in

Heronjtë shqiptarë, pa paqe dhe në varr

Dy “Heronjtë e Popullit” Qemal Stafa dhe Vasil Shanto, janë të vetmit që i kanë shpëtuar dy regjimeve të fundit dhe prehen në “Varrezat e Dëshmorëve”.
Tek të ndjerët heronj është shtuar edhe Azem Hajdari, por në një varr në ekstremin tjetër të Qemal Stafës, aty ku dikur ishte varri i Enverit. Në fakt, katrahura është gjetiu: varret e mijëra të përndjekurve janë lëvizur për të humbur ose gjenden në varre pa emër, Konica qëndroi katër vjet në dollap, ndërsa eshtrat e Gjergj Fishtës, Bab Dud Karbunarës, Koço Kotës, Mirash Ivanajt e shumë e shumë të tjerëve, ka të ngjarë të mos gjenden kurrë….
Nga Ben ANDONI

Ata që zbrisnin më 1945 nga qendra e kryeqytetit drejt Shallvareve, nuk mund të mos u bënte përshtypje ekzistenca e katër varreve të veçuara në fillim të fushës së madhe. Vendprehjet e Qemal Stafës, Vasil Shantos dhe dy heronjve të tjerë me emër si ata, dergjeshin aty pranë njëri-tjetrit. Të katër bashkë, fare të rinj dhe vrarë në kushte ekstreme të terrorit fashist, ndihmuan me imazhin e tyre luftën e madhe antifashiste. Por, nëse vdekja e tyre ndihmoi një kauzë, kjo nuk mund të thuhet se prishi dot mentalitetin e varrim-zhvarrimit të shqiptarëve. Që do të thotë se gati pakkush nga heronjtë dhe personalitetet shqiptare i ka shpëtuar rivarrimeve. Ndërkohë kishte dhe më keq. Kur Shqipëria vajtonte dhjetëra, mijëra dëshmorët dhe viktimat e saj- një takëm tjetër njerëzish po e pësonin. Eshtrat e ‘Poetit Kombëtar’ Gjergj Fishta përfundonin në lumë, kurse Koço Kota dhe Mirash Ivanaj, po varroseshin në vende që edhe sot s’kanë asnjë dëshmitar. Në SHBA, Konica do qëndronte për gati 4 vjet në një raft, në pritje që bashkatdhetarët ose të afërmit t’i gjenin një vend të fundmi. Dhe ende, historia s’mbaron këtu: është një armatë e tërë me të ekzekutuar nga diktatura komuniste, që për 50 vite kapën shifrën e frikshme të 4.500 të zhdukurve. Më ’90 gati u bë proverbiale historia e varrim-zhvarrimit të tyre, por që gjithsesi nuk mjaftoi, që të kuronte këtë plagë historiko-antropologjike. Një histori, e cila më shumë se një kronikë rituali mortor lidhet me dënimin epror kapital, të cilin japin me shumë dëshirë shqiptarët: të të zhdukin varrin. Jo më kot, një nga nëmat tona kombëtare mbetet “të humbtë varri”.

