Guardia di Finanza e Riminit ka sekuestruar rreth 100 kg kokainë e heroinë që përpunoheshin e konfeksionoheshin në një shtëpi të veçuar në Cento di Roncofreddo të Forlisë. E hedhur në treg droga e sekuestruar do të sillte fitime për 30 milionë euro. Dy nga të arrestuarit, janë shqiptarë 24 dhe 26 vjeç
Romë, 5 tetor 2013 – Guardia di Finanza i ka gjetur me këmisha të bardha dhe maska në fytyrë ndërsa punonin për të përpunuar dhe konfeksionuar drogën, kryesisht heroinë, por nuk mungonte as kokaina.
Në një shtëpi të izoluar të komunës Cento di Roncofreddo në provincën e Forlisë, “të maskuar” si ndërmarrje bujqësore, të shtunën pasdite janë arrestuar në flagrancë tre burra, një 55 vjeçar italian dhe dy të rinj shqiptarë 24 dhe 26 vjeç, të dy prej vitesh rezidentë në Rimini.
Shtëpia ishte kthyer në një rafineri të mirëfilltë droge. Në të financierët kanë sekuestruar 24 kg heroinë të pastër dhe 67 kg heroinë “të prerë” të gatshme për shitje, 10 kg kokainë dhe 170 kg lënndë për përzierje. Në shtëpi janë gjetur gjithashtu edhe 5 centrifuga çeliku, 4 forma për të formuar bukë droge 1 kilëshe apo gjysmë kilëshe, 5 peshore elektronike, një presë industriale për ngjeshjen e pakove të drogës si edhe materialin e nevojshëm për konfeksionimin në vakum të drogës. Gjatë kontrollit të “rafinerisë” u gjet edhe një pistoletë dhe 100 kartuça me fishekë.
Sipas financierëve e hedhur në treg, sasia e drogës e sekuestruar – që e përzier dhe e konfeksionuar arrinte në 200 kg – do të shitej për rreth 30 milionë euro.