in

Ambasada e konsullatat me website të rinj. Por informacioni në to, ende i mangët

Ministria e Jashtme uniformon sitet e ambasadave dhe konsullatave shqiptare në botë. Tani për tani, mungojnë një sërë informacionesh të nevojshme për emigrantët.
Konsullata e Milanos pezullon numrin me pagesë të prenotimeve

Romë, 3 janar 2014 – Ambasadat e konsullatat e Shqipërisë në botë kanë më në fund faqe interneti të uniformuar: “www.ambasadat.gov.al/” plus “emrin në gjuhën angleze të vendit ku ndodhet”.

Në faqet e ambasadave arrihet drejtpërdrejt nga faqja zyrtare e ministrisë së Jashtme shqiptare, ndërsa në ato të konsullatave përmes faqes së ambasadës në atë vend.

Këto faqe janë në gjuhën shqipe dhe angleze dhe përmbajnë të njëjtat rubrika: “Rreth Shqipërisë” dhe “Investoni në Shqipëri”, me vlerë veçanërisht për të huajt,  dhe formulari “Kontakt” për të kontaktuar me përfaqësinë janë thuajse të njëjta në të gjitha faqet, duhet të ndryshojnë “Marrëdhëniet dypalëshe”, ku sipas vendit duhet të jepet edhe informacioni. Shkruajmë “duhet” pasi qoftë faqja e ambasadës së Romës, qoftë ajo e konsullatës së Milanos, qoftë tjetra e Konsullatës së Barit nuk kanë akoma asnjë informacion në këtë rubrikë.

Por ajo çka është më e rëndësishme për emigrantët, rubrika “Shërbime të Ambasadës” apo “Shërbime konsullore” janë akoma bosh. Asnjë informacion nuk gjendet në to, as ato që duhet të jenë të njëjta në mbarë botën: si duhet vepruar për leje kalimi, për vërtetime, prokura, martesa. Asnjë fjalë mbi aplikimin për pasaporta apo të dhëna mbi llogaritë bankare ku paguhen shërbimet. Ndoshta janë rubrika që do të mbushen shumë shpejt, edhe pse duhet të ishin të parat për nga rëndësia.

Në fund të faqeve internet të Ambasadave dhe konsullatave lexohen adresa, numrat e telefonit, adresa e-mail, orari zyrtar. Ky i fundit është i gabuar në faqen internet të ambasadës në Romë, orari i saktë është informacioni i vetëm që jepet në rubrikën “Shërbime të Ambasadës”.

Ajo që bie në sy nga faqet e Milanos është zhdukja e çdo referimi për numrin me pagesë të prenotimeve. Madje kur nga redaksia telefonuam në atë numër sot, mesazhi në gjuhën italiane ishte “Shërbimi është i pezulluar për momentin. Ju lutemi, mbyllni telefonatën”. Nuk funksionon më as moduli online i prenotimit të shërbimeve të konsullatës së Milanos. E nuk mund të themi me siguri nëse është apo jo akoma i detyrueshëm prenotimi i takimit, nuk përmendet më gjëkundi, as në sitin e ri e as në atë të vjetrin të konsullatës së Milanos, por telefonimi në numrat e vënë në dispozicion ishte i kotë: i pari (+ 39 02 86995396) nuk ekziston, të dytit (+39 02 86467423) nuk iu përgjigj njeri. Telefonuam edhe në ambasadën e Shqipërisë në Romë (siç parashikohet prej tyre, në harkun kohor 13.00 – 14.00, meqë është e premte) por edhe këtu nuk morëm asnjë përgjigje.

Të urojmë që sitet të sistemohen sa më shpejt e të përmbajnë të gjitha informacionet e nevojshme, jo vetëm ato për të huajt, por edhe ato për komunitetin e shqiptarëve në Itali. Dhe çka është akoma më e rëndësishme, urojmë që konsullatat të reformohen vërtet, siç premtohej në programin elektroal të PS-së, qoftë edhe thjesht për të komunikuar më lehtë me to apo për të mos pasur rritje çmimesh të shërbimeve konsullore, sepse i teket këtij apo atij konsulli.

Keti Biçoku

(Ndiqni ShqiptariiItalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

Janë shqiptarë sipërmarrësit e huaj më të shumtë në provincën e Riminit

Lecce. Sekuestrohet një gomone me 360 kg drogë