Nga fillimi i vitit janë 16.178 aplikuesit nga Shqipëria për azil në Gjermani, shifër thuajse e barabartë me atë të azilkërkuesve shqiptarë gjatë gjithë 2014-tës në të gjithë Bashkimin Evropian
Romë, 10 qershor 2015 – Gjatë pesë muajve të parë të këtij viti, shifrat e aplikuesve shqiptarë për azil kanë parë vetëm rritje: 1.648 në janar, 1.794 në shkurt, 3.020 në mars, 4.794 në prill dhe 4.922 janë regjistruar në maj. Të dhënat janë të ministrisë së Brendshme gjermane që sapo ka botuar shifrat për muajin maj. Sipas ministrisë gjermane, shqiptarët renditen të dytët, menjëherë pas sirianëve që kanë vetëm 178 aplikime më shumë, por kanë paraqitur 2,5 herë më shumë kërkesa se serbët e kosovarët që renditen përkatësisht të tretët e të katërtit.
Vetëm gjatë këtyre muajve të 2015-tës, azilkërkuesit shqiptarë në këtë vend janë 16.178, sa dyfishi i atyre që kanë aplikuar gjatë gjithë vitit 2014. Shifra është thuajse e njëjtë me atë të azilkërkuesve shqiptarë gjatë gjithë 2014-tës në të gjithë Bashkimin Evropian (sipas Eurostat-it, numri i shqiptarëve që kanë kërkuar azil politik në vendet e BE-së në vitin 2014 ishte 16.805).
Shpesh diskutohet se rritja e numrit të azilkërkuesve në vende të ndryshme të BE-së vë në rrezik liberalizimin e vizave, vetëm një muaj më parë, në një takim të nivelit të lartë në Gjermani mes Federatës dhe Landeve gjermane, ku ishte e pranishme edhe vetë Angela Merkel, ministri i Brendshëm Thomas de Maiziere, ky i fundit theksoi se shqiptarët nuk kanë shans të fitojnë atje strehim politik, por me sa duket asgjë nuk poi step shqiptaët të provojnë kartën e aplikimit për azil për t’u larguar nga Shqipëria.