Ekzekutivi nuk nxjerr dokumentin trevjeçar mbi imigracionin që parashikohet nga Teksti Unik. Nënsekretari Viale: “Për shkak të krizës ekonomike, është më mirë të vendosen hyrjet vit pas viti”. Zaccaria (PD): “Anashkalojnë ligjin dhe Parlamentin”
Romë, 9 qershor 2011 – Për shkak të krizës ekonomike , qeveria nuk është e aftë të programojë “për kohë të gjatë” (vetëm tre vjet) politikat e saj mbi imigracionin dhe, për pasojë, as hyrjet për punë. Parapëlqen të ecë me dekrete fluksesh të shpallur vit pas viti me procedurën e urgjencës. Duke iu shmangur kshtu kontrollit të Parlamentit.
E ka thënë dje nënsekretarja e Brendshme Sonia Viale, që foli në Dhomën e Deputetëve për të shpjeguar pse “dokumenti programatik mbi Imigracionin” i parashikuar nga ligji, nuk duket prej disa vitesh tashmë.
Sipas tekstit Unik, qeveria duhet të paracaktojë çdo tre vjet, dhe t’ia nënshtrojë gjykimit të komisioneve parlamentare kompetente, një dokument programatik që mes të tjerash duhet të përmbajë edhe “kriteret e përgjithshme për përcaktimin e flukseve të hyrjeve”. Në bazë të këtij dokumenti çdo vit duhet të programohen me dekret flukset për vitin pasardhës.
Por dokumenti i fundit trevjeçar i miratuar në Itali është ai i viteve 2004-2006, ndaj që nga ajo kohë e deri më sot flukset e hyrjeve kanë ndjekur rrugëtimin e emergjencës të parashikuar nga i njëjti Tekst Unik. Në fakt, nëse mungon ky dokument, Kryeministri mund “të nxjerrë në mënyrë transitore me dekret të tijin, flukse për një numër kuotash maksimumi sa ai i një viti më parë”.
Në fund të janarit Roberto Zaccaria, deputet PD, paraqiti një rezolutë në komisionin e çështjeve kushtetuese për të detyruar qeverinë të nxirrte dokumentin programatik. Sipas Zaccaria-s, “ndjekja e vazhdueshme e procedurës së dekreteve transitore zvogëlon rolin kontrollues të parlamentit mbi qeverinë”. Për më tepër, kjo situatë “nuk lejon të kihet një kuadër i qartë dhe transparent mbi ecurinë e flukseve dhe rrezikon të komprometojë qoftë takimin mes kërkesës dhe ofertës së punës, qoftë respektimin e të drejtave të shtetasve jokomunitarë që duan të vijnë në Itali”.
Dje në Komisionin e çështjeve kushtetuese të Dhomës së Deputetëve, nënsekretari Viali shprehu mendim negativ mbi këtë rezolutë, duke mbështetur idenë se “programimi i flukseve të punonjësve të huaj duhet të modulohet sipas nevojave të ekonomisë dhe se ai (programimi) merr për të mirëqenë një kuadër makroekonomik të qëndrueshëm”. Por deri tani “paqëndrueshmëria në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, i ka sugjeruar Qeverisë të shmangë një programim afatgjatë dhe kufizohet në adoptimin e masave me karakter transitor”.
Dekretet e flukseve të kësaj qeverie, ka siguruar nënsekretari, janë përcaktuar sidoqoftë duke mbajtur parasysh një sërë treguesish. “Ecurinë e punësimit dhe përqindjen e papunësisë, nevojën për krah pune për sektorë specifikë ekonomikë, përmes konsultimit me krahinat, si edhe kuotat e rezervuara për vendet me të cilat Italia ka marrëveshje dypalëshe bashkëpunimi mbi çështjet e migrimit”.
Nga ana tjetër Viale i ka hapur rrugën një rezolute të paraqitur nga deputetja e PdL-s Isabella Bertolini, më pas të miratuar në Komision. Kjo rezolutë promovon punën e qeverisë dhe e angazhon të ecë në rrugën e ndjekur deri tani, pra që të mos bëjë programimin e parashikuar nga Teksti Unik.
“Sjellja e qeverisë është paradoksale. Sot ajo është shprehur kundër një rezolute që e detyronte të respektonte ligjin” komenton Zaccaria. “Mazhoranca ka hedhur poshtë rezolutën e opozitës dhe ka parapëlqyer të votojë atë të deputetes Bertolini që i lejon të veprojë si të dojë vetë. I bukur sistem, padyshim. E pastaj ankohemi pse nuk na kupton Europa, kur vetë preferojmë të anashkalojmë Parlamentin italian” përfundon Zaccaria.
Elvio Pasca