Romë, 13 shtator 2010 – Dhjetë mijë të huaj do të mund të hyjnë këtë vit në Itali për të marrë një profesion, me kurse formimi profesional apo stazhe orientimi. Kufiri maksimal është përcaktuar nga qeveria në fillim të shtatorit dhe që tani është e mundur të paraqitet kërkesë në konsullatë.
Pesëmijë hyrje u janë rezervuar atyre që do të ndjekin kurse formimi të organizuara në Itali nga ente të autorizuara. Kurset mund të zgjasin, maksimumi, dy vjet, dhe të parashikojnë lëshimin e një dëshmie kualifikimi apo të një certifikate me kompetencat e përvetësuara. Pesë mijë hyrjet e tjera do të shërbejnë për stazhe formimi, që duhet të kryhen sipas një projekti të miratuar nga zyrat publike kompetente në Krahinat e ndryshme italiane.
Për të ardhur në Itali nevojitet të paraqitet në konsullatë, bashkë me kërkesën për vizë, dokumentacioni lidhur me kursin apo stazhin. Kush arrin në Itali duke përdorur këtë kanal ka të drejtë për një leje qëndrimi për studime që mund ta konvertojë në leje qëndrimi për punë vetëm nëse, pasi merr profesionin, gjen një ndërmarrje të gatshme që ta punësojë. Por edhe në këtë rast duhet të bëjë llogaritë me kuotat për konvertimet, zakonisht shumë të pakta, që çdo vit përcaktohen nga qeveria.
Shkarko dekretin dhe shpërndarjen e kuotave