Dokumentari “Shqipëria Vendi përballë” i gazetarit shqiptar Roland Sejko, është paraqitur mbrëmjen e 13 nëntorit 2008 në premirë kombëtare italiane në Casa del Cinema të Romës. Prodhuar nga Istituto Luce dhe nga Fox Channels Italia i pari dokumentar historik mbi Shqipërinë, pas premierës në Romë ka dalë tashmë në shitje në gjithë libraritë italiane ndërsa kanali tematik satelitor History Channel e ka transmetuar në muajt e mëpasshëm
Edhe pse i pari dokumentar për Sejkon, i krijuar si nga një shtatzëni e shëndetshme akumulimi e lëndës historike, është vërtet një film për padijen italiane ndaj vendit përballë, por ai shërben si një guidë filmike e historisë edhe për cilindo shqiptar të Shqipërisë
Nga Elsa Demo
Dokumentari “Shqipëria Vendi përballë” i gazetarit shqiptar Roland Sejko, është paraqitur mbrëmjen e 13 nëntorit në premirë kombëtare italiane në Casa del Cinema të Romës. E tashmë mund të blehet në të gjithë libraritë italiane. Dalja e dokumentarit është është një ngjarje e verëtetë për të parë historinë përmes arkivave filmikë, të marrëdhënieve që patën italianët me këtë vend shpesh të përçmuar, të cilësuar të prapambetur, vend i viteve njëmijë.
Skenari i shkruar nga një shqiptar, i mprehtë në penë, por i përmbajtur, objektiv dhe i besueshëm, kur duhet të rrëfejë historinë dhe marrëdhënien mes dy vendeve që nga pavarësia e Shqipërisë deri në rënien e statujës në Enver Hoxhës.
“Shqipëria – Vendi përballë”, edhe pse i pari dokumentar për Sejkon, i krijuar si nga një shtatzëni e shëndetshme akumulimi e lëndës historike, është vërtet një film për padijen italiane ndaj vendit përballë, por ai shërben si një guidë filmike e historisë edhe për cilindo shqiptar të Shqipërisë.
Estetikisht është një manual se si mund të bëhet një dokumentar duke rrokur kohë, marrëdhënie, individë dhe personazhe historikë, si Zogu, Enver Hoxha të cilët Sejko i ka ndërtuar me saktësi dhe i ka rilevuar si karaktere. Në do të dish se si u ngrit, si i varrosi të vetët dhe si ra pas vdekjes Enver Hoxha monument, tek ky dokumentar do të gjesh se si muzika e Shubertit bën atë që nuk e bëjnë dot fjalët e tepërta. Muzika është një nga elementët e çmuar të dokumentarit, ndërsa imazhet e propagandës enveriane nga arkivi shqiptar i filmit, të shfrytëzuar me konseguencë nga Sejko, nuk kanë atë funksion për të cilin janë realizuar dhe shfrytëzuar përgjatë gjysmë shekulli të regjimit komunist. Kjo do të thotë se leximi i dokumentit arkival, pavarësisht autenticitetit, mundet, megjithatë “të lexohet” ndryshe.“Shqipëria vendi përballë”, prodhim i Istituto Luce dhe Fox Channels Italia me kontribut të Regione Lazio-s, është një vepër që i vjen vonë publikut italian, por është e duhura.
Intervista
Shekulli: Shqipëria-vendi përballë. Duket një kënd vështrimi nga bregu italian i një shqiptari. Mund të ndodhë?
Roland Sejko: Titulli nuk paraqet një pikë vrojtimi por përmbledh se sa afër është ky vend ende i panjohur për italianët. Për mua ishte një privilegj të më besohej nga shtëpia më e vjetër kinematografike italiane, Istituto Luce, që të rrëfeja nëpërmjet arkivave kinematografike historinë e vendit tim për publikun italian. Histori që kalon pikërisht në arkivat e Luces ku ruhet kujtesa më e rëndësishme vizive e Italisë dhe njëkohësisht e Shqipërisë së gjysmës së parë të shekullit të kaluar. Çështja është se si kjo pasuri vizive, e lindur për qëllime krysisht propagandistike të periudhës fashiste, mund të përdoret sot për të rrëfyer historinë, për të rindërtuar ngjarjet, për të ilustruar personazhet protagonistë. Deri dje imazhet e arkivave për Shqipërinë ishin përdorur si copëza ilustruese të çasteve më të rëndësishëm të historisë së përbashkët shqiptaro-italiane: ndërtimet italiane në Shqipëri, oborri i Zogut, operacioni i pushtimit apo folklorizma të ndryshme. Dokumentari “Albania – il paese di fronte” mbledh copat e arkivave për të rrëfyer jo më një ngjarje të shkëputur, por një zinxhir ngjarjesh, që në tërësi krijon një histori të filmuar të Shqipërisë.
Prezantimi që në krye me Shqipërinë bën një lloj “sqarimi” të pozitave të religjioneve, si për të hequr paragjykimet aktuale mbi këtë vend.
