Falë nismës së AssoAlbania nis mësimi i gjuhës shqipe edhe në Pistoia. Regjistrimet deri më 3 mars
Edhe fëmijët e emigrantëve shqiptarë që jetojnë në Pistoia do të kenë mundësi të mësojnë gjuhën shqipe. Shkolla do të hapë dyert më 3 mars, dhe nga e shtuna, 16 shkurt, kanë nisur regjistrimet. Pranohen fëmijë me moshë nga 7 deri në 12 vjeç.
Mësimi do të zhvillohet falas një herë në javë dhe stafi mësimor, të gjithë të diplomuar në mësimdhënie, do të ofrojë punën e tij vullnetarisht. Programi që do të ndiqet përmban gjuhë dhe lexim, gjeografi, kulturë/art dhe traditë/folklor dhe cikli i parë parashikon 40 orë mësimi.
Shkolla e Parë e gjuhës shqipe në Pistoia është arritur falë iniciativës së shoqatës së sipërmarrësve shqiptarë AssoAlbania dhe mbështetjes së Komunës së Pistoias. Është prezantuar me një takim të posaçëm të shtunën e shkuar.
Në takim ishin të pranishëm Nausika Spahia, Konsulle e përgjithshme e Shqipërisë në Milano që dhuroi disa libra për mësimin e shqipes, Elena Beccheri drejtoresha e drejtorisë së arsimit pranë Komunës së Pistoias, që bëri të mundur vënien në dispozicion falas të një klase ku do të mbahen leksionet, përfaqësues të shoqatës AssoAlbania, kryetari Nikolin Gjeloshi dhe administratorja Afërdita Shani.
Të ftuar për të dhënë përvojën e tyre disavjeçare në shkollat shqipe për fëmijët e emigrantëve ishin Durim Lika i shkollës shqipe Scanderbeg të Parmës, dhe Rezearta Elezi e shkollës së hapur në Cecina nga shoqata DEA.
“U regjistruan 25 vetë që ditën e prezantimit të iniciativës. – tregon për shqiptariiitalise.com Afërdita Shani – Ajo që më emocionoi më shumë ishte pjesëmarrja e gjerë e interesi i familjeve shqiptare si edhe dëshira e mirë dhe pasioni që lexohej në fytyrat e mësuesve Adem Aliu, Albana Ahmetaj, Dila Gega, Rudina Gjondrekaj, Brunilda Beltoja, Laureta Mehmedaj, Qerim Skënderaj që do të ofrojnë falas punën e tyre”.
Regjistrimet vazhdojnë deri më 3 mars, pranë selisë së AssoAlbania.