Dëshmorët

E ndërsa të përndjekurit vazhdojnë e kërkojnë dhe apelojnë prej vitesh me të drejtë për fatin e eshtrave të tyre, janë më qindra dëshmorë të dy krahëve të Luftës së Dytë Botërore, që nuk u dihet fati i banesës së fundit. Shumë syresh, partizanë, patën mallkimin se vdiqën në një vend të panjohur, ku jetojnë sllavët. Fjala, ashtu si mund të merret me mënd, është për ata qindra partizanë shqiptarë që dhanë jetën në Ish-Jugosllavi. Regjimi komunist përgatiti menjëherë një vend në kodrat e Shën Prokopit dhe zhvarrosi rekord shumë nga heronjtë, që ishin varrosur në Varrezat e atëhershme të Bamit. Ky ishte zhvarrimi i dytë i tyre, kurse i disave syresh i treti apo i katërti. Ndërkohë me një marrëveshje me shtetin komunist jugosllav më 1946 shteti shqiptar dërgoi një komision të posaçëm në republikat e ish-Jugosllavisë. U arritën të gjendeshin 380 trupave të partizanëve shqiptarë, të cilët u sollën menjëherë në Shqipëri dhe u varrosën me ceremoni në Varrezat e Dëshmorëve. Ky ishte dhe momenti që nëpër rrethe filloi të mendohet seriozisht për heronjtë e shpërndarë kudo. Edhe katër varret iu bashkuan këtyre. Me një fushatë të tërë propagandistike, Komitetet Ekzekutive dhe njësitë më të vogla vendore, identifikuan dhe krijuan kudo varreza heronjsh në pikat më të këndshme të qyteteve. Tre skulptorët më të njohur shqiptarë Kristaq Rama, Shaban Hadëri dhe Muntaz Dhrami morën detyrën të mbaronin një monument tre metrosh, që u quajt “Nëna Shqipëri” dhe që u vendos mbi një bazament gati 9 metrosh më 1971. Një vit më pas, në Kodrat e Saukut, erdhi radha që të varroseshin dhe njëherë tjetër. Për shumë syresh kjo do ishte hera e tretë. Kur më 1975, erdhën edhe eshtrat e 300 të tjerëve sërish nga ish-Jugosllavia, ishin gati parcelat e reja në Varrezat e reja…

Mania për të shpikur heronj

Duke qenë një vend me një jetë të vështirë institucionale në 150 vitet e fundit, do ishte e vështirë që të krijoheshin rregulla apo protokolle për varrosje dhe nderime. Ndaj, në fushën sakrale, kjo do të ndihesh më shumë me varrim-zhvarrim e shpeshta që iu bënë shumë personazheve. Zakonisht, njëherë të anatemuar ose pak vlerësuar dhe pastaj nderuar. Të kthehemi në argumentin tonë. Komunistët ishin të parët që e bënë inflamativ kuptimin e nocionit të dëshmorëve. Duke e përdorur si një argument për legjitimitetin e pushtetit, që ushtronin, filluan ta bënin shpesh lojën e varrim-zhvarrimeve. Hoqën një pjesë nga varret e tyre dhe afruan një palë të tjerë. Nako Spiru, një nga njerëzit kryesorë të tyre që bëri vetëvrasje, do e vuante hapur këtë histori, që ka marrë fund vetëm pak vite më parë (kundër kujtimit të tij), kohë kur edhe udhëheqësit më të lartë të luftës antifashiste u zhvendosën nga Varrezat e Dëshmorëve. Për 30 vjet pas lufte vazhdonin të bëheshin monumente, varreza, varrime e zhvarrime. Ishte kaq i dukshëm ky sens për të rrëfyer përmasat e jashtëzakonshme të kësaj lufte, saqë kaloi në grotesk…

Intermexo

Institucionalisht me kërkesën e 10 deputetëve, më 30 Korrik 1946 në orën 17.00 u zhvillua një mbledhje speciale e Kuvendit Popullor, ku diskutimet e “përfaqësuesve të popullit” nënvizuan faktin e pasjes së “kockave të më shumë se 40.000 dëshmorëve që dhanë jetën për lirinë e vendit”. Rezoluta, që u miratua në fund dhe që iu drejtua Presidiumit të Konferencës së Paqes në Paris, shkruante se në Shqipëri ishin vranë dhe plagosur 40.600 vetë. Rezoluta shtonte po ashtu se shqiptarët kishin vrarë 47.000 italianë e gjermanë dhe 50.000 të tjera kishin kapur robër, ndaj Shqipëria duhej të pranohej. Kurse më 21 gusht 1946, Enver Hoxha foli para seancës plenare të Konferencës së Paqes, ku deklaroi se shqiptarët kishin vrarë plot 53.639 italianë e gjermanë, ndërsa nazifashistët kishin rrënuar e rrafshuar 850 qytete e fshatra. Kishin internuar mbi 10.000 veta, kishin vrarë 28.000 dëshmorë dhe plagosur 12.600 të tjerë (Bashkimi, 22 shtator). Shifrat ishin katapultuar frikshëm për heronjtë shqiptarë. Ndërkohë, problemi s’ishte aq i vogël. Regjimi e kishte bërë gati ekuivalent nocionin dëshmor me të rënët e luftës dhe kuptohet vetëm me ata të krahut të vet, duke mohuar veprimtarinë e shumë nacionalistëve, një grup të madh martirësh të Rilindjes dhe ata të periudhave të mëparshme, që kishin kontribuar po kaq në lirinë e Shqipërisë. Dërrma vazhdoi më ’90, kur me konceptimin e fjalës dëshmor u përfshinë edhe një gamë më e madhe dhe madje edhe viktimat pa gjyq të bombës sovjetike që u rivarrosën, në Varrezat e sotme të Dëshmorëve, mu atje ku dikur ishin liderët e lartë të PKSH-së. 

