln.

“Italia është atdheu im i dytë. Kam jetuar këtu një pjesë të mirë të jetës sime. Dua me gjithë zemër kulturën e mrekullueshme italiane dhe muzikën e këtij vendi, dhe sot ndihem pjesë e saj”.

Keti Biçoku

Angelina Jolie jep shenjat e gishtërinjve në Lampedusa

Ministrat e Jashtëm të BE-së dhe Ashton: “Të shqetësuar për Shqipërinë”