Në Itali nuk ka paragjykime mbi fetë shqiptare. Ka padije. Që mund të them se është po në të njëjat nivele që ka qenë edhe në vitet ’20, kur kamerat e para të Luce-s filluan t’u sjellin italianëve veshjet, traditat, qytetet e shqiptarëve. Duke parë kronikat e kohës, edhe ato pa zë, vëren sa shpesh montazhi vë përbri minaretë dhe kishat. Arsyeja është ekzotike: ngjallin kureshti, habi që të mund të jenë krah njëra-tjetrës. Një ekzotizëm që dallohet edhe në shënimet e udhëtarëve të huaj të kohës. Asnjërit nuk i shpëton pranëvënia. Kishë-minareja është pak a shumë “bunkeri” që aq shumë e donin operatorët e huaj në Shqipërinë komuniste. Për t’iu kthyer pyetjes, paraqitja në një bllok të dokumentarit të shumë-feve të shqiptarëve nuk është qëllim në vetvete por pjesë e rrëfimit që më tej vijon me shndërrimin në vendin e parë ateist në botë.
Mbi ç’burime është shkruar teksti i dokumentarit?
Teksti është një përpunim i rrjedhës së ngjarjeve sipas trajtimeve që njihen gjerësisht nga historianët. Por çështja nuk shtrohet vetëm te problemi i vërtetësisë, por te renditja, mbushja, që do t’i paraqiten shikuesit në një film që zgjat ’90 minuta e që po të ishte një tekst historie do të ishte vërtet i mërzitshëm. Për pjesën e “certifikimit” historik, si në çdo dokumentar historik të Luce-s, caktohet krah autorit edhe një konsulent historik. Pata fatin të punoj me një ndër historianët më të mirë italianë, Roberto Morozzo della Rocca, që mbetet edhe sot njohësi më i mirë i asaj pjese të historisë së Shqipërisë që mbulon dokumentari. Zgjodha të shkruaj një tekst ku narratori duhet vetëm të tregonte ngjarjen, pa e komentuar. Komentin e kryejnë historianët italianë e shqiptarë të intervistuar, dëshmitarë të kohës si ish-presidenti italian Carlo Azeglio Ciampi që rrëfen përvojën e vet si ushtar në Shqipëri, apo personazhe të rëndësishëm me peshë mendimi e fjale si Ismail Kadare.
A nuk ju duket se epoka e “diktatorit” siç e cilësoni me plot gojën Enver Hoxhën, jepet së jashtmi, me formulat e demagogjisë dhe frymën e masave në fronte, por jo në pasojat që ajo la tek individi dhe vendi në tërësi?
Përveçse “diktator”, nuk besoj se ka fjalë tjetër që mund të përkufizojë Enver Hoxhën. “Enver Hoxha është diktator.” Kjo është një fjali e prerë, e thënë copë në dokumentar që mund të duket se hedh poshtë atë kërkesë neutraliteti në tekst për të cilën fola në përgjigjen e pyetjes së mësipërme. Por përmbledh edhe atë që bota ia njihte Enver Hoxhës para se të arrinim t’ia njihnim edhe ne. Në një dokumentar mbi historinë e Shqipërisë Hoxha është një protagonist mes ngjarjeve, ashtu siç është Zogu, siç është Galeazzo Ciano. Por nuk është i vetmi. Siç e vëren Kadare në një nga ndërhyrjet e tij në dokumentar “Enver Hoxha kishte një ushtri të tërë. Diktaturat nuk vendosen as nga 1, as nga 11, as nga 111 vetë. Dikaturat vendosen nga një pjesë e popullsisë. Për fatin e keq të popullit shqiptar, një pjesë e madhe e tij e përkrahu diktaturën. Dhe duhet të kemi guximin ta pranojmë këtë”. Mënyra e pasqyrimit të kësaj diktature me lëndën filmike që përpiqet të rindërtojë ngjarjet e Shqipërisë komuniste kalon posi edhe me formulat demagogjike të përdorura. Por kalon edhe nëpërmjet pasqyrimit të gjendjes së mjeruar ku Shqipëria gjendet në fillim të viteve ’80. Është jeta e shqiptarëve ajo që rrëfehet, jo vetëm regjimi.
Ju besoni se ia keni dalë të ndërtoni një histori “të besueshme” të Shqipërisë nga pavarësia tek rënia e regjimit?
Më zë ngushtë kjo pyetje. Jam përpjekur të bëj një punë të përgjegjshme. Ky nuk është manual historie, por një film dokumentar ku rrëfehet historia e Shqipërisë për italianët. Kush e ka parë, e ka gjetur të arrirë. Mes komenteve që kam patur, veçoj atë të dy miqve italianë “ky dokumentar mungonte e tani që është mund të shndërrohet në një mjet të rëndësishëm njohjeje të Shqipërisë në Itali.
Botuar në Shekulli me titullin “Dokumentari që ka munguar”