Nga ora 8.00 e të martës, 4 dhjetor, do të jetë e mundur të përgatiten on line kërkesat. Edhe me ndihmën e patronateve dhe shoqatave. Gara nis të premten, më 7 dhjetor, nga ora 9.00
Romë, 3 dhjetor 2012 – Nga ora 8.00 e të martës do të jetë e mundur të përgatiten online kërkesat për të fituar një nga 13.850 kuotat e parashikuara nga dekreti i fundit i flukseve. Janë kryesisht për konvertime lejesh qëndrimi, por edhe 2 mijë kuota për ardhje të reja për punë autonome dhe 100 për punonjës me origjinë italiane nga Amerika e Jugut.
Gjithçka bëhet në internet, përmes faqeve on line të ministrisë së Brendshme http://nullaostalavoro.interno.it. Fillimisht të interesuarit duhet të regjistrohen, pastaj të hyjnë në sistem me email-in e fjalëkalimin, dhe të përpilojnë formularin që zgjidhet sipas llojit të kërkesës:
Formulari VA për konvertime lejesh qëndrimi për studime, stazh dhe/ose formim profesional në leje qëndrimi për punë të varur;
Formulari VB për konvertime lejesh qëndrimi për punë sezonale në leje qëndrimi për punë të varur;
Formulari Z për konvertime lejesh qëndrimi për studime, stazh dhe/ose formim profesional në leje qëndrimi për punë të pavarur;
Formulari LS për konvertime lejesh qëndrimi BE për qëndrues afatgjatë të lëshuara nga vende të tjera europiane në leje qëndrimi për punë të varur;
Formulari LS1 për kërkesa autorizimesh për punë shtëpiake për të huaj titullarë lejesh qëndrimi BE për qëndrues afatgjatë të lëshuara nga vende të tjera europiane;
Formulari LS2 për konvertime lejesh qëndrimi BE për qëndrues afatgjatë të lëshuara nga vende të tjera europiane në leje qëndrimi për punë të pavarur;
Formulari A-DOM e B-SUB për punonjësit me origjinë italiane rezidentë në Argjentinë, Uruguaj, Venezuelë dhe Brazil;
Pas përpilimit, kërkesa duhet ruajtur (duke shtypur butonin ‘Salva’). Ajo duhet të niset vetëm nga ora 9.00 e datës 7 dhjetor, kur do të nisë gara për një kuotë.
Kush nuk është i zoti në kompjuter mund të kërkojë ndihmën falas të shoqatave e patronateve. Por duhet të mbajë parasysh që nëse këto kanë shumë kërkesa për të nisur, ekziston rreziku që të vihet në radhë e të ketë kështu më pak mundësi për të përfituar një kuotë, pasi ato do të lëshohen sipas renditjes kronologjike të mbërritjes së kërkesave.
EP