Artisti shqiptar prej vitesh në Rimini, fiton çmimin 3° në kategorinë Humor të World Press Cartoon Sintra 2012 të Lisbonës
Romë, 27 prill 2012 – Me karikaturën e tij “Fëmijët e Afrikës” të botuar në të përditshmen La Stampa, Agim Sulaj ka fituar çmimin e tretë në kategorinë e Humorit në konkursin ndërkombëtar World Press Cartoon 2012 të Lisbonës në Portugali.
“Fëmijët e Afrikës” që tregon një fëmijë që ‘gllabërohet’ nga një shishe plastike e stilizuar si krokodil, sintetizon problemin e mungesës së ujit të pijshëm në Afrikë.
Piktori dhe karikaturisti i njohur, Agim Sulaj, ka lindur në Tiranë por prej vitesh jeton në Rimini me familjen.
Ka nisur të botojë karikaturat e tij që në moshë të re dhe 19 vjeç fiton çmimin e tij të parë në një konkurs satire dhe humorizmi të organizuar nga “Hosteni”. Në vitin 1985 diplomohet në Akademinë e Arteve në Tiranë, dhe gjatë shkollës e më pas, punon te “Hosteni”, e vetmja revistë satirike kohës, për aq satirë që mund të bëhej asokohe. Trajton gjithnjë tema shoqërore, subjektet e para trajtojnë servilizmin, thashethemet etj. Nuk ka qenë e lehtë të bëje satirë në regjim. “Dukuritë që kritikoja – tregon – ishin ato të Shqipërisë, por në diçiturë vija ‘kapitalizmi’. Kur bëja kokën e njeriut si llambë të ndriçuar nga qiriu dhe jo nga energjia elektrike, e kisha fjalën për sistemin tonë të mbetur prapa, por deklaroja se ishte njeriu i mbetur pas, që nuk ndjek hapat e shpejtë të socializmit. Duhet të sajoja gjëra të tilla që punimet e mia të botoheshin…”.
Sot pikturat dhe karikaturat e tij frymëzohen gjithnjë nga tema shoqërore, tema aktuale, e në veçanti nga emigracioni. Valixhja, ajo e emigrantit, është shpesh në qendër të punimeve të Agimit.
Ka ekspozuar dhe është vlerësuar jo vetëm në të katër anët e Italisë, por edhe në Shqipëri, Greqi, Amerikë, Turqi, Belgjikë Francë, Azerbajxhan, Kinë, Iran, Hungari, Poloni, Bullgari, Luksemburg. Ka fituar një sërë çmimesh në Itali e nivel ndërkombëtar.
Lexo edhe: Agim Sulaj. Valixhja, shtëpia e emigrantit