in

Gjermania në ethet e futbollit

Që nga Botërori 2006 euforia kolektive kombëtare është pjesë e së përditshmes gjatë eventeve të mëdha të futbollit në Gjermani. Shprehje e ndjenjave nacionaliste, apo përjetim kolektiv i eventeve futbollistike?

Flamujt gjermanë valëviten nëpër oborret e shtëpive, me pasion këndohet himni gjerman, teksa me krenari dora qëndron mbi gjoks. Në këtë çast fytyra dhe trupi janë dekoruar me asesuarët në tringjyrëshin e flamurit: zi-kuq-verdhë. Para pak vitesh, të tilla imazhe as që mund të mendoheshin. Sepse nuk “shkonte”, të ishe krenar për Gjermaninë. Mjaft e rënduar është e kaluara e vendit. E megjithatë kjo ndryshoi befasisht me Kampionatin Botëror të Futbollit 2006, që u zhvillua në Gjermani. Papritur u kthye në “modë” të tregoje flamurin. Në ndeshjen e hapjes së kampionatit në 2006 kundër Kosta Rikës lojtarët gjermanë gjatë interpretimit të himnit i hodhën krahët njëri-tjetrit. Mijëra tifozë nëpër stadiume apo në sheshet e public viewing bënë të njëjtën gjë. Një risi kjo.

Më pas ky zbulim u përshkrua dhe u brohorit si një “patriotizëm i shpenguar”. Më në fund popullsia gjermane ka gjetur aksesin e arsyeshëm dhe të shëndetshëm tek krenaria kombëtare, thuhej. Qysh nga 2006 kjo dukuri përsëritet rregullisht çdo dy vjet, kur zhvillohen turne të mëdha të futbollit.

Zhvlerësimi i grupeve të tjera

Socialspikologia berlineze Dagmar Schediwy dëshironte ta analizonte thellësisht këtë zhvillim për librin e saj “Krejt i shpenguar në zi-kuq-verdhë?” dhe ka intervistuar gjatë tri turneve të fundit  tifozët gjermanë në rrugë. Konkluzioni: Shumica synojnë kryesisht të shprehin përkatësinë e tyre ndaj vendit të tyre. Por në aspektin socialpsikologjik kjo është e rrezikshme, shkruan Schediwy. Sepse krenaria ndaj grupit tënd presupozon me nënvleftësimin e grupeve të tjera.

Diethelm Blecking, studies i sportit
Kjo tezë mbështetet edhe nga një studim afatgjatë i “rrethanave gjermane” realizuar nga Instituti për Studimet e Konflikteve dhe të Dhunës në Universitetin e Bielefeldit. Ky studim provon, se të pyeturit gjatë Kampionatit Botëror 2006 kanë pasur më shumë predispozicion nacionalist në krahasim me të pyeturit para këtij kampionti. Diethelm Blecking, shkencëtar në fushën e sportit nga Frajburgu, i ndjek me intensitet këto zhvillime, por ai nuk do të orientohet shumë prej tyre. “Ekzistojnë vetëm këto dy studime lidhur me temën dhe ato nuk janë mjaft reprezentative”. Në studimin e Bielefeldit janë pyetur më pak se 1000 persona. Përveç kësaj në anketim thuhet, se dehja prej futbollit nuk e ka nxitur “dukshëm” ksenofobinë. “Formulimi tregon, se shkenca vetë është e pasigurtë, përsa ka të bëjë me këto procese”, thotë Blecking.

Shkencërisht nuk mund të provohet

Edhe Dagmar Schediwy ka pyetur më pak se njëqind vetë për hulumtimin e saj, vëren Blecking. Ai si rrjedhojë është skeptik: Vetëm disa qindra të anketuar nuk mund të përfaqësojnë mendimin e 80 milionë njerëzve. “Këto nuk janë gjë tjetër veçse sekuenca të vogla të një realiteti.”

Megjithatë Blecking e pranon tezën e Dagmar Schediwy, që në 2006 kishim të bënim me një “nacionale coming-out”.  Sidoqoftë ky proces nuk është vënë në lëvizje vetëm nga Kampionati Botëror 2006, por qysh pas ribashkimit të Gjermanisë në vitin 1990. “Qysh në vitin 1998 shkrimtari Martin Walser gjatë fjalimi të njohur të tij në kishën e Shën Palit në Frankfurt kërkoi, që njerëzit të çlirohen nga barra e historisë. Të gjithë të pranishmit asokohe pas fjalimit të tij u ngritën në këmbë dhe e duartrokitën atë.”

Më shumë event se sa kthesë shoqërore

Edhe Jürgen Mittag, profesor në Shkollën e lartë gjermane të Sportit në Këln, debatin mbi nacionalizmin e vëzhgon me mendje të kthjellët. “Ngjarjet në një masë gjithnjë e më të madhe inskenohen si evente e në to bëjnë pjesë edhe simbolet kombëtare.” Pas kësaj nuk fshihet nacionalizmi, por më shumë një “përjetim feste i atmosferës së jetuar në Gjermani”.

Pas ndeshjes në grup të Kampionatit Evropian të kombëtares gjermane kundër Danimarkës persona të panjohur u shprehën me nota raciste përmes Twitter lidhur me lojtarin Mesut Özil dhe u përpoqën të nxisin një fushatë shpifjesh. Ministri i Brendshëm Hans-Peter Friedrich reagoi menjëherë dhe i cilësoi këto sulme raciste në internet kundër lojtarit gjerman si të neveritshme: “Rasti Özil tregon vetëm majën e ajsbergut”.  A ka vallë një nacionalizëm të ri, i cili drejtohet kundër minoriteteve dhe përjashton të tjerët? Jürgen Mittag nga Shkolla e lartë e Sportit në Këln i konsideron simptoma të tilla më shumë si shfrytëzim rasti nga grupe të veçanta: “Ka grupe të veçanta, që shfrytëzojnë futbollin, sepse pikërisht futbolli ka një rëndësi të madhe shoqërore.”

Shkencëtari i sportit Blecking tek ky diskutim sheh e në radhë të parë futbollin si një përjetim të bashkësisë. Ai nuk e mbështet tezën për një zanafillë të re të nacionalizmit. “Shumë të rinj sot kanë një problem me gjetjen e kuptimit të jetës. Ata nuk e dinë, se çfarë i pret në njëzet vitet e ardhshme. Kryesisht të rinjtë e kërkojnë shoqërinë tek futbolli për ta plotësuar këtë boshllëk.” Të dy ekspertët e sportit janë të sigurtë, se të tilla evente janë ngjarje afatshkurtra, efekti i të cilave shuhet shumë shpejt.

Deutsche Welle

Italia – pikërisht Italia! – Kujtime të hidhura gjermane në prag të gjysmëfinales

Servilizmi politik e historik