Varese. Dënohet me 4 muaj burg Alfons Dashaj
Romë 31 janar 2012 – Dje paradite, i riu Alfons Dashaj është dënuar me katër muaj burg (dënim i pezulluar) sepse është njohur fajtor për vjedhje në rrethana të rënduara për një ngjarje të 9 nëntorit 2009 në një sallë bingoje në Varese. Ka marrë minimumin e dënimit sepse është konsideruar lojtar kompulsiv.
Atë ditë nëntori të 2009-tës, Dashaj sapo kishte marrë rrogën dhe me 700 euro në xhep po shkonte të paguante qiranë e shtëpisëpor rrugës nuk i ka rezistuar sallës së videopokerit. E duke lozur, monedhë pas monedhe ka lënë të makineta deri qindarkën e fundit të qirasë. I dëshpëruar në maksimum u ka kërkuar të tjerëve në sallë mos kishin një kaçavidë, dhe kur ia kanë dhënë, ka hapur videopokerin dhe ka mërrë në një qese një pjesë të mirë të monedhave që kishte brenda. Telekamerat e mbikëqyrjes kanë regjistruar gjithçka dhe i lejuan policisë të identifikonte menjëherë Dashajn. Të nesërmen ai ishte paraqitur në Kuesturë e kishte dorëzuar 754 euro në monedha, pak a shumë shuma që ai kishte lozur, duke deklaruar se ajo ishte shuma e marrë nga makineta e lojës. Sipas të zotëve të sallës së bingos, nga videopokeri ishin zhdukur rreth 3.200 euro por për avokatin e Dashajt duhet të kenë qenë personat e tjerë në sallë që mund të kenë përfituar nga ai mal me monedha që ka dalë nga makineta.
Për më tepër, avokati ka mbrojtur gjithnjë idenë se Alfons Dashaj është i sëmurë nga lojërat e fatit, se humbet krejtësisht kontrollin kur ndodhet në një sallë lojërash elektronike.
Gjykatësi ka pranuar pjesërisht kërkesat e avokatit duke e dënuar të riun shqiptar vetëm me katër muaj burg, gjysmën e periudhës së kërkuar nga prokuroria.