in

Gratë janë më të sigurta të lindin në Shqipëri se në ShBA

Sipas revistës së njohur mjekësore angleze “Lancet”, që dha së fundi një pasqyrë të vendeve me vdekshmërinë më të ulët të nënave gjatë lindjes, Shqipëria renditet në vendin e 22-të duke lënë pas një mori shtetesh të mëdha e të zhvilluara të botës si Anglia, Franca, Danimarka, Rusia, SHBA e shumë të tjera

Në një nga numrat e saj të fundit revista e mirënjohur mjekësore angleze “Lancet” bëri një pasqyrë të vdekshmërisë së nënave gjatë lindjes. Në përshkallëzimin përkatës, që rimerret pjesërisht nga e përditshmja “Corriere della Sera”, me një farë kënaqësie të dukshme jepet njoftimi se Italia është në vendin e parë në botë për vdekshmërinë e ulët të nënave në lindje. Në njëqindmijë lindje shifra e vdekjeve është 3,9, pra më pak se 4. Pasojnë Suedia me 4,6, Australia me 5,1, Irlanda me 6,7 etj. (shih tabelën)

lindje-shqipei.gif

Në këtë renditje gjeta një të papritur tepër të këndshme: Shqipëria renditet në vendin e 22-të me shifrën 8,1 duke lënë pas një mori shtetesh të mëdha e të zhvilluara të botës si Anglia, Franca, Danimarka, Rusia, SHBA e shumë të tjera.

Fakti i ka rënë në sy edhe të përditshmeve të huaja. Kështu në artikullin e gazetares Adriana Baci që titullohet ”Mëmat dhe lindjet e sigurta. Primati pozitiv i shëndetësisë italiane” ka një mbi-titull të tillë: “ Kërkimi. Të dhënat e Lancetit: Shqipëria është më mirë se sa Britania e Madhe”. Ndërsa në shkrimin e saj gazetarja italiane citon të përditshmen angleze “The Guardian” që përfiton nga rasti të thotë se është më mirë të lindësh në Shqipëri se në Britaninë e Madhe.

Në përshkallëzimet apo renditjet kontinentale e globale jemi mësuar që ta shohim Vendin tonë në pozicione të fundit apo afër fundit. Bën përjashtim treguesi i korrupsionit që na ve në vendet e para. Treguesi për të cilin po flas është i rëndësishëm në kontekstin global të vlerësimit të zhvillimit të përgjithshëm të një populli. Pozicioni i Vendit tonë në renditjen e mësipërme na gëzon për disa arsye.

Në Shqipëri shërbimi shëndetësor lë shumë për të dëshiruar. Spitalet janë në një gjendje të vajtueshme. Pajisjet mungojnë aq sa të sëmurët duhet t’i sjellin nga shtëpia e tyre edhe shtresat e fjetjes. Shërbimi i mjekëve e sidomos i infermierëve, pa e përgjithësuar dukurinë, në shumë raste kushtëzohet nga ryshfeti apo njohja shoqërore e familjare. Është treguesi më shqetësues në shërbimin tonë shëndetësor, tregues i një shoqërie në të cilën misioni i mjekut humbet kuptimin e tij fillestar nga ana morale e ku organizimi e drejtimi i shtetit bamirës, që siguron falas shërbimin e qytetarëve të tij e sheh të komprometuar, në mos të dështuar, misionin e tij politik. Po t’i shtojmë kësaj tabloje të zymtë fondet e pamjaftueshme që shteti ka mundësi të vërë në dispozicion të shëndetësisë për të pajisur qendrat shëndetësore me aparatura bashkëkohore, të domosdoshme për diagnostikimin e sëmundjeve, do të kuptojmë plotësisht gjendjen e vështirë në të cilën ndodhemi në atë drejtim.

Në këtë kuadër aspak premtues për një Vend që përballet me sfida më të mëdha se mundësitë e tij, ku politika me primitivizmin e saj i shton këto sfida deri në kufijtë e të pamundurës, statistika që bën të njohur “Lancet” përfaqëson një befasi, kësaj here në të mirë. Të vihesh në garë me botën është gjithmonë një ndërmarrje sa e vështirë aq edhe e bukur e frymëzuese. Të arrish të kesh rezultate në këto ballafaqime mbetet gjithmonë një aspiratë që përcillet nga brezi në brez, një objektiv që entuziazmon e të jep besim në vetvete.

Përqindja e ulët e vdekshmërisë së mëmave lehona është pa dyshim një sukses i mjekësisë sonë. Besoj se i ka rrënjët në një traditë të lashtë, në atë të kulturës së lindjeve në prani të mamive popullore, gra me një përvojë të gjatë profesionale, larg klinikave të njohura, por të pajisura me një aftësi që buronte nga përfundimet e përvojave jetësore të brezave. Në shtetin shqiptar të pavarur, sidomos gjatë periudhës së mbretërisë, u bënë përpjekje të mira për ta vënë në rrugë shkencore e zyrtare lindjen e fëmijëve nëpërmjet krijimit të shtëpive të lindjeve, apo materniteteve. Edhe në Shqipërinë komuniste kujdesi i shtetit për lindjen e fëmijëve nuk mungonte. Por besoj se krahas anës institucionale duhet të njohim dhe një farë përparësie të konstruktit fizik të femrave shqiptare që, tradicionalisht, ishin bija të natyrës, të rritura në gjirin e saj, të patrazuara nga tundimet e jetës, të ashtuquajtur moderne, si liria e tepruar seksuale, alkooli, droga etj. Sot këta përbërës po ndryshojnë me shpejtësi, por klasifikimi pozitiv na le të shpresojmë se ende mund të kemi rezerva e mundësi për të shkuar përpara.

Në këtë bisedë të shkurtër mbi një dukuri të lëvdueshme e të gëzueshme duhet të vë në dukje rolin vendimtar të punonjësve të shtëpive të lindjeve, aftësinë profesionale të tyre që, me gjithë mangësitë e kushteve spitalore, arrijnë të shmangin me sukses rreziqet për jetën e mëmave të reja. Nëse është krijuar kjo traditë pozitive merita kryesore u takon mjekëve gjinekologë shqiptarë që nga Sadedini e Gliozheni e deri te ata më të rinjtë, të diplomuar brenda e jashtë shtetit, që punojnë në të katër anët e Vendit të tyre, në kushte krejt të ndryshme nga kolegët e tyre të Vendeve të zhvilluara të botës, të cilët në renditje rezultojnë mbrapa Shqipërisë.

Le t’u shprehim mirënjohjen këtyre mjekëve që ndjekin për muaj me radhë shtatzënitë e grave, atyre mamive që presin foshnjat tona, por edhe drejtuesve të atyre institucioneve që japin ndihmesën e tyre në përmirësimin e imazhit të Shqipërisë në botë. U urojmë mbarësi e suksese në punën e tyre fisnike në mbrojtjen e jetës së mëmave që lindin fëmijë të shëndetshëm, të cilët përfaqësojnë Shqipërinë e nesërme, të ardhmen e saj që duhet ta projektojmë si një përpjekje të vazhdueshme për të qenë gjithmonë në garë me të tjerët e shpesh për të fituar.

Prill 2010

Eugjen Merlika

Ja artikulli i “Corriere della Sera” – Le mamme e i parti sicuri Il primato positivo della sanità italiana

Dy popuj, një det, një miqësi: Projekti SMILE

Qeveria: i pamundur legalizimi i të dënuarve për mos-respektim të dëbimit