Kjo që mbyllet në fundjavë, e lehtë, çlodhëse, zbavitëse, ngjan me një tourist entertainment. Votuesit janë pushuesit. Ndërsa politikanët janë gaztorët, janë ata që bëjnë gallatë, që tregojnë barsoleta, që i ftojnë spektatorët-votues që të ndërveprojnë me ta.
Nëse bëjmë një krahasim me fushata të shkuara, nuk është për t’u ankuar. Fushatat e shkuara kanë qenë të egra, të dhunshme e të zbrazëta prej ideve. Kjo e tanishmja ka ruajtur veç zbrazëtinë. Për të tjerat, është thjesht një spektakël banal.
Nga Mustafa Nano
Atyre që kanë qenë nëpër plazhe të botës nuk mund t’u kenë shpëtuar sysh animatorët turistikë, të cilët paguhen për të argëtuar pushuesit. Janë ata që organizojnë e improvizojnë lojëra, kërkojnë ndërveprimin me spektatorin, hedhin batuta që janë “me t’futme”, e në përgjithësi bëjnë një lloj humori të lehtë 20-qindarkësh që, duke qenë se është fjala për një plazh, nuk të rëndet; përkundrazi. Këtë formë ka marrë edhe fushata elektorale në Shqipëri. Është një tourist entertainment. Votuesit janë pushuesit. Ndërsa politikanët janë gaztorët, janë ata që bëjnë gallatë, që tregojnë barsoleta, që i ftojnë spektatorët-votues që të ndërveprojnë me ta. Meta është rrekur ta prishë këtë atmosferë “pushimesh”, pasi ka folur për armë (do të kthehem më pas te ky argument), por nuk ia ka dalë dot. Kjo fushatë ka mbetur e lehtë, çlodhëse, zbavitëse. Gati-gati ka qenë një “nxemje” që shqiptarët po bëjnë para shtendosjes së pushimeve të verës. Nëse bëjmë një krahasim me fushata të shkuara, nuk është për t’u ankuar. Fushatat e shkuara kanë qenë të egra, të dhunshme e të zbrazëta prej ideve. Kjo e tanishmja ka ruajtur veç zbrazëtinë. Për të tjerat, është thjesht një spektakël banal.
Në gjithë këtë spektakël bie në sy Edi Rama. Ai po sillet shí sikur të kishte lindur për të qenë një animator turistik. Ndoshta e ka edhe ai vetë këtë ndjesi. Kur çohet në mëngjes e vesh tutat e atletet e fushatës, tok me bluzën e këmishën e bardhë (me që ra fjala, kështu vishen dhe animatorët turistikë), me siguri jeton me idenë se jashtë shtëpisë nuk e presin votues që duan përgjigje për shqetësimet e mëdha të tyret, por spektatorë që duan të vrasin kohën me qyfyre e gallatë. Të jep përshtypjen se gjatë ditës, sidomos gjatë kohës që e bartin me makinë nga një plazh (oh, kërkoj ndjesë: tubim) në tjetrin, mendon veç për batutat e radhës, të cilat i hedh ashtu shpenguar mes fjalëve kazan, tepsi, timon, tavë, byrek etj. etj. Dhe në fund, kur kthehet në shtëpi, si për t’i vënë një qershizë tortës së ditës elektorale, hap laptopin e futet në facebook. Ky është momenti që ai e shijon në mënyrë të veçantë. Bashkëbiseduesit i ka në largësi, anonimë, rëndom idiotë, sikur t’i kishte zgjedhur dikush me dorë në mënyrë që Rama vetë të shkëlqejë si kallaji mes bakëreve. Dhe fillon me ta një bashkëbisedim, në të cilin ai i lejon të tjerët të jenë të paedukatë me synimin që ai të ketë një motiv për t’i fyer, për t’i përbuzur, për t’i vënë në lojë. Bën vaki që ndonjë mik facebooku mund të tentojë t’i ngrejë ndonjë çështje me rëndësi, apo ta fusë në një si brainstorming session, por ai është i dhënë pas atyre që nuk dinë të shkruajnë, që nuk dinë të lidhin dy fjalë e që mezi presin të shijojnë animacionin turistik të radhës. Mes këtyre e ka të sigurt shkëlqimin, ashtu siç e ka të sigurt që nëpër portale, ku ai çon pasazhe nga këto biseda facebooku, do ketë lexues që do thonë: “Ça garipi që është! Ku i shkon mendja, mor aman?”. Dhe këtyre, më shumë se gjithçka u pëlqen veshja me tuta e me atlete. Se mos vetëm atyre. Edhe Edi Ramës vetë i pëlqen shumë që vishet me tuta e atlete. Të ngjan se i ngjan se ka bërë gjetjen e shekullit, dhe se është duke u çuditur se si në shtypin e huaj nuk po flasin për këtë personazh novator, që po u jep dermën të gjitha praktikave botërore në lëmin e etikës e etiketës politike e publike. As që i shkon në mendje se me poturet e tij, me të cilat shfaqet në mitingje, në studio televizive, në zyrën e kryeministrisë apo edhe në parlament, thjesht i ka shtuar banalitetin kësaj fushate, që banale do ishte, gjithsesi.
