“Do të mbaja me krenari pasaportën shqiptare”
Kërkesa e Gianni De Biasit për t’u pajisur me pasaportë shqiptare nuk është më vetëm një thashethem, pasi italiani që drejton përfaqësuesen kuqezi të futbollit e ka konfirmuar personalisht këtë dëshirë të tijën dhe pret përgjigje nga institucionet shtetërore shqiptare.
“Unë kam shprehur një dëshirë timen, pastaj nëse presidenti i Republikës apo kryeministri do të ma plotësojnë, do të jem shumë i gëzuar dhe do ta mbaj me krenari përkatësinë time me popullin shqiptar”, është shprehur De Biasi në fushën stërvitore të Tiranës, në të cilën kishte shkuar për të ndjekur nga afër gjendjen e futbollistëve kandidatë nga kjo skuadër për përfaqësuesen shqiptare.
Është mëse e arsyeshme që autoritetet shqiptare të mbajnë parasysh kërkesën e tij, pasi ai po bën diçka konkrete për sportin shqiptar. E aq më tepër kur më 8 janar presidenti Nishani i ka njohur shtetësinë prezantuesit historik të “Striscia la Notizia”, Ezio Greggios, me propozim të ministrisë së Kulturës. Pa qenë fort e qartë se ç’interes ka Shqipëria nga prezantuesi e komiku italian.