in

Flukset. Është gati dekreti për 35 mijë punonjës sezonalë

Këtë vit do të hyjnë në Itali 35 mijë punonjës sezonalë. Dekreti i flukseve sezonale është gati, mungon vetëm firma e Mario Montit. Kërkesat e punësimit do të bëhen on-line pas botimit në Gazetën Zyrtare, nga ky vit gjithçka do të jetë më e shpejtë falë heshtjes-aprovim për “veteranët”

Romë, 8 mars 2012 – Këtë vit do të mund të vijnë në Itali 35 mijë punonjës sezonalë jokomunitarë, që do të punojnë në bujqësi e në sektorin turizmit e të hotelerisë.

Dekreti që autorizon hyrjet e reja është tashmë gati, por pret të nënshkruhet nga kryeministri Monti përpara se të çohet në Gazetën Zyrtare. Vetëm pas botimit, të parashikuar për javët e ardhshme, punëdhënësit do të mund të paraqesin kërkesat e punësimit, që ndoshta edhe këtë vit do të mund të përgatiten që më parë në sitin e ministrisë së Brendshme www.interno.it.

Edhe këtë vit do të bëhet gjithçka on line. Ndërmarrjet do të mund të nisin modulet e kërkesave vetë apo me ndihmën e shoqatave të kategorive, por si gjithnjë nuk do të ketë nevojë për të nxituar kush të arrijë i pari, pasi hyrjet duhet të jenë mëse të mjaftueshme për të plotësuar nevojat për krah pune, kështu që nuk rrezikohet mbarimi i kuotave.

Në kërkesën e punësimit do të jetë e mundur edhe të kërkohet që autorizimi për hyrjet të jetë shumëvjeçar. Në këtë mënyrë, ndërmarrjet mund të sjellin të njëjtët punonjës edhe për vitet e ardhshme me një procedurë shumë më të thjeshtë e më të shpejtë dhe pa pasur nevojë të presin që qeveria të autorizojë hyrje të reja.

Një përshpejtim i mëtejshëm për punësimet mbërrin edhe nga dekreti i thjeshtëzimit, në fuqi nga 10 shkurti që ka futur mekanizmin e heshtjes-miratim. Sipas këtij dekreti, nëse Sporteli Unik mbi Imigracionin nuk përgjigjet për 20 ditë nga data e paraqitjes së kërkesës nga ndërmarrja, kërkesa konsiderohet e pranuar dhe punonjësi mund të shkojë të tërheqë vizën e hyrjes. Risia ka të bëjë vetëm me “veteranët”, punonjësit që kanë qenë në Itali edhe vitin e shkuar, që nuk janë pak, pasi ndërmarrjet janë të prira të marrin në punë të njëjtët punonjës.

Elvio Pasca

8 marzo. Italiane e immigrate all’Altare della Patria

Presidenti Topi dekoron dhjetë gra gazetare dhe ushtarake