Dhe në këtë teatër banal japin një dorë edhe të tjerët. Merrni Lulzim Bashën, për shembull. Ky ka guximin që askush në politikë nuk do ta kishte për të krijuar një fabul nga hiçi. Ju kujtohet? Ai foli si pa dashje, në një tubim elektoral, për një takim të tijin me Trumpin që do të ndodhte në ditët e ardhshme. Pas kësaj, mori rrugën i biri botës për në Amerikë. Prej andej na dërgoi një fotografi, ku duket ky e Trumpi. Dihet se si është marrë kjo fotografi, ashtu siç dihet se e gjithë kjo histori nuk është asgjë më shumë sesa kjo fotografi. Mirëpo Lulzim Basha nuk është se mjaftohet të dërgojë në Tiranë fotografinë, dhe të vihet të presë që ndonjë votues-peshk, i tipit të atyre miqve të Edi Ramës në facebook, ta hajë këtë karrem. Jo, ai porosit rrethin e gazetarët e tij në Tiranë që takimin fluturak me Presidentin Trump ta shesin si një ngjarje të madhe. Këta këshilltarë e gazetarë shtyhen edhe më tej. Lajmërojnë militantët të dalin në Rinas e ta presin Bashën pas kësaj vizite që veç vizitë nuk mund të quhet. Dhe Basha as kuqet, as zverdhet prej bujës së inskenuar. Përkundrazi, fillon e flet para tyre për “takimin e madh” që ka pasur me Trumpin. Dhe nuk ndalet këtu. Shkon dhe te “Zona e Lirë” që të flasë për faktin që ai ka vendosur kontakte të rëndësishme me shpurën e Trumpit, që ai është kanakari i vetëm i Ëashingtonit në Tiranë, e që ai i ka shpjeguar kreut të Shtëpisë së Bardhë programin e vet ekonomik gjatë takimit 4-minutësh që ai ka pasur me të!!!! Më vjen t’i them: Lulzim Basha, në këto momente të jetës së vet politike, Donad J. Trumpi do të të kishte kushtuar 4 minuta veç nëse ti do të kishe qenë ndonjë fotomodele që ai, për qejf të vet e siç e ka patur zakon, do të mund ta ndukte nga p…. Ndryshe, katër minuta nuk mund të t’i jepte. Të kuptohemi, në thelb asgjë nuk ndryshon edhe sikur të kesh folur katër minuta, apo më shumë sesa kaq. Por unë jam i sigurt se ti ke qëndruar me Trumpin aq sa i është dashur fotografit zyrtar të veprimtarisë, ku ke marrë pjesë në këmbim të një pagese, për ta shkrepur aparatin, d.m.th. e shumta 10 sekonda. Sikur të më japësh prova se ke qëndruar qoftë edhe një sekondë më tepër me Trumpin, unë të jap fjalën se do bëj deri në zgjedhjet e ardhshme, pa pagesë, artikuj pro teje në gazetën RD.
Vijmë tani te rasti i Ilir Metës. Më saktë, te zotimi që ai mori: “Unë do të armatos popullin…”!!!! Tani, secili mund ta kuptojë gjendjen e Metës. Dy të mëdhenjtë janë bërë bashkë me synimin për ta zhdukur LSI-në nga faqja e dheut. Pas marrëveshjes, Rama e Basha jo vetëm po bëjnë një fushatë të koordinuar kundër Metës, duke e paraqitur LSI-në si të keqen e madhe të vendit (deri para marrëveshjes, qoftë njëri, qoftë tjetri, çfarë nuk do jepnin që Meta të shpallte aleancën me ta), por edhe kanë filluar aksionin e spastrimit të administratës prej LSI-stëve. Dhe keqardhja nuk është se po largohen ca lsi-stë. Jo, puna është se kanë filluar të krijojnë që tani vendet bosh në administratë për demokratët. Shtojmë këtu edhe rastin e aktivistit të Lezhës, që nuk dihet se kush, e se pse, e ka dhunuar, por dihet që nuk është as i PS-së, as i PD-së; është i LSI-së. Shtojmë edhe thirrjen e Ramës në Kuçovë për të mobilizuar policët si agjentë elektoralë të tijtë (Të lë pa fjalë kjo thirrje. Të ketë qenë i dehur, vallë? Dhe nga PD-ja nuk pati asnjë reagim!!!). Shtojmë edhe ndonjë gjë tjetër, po të doni. Por asgjë nga këto, madje edhe shumë më tepër sesa kaq, nuk i jep asnjë kuptim apelit për t’u armatosur. Britma e Metës, ashtu si dhe britma e Bashës gjatë kohës së çadrës se “nëse duan luftë, luftë do kenë”, janë – për ta thënë me mirësjellje – të çmendura.
Meta ka edhe një rrethanë rënduese në këtë mes. Ai është duke bërë fushatën e jetës së vet këtë herë, mirëpo ka zgjedhur momentin më të gabuar, pasi ndërkohë ai është zgjedhur President i Republikës. Sikur të mundte të shkëputej për fare nga LSI-ja, ai mund të bëhej një president i mirë. Por nëse nuk ka fuqi të shkëputet (e gjasat janë që të mos ketë fuqi: LSI-ja është gjithçka për të), ai do bënte mirë të tërhiqej nga detyra e Presidentit. Sa nuk është vonë. E kjo nuk do të thotë se në këtë rast do ishte i përligjur të bënte thirrje për armatosje. Jo, thirrje të kësaj natyre do ishin të çmendura, gjithsesi.
Botuar në Mapo