in

Familja e Konomit: “Gjeni fajtorët e vrasjes së familjarit tonë”

Familjarët e gjykatësit të vrarë, Skerdilajd Konomi i nisin letër presidentit, ministrit të Drejtësisë dhe nënkryetarit të KLD

Tiranë, 30 shtator 2011 – Me një letër të hapur drejtuar Presidentit të Republikës, ministrit të Drejtësisë dhe nënkryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, familja e gjykatësit Konomi të hedhur në erë në makinën e tij në qendër të Vlorës, kërkon që “fajtorët për këtë krim makabër  të vendosen përpara drejtësisë sa më parë” në mënyrë që të shpresojnë që “jeta dhe prona e familjarëve të tyre të mbrohen”. 

Duke kujtuar që procesi gjyqësor nis më 3 tetor ata u kërkojnë kreut të shtetit dhe krerëve të drejtësisë në Shqipëri të ushtrojnë të gjithë ndikimin e tyre  ai “të zhvillohet sa më i qetë, i rregullt dhe në përputhje të plotë me ligjin”. Dhe kjo jo vetëm për të mbrojtur pjesëtarët e familjes por edhe “trupin gjykues ndaj presioneve të mundshme”.

Ja letra e plotë e familjes:

Letër e Hapur
Drejtuar: Presidentit të Republikës Z. Bamir Topi, Ministrit të Drejtësisë, Z. Eduard Halimi dhe Nënkryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Z. Kreshnik Spahiu

Të nderuar përfaqësues të lartë të sistemit të drejtësisë,
Duke ju falënderuar për solidaritetin e shprehur ndaj familjes se gjykatësit Skerdilajd Konomi dhe për angazhimin publik kundër aktit të rëndë që i mori jetën djalit tonë, po ju drejtohemi në këto momente të vështira si përfaqësues dhe garantuesit më të lartë të sistemit të drejtësisë në Shqipëri.
Duke u nisur nga zotimi juaj se fajtorët për këtë krim makabër do të vendosen përpara drejtësisë sa më parë, ne shpresojmë që më në fund, jeta dhe prona e familjarëve tanë të mbrohen me forcën e ligjit që ju ka veshur me autoritet.
Për sa kohë që krimi mbetet pa fajtorë dhe çështja e pronave e pazgjidhur, ne ndihemi të rrezikuar seriozisht për jetën. Nga çfarë dihet deri më sot, pronat e trashëguara nga familja, të cilat janë njohur dhe nga një vendim i Gjykatës së Lartë, përbëjnë pistën kryesore te hetimeve.
Nisur nga kjo, frika jonë është edhe më e madhe tashmë që ndodhemi në pragun e një gjyqi i cili pritet të zhvillohet të hënën, më datë 3 tetor. Pa dashur të hamendësojmë asgjë, kërkojmë që ju të ushtroni të gjithë influencën tuaj që ky proces të zhvillohet sa më i qetë, i rregullt dhe në përputhje të plotë me ligjin. Familja jonë kërkon jo vetëm mbrojtjen e pjesëtarëve tanë, por edhe të trupit gjykues ndaj presioneve të mundshme.
Gjetja e fajtorëve të vrasjes së Skerdilajdit dhe finalizimi i proceseve të pronësisë konform ligjit, do të lehtësojnë dhimbjen e familjarëve dhe do të japin një shembull të shkëlqyer të mirëfunksionimit të shtetit ligjor në Shqipëri. Pavarësisht krimit të tmerrshëm që ndodhi, dhe kërcënimit që qëndron pezull mbi çështjen e pronave, familja Konomi është e vendosur të ndjekë çdo rrugë ligjore për të kërkuar të drejtën e saj, pavarësisht çdo akti kriminal që synon të pengojë drejtësinë.
Me besim në punën dhe angazhimin tuaj në zbatim të ligjit, ju falënderojmë për gjithçka që keni bërë për ne dhe për zgjidhjen sa më të shpejtë të kësaj situate.
Punë të mbarë,
Familja Konomi

Gjashtë muaj burgim sepse e rrahën policët…

Maratona Kuq e Zi{br}më 17 tetor në Romë