in

Heqja e vizave, shans për të treguar dinjitet

Nuk ka vend as për më të voglin dyshim se është kryer një kapërcim që vështirë se ndonjë shqiptar mund ta imagjinonte 20 vjet më parë. Mjafton të kujtojmë se deri në fund të vitit 1990 shqiptarët e kishin të ndaluar të shkelnin në rrugën Skënderbeu (Rruga e ambasadave). Pas disa javësh, kushdo që ka mjaftueshëm para në xhep, mund të udhëtojë lirshëm atje ku akoma sot nuk shkon dot nëse nuk mban radhën prapa ndonjë porte konsullate në rrugën Skënderbeu, për të fituar vizën e fortdëshiruar…

Shqiptarët, më në fund, po hipin në trenin e Evropës. Për këtë nuk ka më dyshim. Por  ama për keqardhje ka vend sa të duash. Se është treni i fundit që kalon këndej pari për të mbledhur pasagjerët e fundit, “të harruarit”. (fatkeqësisht shqiptarët e Kosovës do të duhet të presin ende në stacion)

Historia nuk mbaron këtu. Ministri i brendshëm gjerman nuk e ka mbajtur gjuhën kur ka thënë se e dha miratimin me një ngërç në stomak dhe vetëm sepse u sigurua se do të funksionojë vëzhgimi pas heqjes së vizave. Po ashtu edhe francezët e holandezët. Çfarë do të thotë? Nëse bashkëpatriotët dynden drejt zyrave të emigrimit apo “lënë nam” rrugëve të vendeve Shengen, atëherë karota mund t’ia lerë vendin shkopit.

Ja përse shqiptarët kanë në dorë një shans të mrekullueshëm për të treguar dinjitet dhe për të lënë në hije emrin e keq. Punë e vështirë por e përballueshme.

Aleksandër Furxhi, Editor i BBC Tiranë

Nëntor 2010

 

Lexo edhe: Liberalizimi i vizave është realitet

 

Komisioni Europian i mohon Shqipërisë statusin e vendit kandidat

“Fratelli d’Italia”, çmim i dytë për Agim Sulajn