Gjykata e Tiranës ka shpallur më 17 tetor si të paligjshme grevën e urisë së ish të përndjekurve politikë, dhe pak orë më pas policia ka arrestuar koordinatorin e grevistëve Asllan Patriotin. “Sepse i ka marrë me anë të mashtrimit shumën prej 700 euro ndaj shtetasit italian M.N.” deklaron policia, e jo për shkak të grevës
Tiranë 18 tetor 2012 – Greva e ish të burgosurve politikë në Tiranë që kërkojnë marrjen e plotë të dëmshpërblimeve të përcaktuara për ta me ligj ka hyrë sot në ditën e 27-të. Por nga dje, kur gjykata e Tiranës vendosi që greva është e paligjshme, ajo mund të shpërndahet me forcë nga policia.
Sipas qeverisë, që nuk pranon të dialogojë me grevistët, kërkesat e ish të burgosurve janë të pabaza. Gjatë një seance dëgjimore në Komisionin e Ligjeve, Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi deklaroi “shpërndarjen e këstit të parë për të gjithë ish-të burgosurit politikë, sikurse edhe këstin e dytë për ata që janë mbi 65 vjeç”, ndërsa bëri të ditur se “ka nisur dëmshpërblimi për ata, të cilët janë nën këtë moshë”.
Pas kërkesës së depozituar më 16 tetor nga Drejtoria e Policisë së kryeqytetit, e cila kërkoi ndërprerjen e grevës së urisë së ish të burgosurve politikë, më 17 tetor, Gjykata ka marrë vendimin për paligjshmërinë e grevës, ka pranuar kërkesën e policisë dhe ka urdhëruar shpërndarjen e saj.
Kthehet Gjergj Ndreca
Ndërkaq në grevë është kthyer mbrëmë një nga dy personat që i vunë flakën vetes. Ka udhëtuar më shumë se 6 orë, nga Selaniku vetëm për t’i dhënë kurajë miqve të tij. Gjergj Ndreca, ish i burgosuri i parë politik që i vuri flakën vetes ka braktisur Spitalin e Selanikut dhe rreth orës 21.00, me një ambulancë, nën shoqërinë e gruas dhe vajzës së tij ka ardhur të mbështesë grevistët e urisë. Megjithëse policia nuk e ka lejuar që Ndreca të takohet me miqtë, është shprehur: “Mora vesh që do t’i nxirrnin dhunshëm dhe erdha këtu për të dhënë një mesazh që unë jam me ta. Nuk mund të rrija pa i parë, dhe unë do të bashkohem me ta deri në vetëflijim. Në Ambasadën Amerikane do të vdesim”.
Arrestohet koordinatori Asllan Patrioti
Vetëm pak orë pas marrjes së vendimit të gjykatës mbi paligjshmërinë e grevës, policia ka arrestuar mbrëmë njërin nga grevistët, koordinatorin e grevës, Asllan Patriotin, 59 vjeç, banues në Tiranë.
Sipas policisë, arrestimi i tij nuk ka të bëjë me grevën, akuzohet se i ka marrë me anë të mashtrimit shumën prej 700 euro shtetasit italian M.N. Duket se në qershor 2012, italiani M.N. denoncoi vjedhjen e automjetit të tij personal, që pas pak ditësh u gjet dhe iu kthye pronarit nga strukturat e policisë së komisariatit të policisë nr. 4 Tiranë. Ndërkohë që shtetasi italian prej kohësh, edhe pas gjetjes se automjetit të vjedhur, ishte nën presionin e Asllan Patriotit për t’u paguar, pasi ky i fundit pretendonte se kishte ndikuar për gjetjen e automjetit të vjedhur.