Ekspozita “Besa, një kod nderi. Shqiptarë myslimanë që shpëtuan hebrenjtë nga Shoah”, e realizuar nga muzeu Yad Vashem, përbëhet nga një sërë imazhesh të fotografit amerikan Norman Gershman, që për pesë vjet ka përshkuar gjerë e gjatë Shqipërinë duke rikuperuar dëshmitë e këtyre akteve të mrekullueshme dhe duke i dokumentuar ato përmes portreteve të shpëtimtarëve apo të pasardhësve të tyre
Pse im atë shpëtoi një të panjohur duke vënë në rrezik jetën dhe gjithë fshatin? Im atë ishte mysliman i devotshëm: besonte se të shpëtojë një jetë do të thoshte të shkoje në parajsë”.
I panjohuri që babai i Enver Pashkajt arriti të shpëtonte ishte një hebre me emrin Yehoshua Baruchowiç, një zotëri, sot në moshë të thyer, dentist në Meksikë.
Jemi në Pukë, vend i vogël majë maleve shqiptare, gjatë viteve të luftës së dytë botërore kur Ali Sheqer Pashkaj, pronar i të vetmit dyqan të zonës, ndien keqardhje për një të burgosur të ri që po çohet drejt vdekjes së sigurt nga një autokolonë gjermane. Me një zgjuarsi të rrallë e aftësi reaguese të menjëhershme u ofron për të pirë rojeve deri sa dehen dhe ndërkohë organizon arratisjen e Yehoshuas në pyll. Kur e zbulojnë nuk rrëfen (“katër herë i vunë revolen në ballë. U kthyen dhe kërcënuan se do t’i vinin zjarrin gjithë fshatit nëse im atë nuk rrëfente”). Dhe kur nazistët largohen shkon dhe gjen djalin në pyll dhe e mban të fshehur në shtëpi të vet deri në përfundim të luftës.
Pak vjet më parë Ali Sheqer Pashkaj është nderuar nga Yad Vashem, muzeu i Holokaustit në Jerusalem, me titullin “I drejti i kombeve”, titull që u jepet të gjithë atyre që gjatë viteve të persekutimeve raciale rrezikuan jetën për të shpëtuar hebrenj. Ky i tiji nuk është ama rast i izoluar por simbol i qëndresës të guximshme që bënë shqiptarët gjatë luftës, për të mbrojtur dhe shpëtuar rreth 2 mijë hebrenjtë në emër të Besës, kodit të lashtë të nderit të rrënjosur thellë në kulturën e traditën e tyre.
Kjo histori e jashtëzakonshme, deri më sot e panjohur nga opinioni publik perëndimor, është rindërtuar në ekspozitën “Besa, një kod nderi. Shqiptarë myslimanë që shpëtuan hebrenjtë nga Shoah”. Për të parën herë në versionin italian u soll në muzeun hebraik Carlo e Vera Wagner të Triestes në shtator 2009. Për domethënien e thellë historike dhe për vlerën e saj etike, ekspozita “Besa, një kod nderi” ka shëtitur më pas edhe në qytete të tjera të Italisë. Nga 24 nëntori 2015 do të jetë hapur për një muaj në mjediset e Asamblesë Legjislative të Emilia Romagna-s (rruga Aldo Moro 50, Bolonjë).
E realizuar nga muzeu Yad Vashem, ekspozita përbëhet nga një sërë imazhesh të fotografit amerikan Norman Gershman, që për pesë vjet ka përshkuar gjerë e gjatë Shqipërinë duke rikuperuar dëshmitë e këtyre akteve të mrekullueshme dhe duke i dokumentuar ato përmes portreteve të shpëtimtarëve apo të pasardhësve të tyre.
Portretet në bardhezi të këtij nxënësi të Ansel Adams-it, Roman Vishniac-ut dhe Arnold Newman, shoqërohen nga intervista të shkurtra që dëshmojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë lëvizjen kapilare popullore, të frymëzuar më shumë nga një frymë e fortë devotshmërie dhe solidariteti njerëzor sesa nga motive të tipit politik dhe kulturor.
Pikëpyetjet e intervistuesit (pse e keni bërë, ç’ju shtyu të rrezikonit jetën, si ia dolët nën hundën e okupatorëve) gjejnë përgjigje të drejta e të thjeshta që të mallëngjejnë. Ai që vepron në respekt të kodit të Besës, – shpjegojnë protagonistët, – është njeri që mban fjalën e dhënë, të cilit mund t’i besosh edhe jetën tënde dhe të familjes.
“Nuk ka të huaj në Shqipëri, ka vetëm miq – tregon Drita Veseli, një nga gratë e intervistuara. – kodi moral i shqiptarëve e kërkon të jemi mikpritës me mikun në shtëpinë apo në fshatin tonë”.
“Shtëpia jonë – vazhdon – është para së gjithash shtëpi e Zotit, pastaj e mikut e së fundi edhe shtëpi e familjes sonë. Kurani na mëson që të gjithë njerëzit, hebrenj, të krishterë, myslimanë jetojnë nën të njëjtin Zot”.
“Të ndihmojmë njëri tjetrin është detyrim moral – thotë Adile Kasapi. – Besimi ynë fetar ishte pjesë e edukimit tonë familjar. Ishte e paimagjinueshme të padisje hebrenjtë në nevojë”.
