Hapja e Aeroportit në veri të vendit për fluturimet ndërkombëtare, i ka kushtuar Shqipërisë një zgjatje afati me dy vjet të kontratës koncesionare të TIA-s.
Tiranë, 1 prill 2016 – Ministri i Transportit, Edmond Haxhinasto, njoftoi arritjen e marrëveshjes me Tirana International Airport (TIA) dhe hapjen për fluturime të aeroportit të Kukësit.
Sot, në një konferencë për mediat me përfaqësues të kompanisë koncesionare të Rinasit, Tirana International Airport, ministri i Transporteve Haxhinasto njoftoi arritjen e marrëveshjes që zhbllokon fluturimet civile.
“Është një ditë me mjaft rëndësi për aviacionin civil shqiptar, sepse do të vendosim në funksion aeroportin e Kukësit”, deklaroi Haxhinasto, duke shtuar se kjo do të ndihmojë në ofrimin e tarifave dhe çmimeve më konkurruese në rajon, përveç hapjes së 200 vendeve të reja të punës. “Marrëveshje me TIA-n ka kohë që negociohet dhe është një premtim i mbajtur i kësaj qeveria që e bën Shqipërinë vend me akses të plotë aeroportual”, tha Haxhinasto.
Kreu i Transporteve vuri ne dukje se, që marrëveshja me TIA-n të hyjë në fuqi, duhet më parë të kalojë në Këshillin e Ministrave dhe më pas në seancë plenare në Kuvend dhe siguroi se kjo do të ndodhë sa më shpejt që të jetë e mundur.
“Aeroporti i Kukësit do të fillojë menjëherë pas kësaj. Kjo do të krijojë mundësi të menjëhershme për të hyrë edhe në marrëdhënie koncesionare me investitorë të tjerë”, deklaroi ai.
Ministri Haxhinasto deklaroi se në këmbim të hapjes së aeroportit të Kukësit, kompanisë koncesionare të Rinasit i është zgjatur kontrata. “Parimi i këtyre bisedimeve ka qenë që kompania të mos dëmtohej në planin e saj të biznesit, që do të thotë që çdo reduktim i numrit të pasagjerëve do të kompensohet me periudhën e zgjatjes koncesionare. Ne do të respektojmë koncesionarët në Shqipëri”, deklaroi ai.
I pyetur për çmimet e reja, ministri u përgjigj se tarifat ende nuk janë të vendosura. “Ne do të bëjmë një rivlerësim të tyre, që do të çojë në rritjen e konkurrencës” – tha ministri, duke shtuar edhe se ndryshimi i Marrëveshjes së Koncensionit nuk do të ketë kosto shtesë për qeverinë.
Ministri bëri të njohur se, si pjesë e marrëveshjes, hapja e aeroportit të Kukësit do t’i shtojë 2 vite kontratës koncesionare të TIA-s. Sipas marrëveshjes së përbashkët, kompanisë Tirana International Airport i është dhënë menjëherë një zgjatje e afatit të Koncensionit prej dy vitesh duke mundësuar kështu hapjen e Aeroportit të Kukësit për fluturimet ndërkombëtare. Kjo do të thotë se Afati i Koncensionit do të shtyhet deri më datë 2027.
Në ndryshimin e Marrëveshjes së Koncensionit thuhet gjithashtu që në rast të vënies në përdorim të ndonjë aeroporti tjetër në jug të vendit, si Vlorë ose Sarandë, afati i Koncensionit do të shtyhet me 0,5 vite të tjera për çdo vit operimi të këtyre aeroporteve jugore.
Holger Linkweiler, Kryetar i Këshillit Administrativ të TIA-s u shpreh se, “Kjo është një arritje domethënëse. Ne krenohemi me atë që kanë arritur partnerët në këtë proces të gjatë. Dëshirojmë të falenderojmë Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës si dhe Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes për bashkëpunimin e tyre. I urojmë suksese Qeverisë së Shqipërisë në hapat e mëtejshëm drejt zhvillimit të aeroporteve të tjerë në vend. Tirana International Airport është e përkushtuar të vazhdojë t’i sigurojë standardet më të larta të shërbimeve transportit ajror shqiptar”, shtoi ai.