Të tjerët

Sot ky sens është fashitur disi, por jo loja e politikanëve për ta përdorur. U hoqën shumë personazhe, ndërsa tani është si vend ku mund të varroset çdokush që ka merita për një veprimtari. “Varreza e Dëshmorëve të Kombit”, sot, është e bjerrë në atë gjendje saqë është çështje kohe, kur do të rrënohet krejt. Pllaka të hequra, të tjerat, mu poshtë monumentit të madh krejt të shkatërruara, kurse paretet ngado në rënie. Edhe pse mbahet kinse pastër, ajo do një fond, që ka pak gjasa të gjendet për ta përmirësuar këtë situatë. Në fund të Varrezave janë vendosur heronjtë e sotëm të policisë, në varre që ndryshojnë shumë nga formati i varreve të tjera. Emrat mbi varre kanë filluar t’u ikin germat, kurse rrëshqitjet e poshtme të dheut gati po e prishin këtë strukturë. Megjithatë, askush nuk apelon për këtë. Nëpër qytete gjendja është më katastrofike, kurse Varrezat e Dëshmorëve në Korçë kanë qenë dëmtuar aq sa në sipërfaqe thuhej se kishin dalë eshtrat. Në ditët tona, i fundit që është varrosur në varrezat e Tiranës është Azem Hajdari, por në anën e kundërt të varrit tjetër në rresht, që është ai i Qemal Stafës! Vasil Shanto është më tutje, në një rresht tjetër. Zhvarrimet e ‘kolegëve’ të rreshtit Gogo Nushit, Myslym Pezës, Nakos Spirut, Kahreman Yllit, Josif Pashkës e kanë lënë të vetëm dhe pa asnjë logjikë sakrale. Po çfarë logjike? Nako Spiru ka pasur fatin më tragjik sepse e kanë varrosur dhe zhvarrosur disa herë. Myslym Peza prehet i qetë atje ku ka bërë luftën në Pezë, pas zhvarrimit, kurse kryekomandanti Enver Hoxha “ka sikletin” më të madh teksa ia thyejnë varrin sistematikisht. Eshtrat e fatzinjve që u pushkatuan pa gjyq për ndodhinë e bombës  në ambasadën sovjetike, janë vendosur përkundrejt serish pa asnjë logjikë. Memorial brenda një memoriali! Për fat në parcelën e parë janë disa nga heronjtë më të njohur të luftës: Myslym Shyri, Nazmi Rushiti, Perlat Rexhepi, Vojo Kushi, Sadik Stavaleci, Tom Kola, Vasil Laçi, Persefoni Kokëdhima, Shyqyri Ishmi, Ylbere Bylykbashi, Zaho Koka, Zonja Çurre. Të gjithë janë varrosur e zhvarrosur mbi tre herë. 

Lexo shkrimin të plotë në Revistën JAVA: Heronjtë Shqiptarë – Pa paqe dhe në varr

Servizio Civile. Pubblicato il bando, esclusi i giovani “stranieri”

Krimi i klandestinitetit. Carlo Giovanardi (PdL): “Duhet shfuqizuar”