“Si myslimanë të devotshëm shtrimë mbrojtjen dhe humanitetin tonë edhe për hebrenjtë. Pse? Besa, miqësia dhe Kurani i shenjtë” sintetizon Beqir Qoqia.
“Besa – shpjegon fotografi Norman Gershman, – është më shumë se mikpritja. Është një ndjenjë që të lidh me atë që të hyn në shtëpi, në sferën tënde private, kundër çdo armiku e fatkeqësie. Familjet myslimane – tregon fotografi – më përsëritnin vazhdimisht që të shpëtosh një jetë njeriu do të thotë të shkosh në parajsë. Bijtë e një shpëtimtari më thanë që parimi që u kish mësuar i ati, sipas të cilit jetojnë, është “nëse dikush troket në portën tënde, duhet të marrësh mbi shpatulla përgjegjësinë””. Marrja e përgjegjësisë mbi shpatulla e shqiptarëve u përkthye në raste shpëtimi gjithë peripeci, si në atë të Ali Sheqer Pashkajt. Në bujarinë e familjes Kasapi, që për mëse dy vjet në Tiranë bashkëjetoi në dy dhoma me pesë familjarët e Moses Frances-it duke u përballur me kërcënime e rrahje. Në vetëmohimin e Eshref Shpuzës që i siguroi pasaporta të falsifikuara të gjithë familjes Abravanel e me pas i shoqëroi, tre të rritur e dy fëmijë, deri në kufi me Jugosllavinë, e për të cilët mësoi se arratia kish qenë e suksesshme vetëm vite pas luftës (sot familja Abravanel jeton në Izrael).
Në guximin absurd të Liza Pilkut që hëngër me fjalë me agjentët e Gestapos për të mos i lënë t’i bastisnin shtëpinë ku mbante fshehur tre hebrenj nga Hamburgu apo i Ismail Meçes që nuk hezitoi të ruante shtëpinë e tij në fshat me armë në dorë për të mbajtur larg spiunë e nazistë.
Janë gjeste që marrin akoma më shumë kuptim po të shohim jetët e shpëtuara. Gjatë dhjetëvjeçarëve të parë të shekullit XX Shqipëria, kryesisht myslimane, numëronte vetëm 200 hebrenj në një popullsi prej 803 mijë banorësh. Pas ardhjes në pushtet të Hitlerit në Shqipëri u fshehën nga 600 deri në 800 hebrenj nga Gjermania, Austria, Serbia, Jugosllavia dhe Greqia, me shpresën se nga andej mund të imbarkoheshin për në Izrael apo Amerikë.
Shqipëria i mirëpriti dhe pas pushtimit nazist në vitin 1943 refuzoi të dorëzonte listat e hebrenjve që jetonin asokohe në vend. Agjenci të ndryshme qeveritare u siguruan hebrenjve dokumente të rreme që u lejuan të përziheshin me pjesën tjetër të popullsisë. Kështu, ashtu si populli edhe klasa politike, së bashku, arritën të shpëtonin mijëra jetë fëmijësh, grash e burrash.
Kodi i lashtë i nderit, që sipas interpretimit të shqiptarëve lind nga besimi mysliman, u përzje me nderin kombëtar dhe frymën humanitare. Dhe për të mbajtur Besën, popullsia shqiptare myslimane vuri në rrezik edhe jetën e vet duke u ofruar strehim, veshmbathje, ushqim dhe miqësi të sinqertë që në shumicën dërrmuese të rasteve vazhdon edhe sot e kësaj dite e lidh edhe pasardhësit në një shkëmbim të shpeshtë vizitash dhe letrash..
Rezultati qe që të gjithë hebrenjtë ë ndodheshin brenda kufijve të Shqipërisë gjatë pushtimit gjerman u shpëtuan, me përjashtim të shumë pak familjeve. Shqipëria, i vetmi vend evropian me shumicë myslimane ia doli mbanë një vepre madhështore me të cilën shumë kombe europiane dështuan. Fjalët e këtyre shpëtimtarëve, të gjithë të nderuar me titullin “Të drejtët e kombeve”, janë këtu – që të pasionojnë se roman – për të na kujtuar që shkruajnë dallimin në histori jo vetëm banaliteti i të keqes por edhe përditshmëria e një guximi kaq të sigurt në arsyet e tij. Në të njëjtën kohë ky rrëfim koral arrin, me vërtetësinë e tij, për të vënë në diskutim e për të hedhur poshtë paragjykimin e sotëm të dyfishtë. Atë mbi myslimanët, që shpesh shihen nën dritën e vetme të vagëlluar dhe verbuese të fundamentalizmit dhe të antisemitizmit. Dhe atë mbi popullin shqiptar, që kaq shpesh gjatë viteve të fundit i është treguar me gisht opinionit publik si i rrezikshëm apo i prirë për të të bërë keq. Për të dyja rastet ia vlen të citohen vëllezërit Refik dhe Hamid Veseli sipas të cilëve: “kushdo të të trokasë në derë është bekim i Zotit: të gjithë personat vijnë nga Zoti”.
Daniela Gross, 2009
(Ndiqni ShqiptariiItalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)