Fatmir Berisha, 22-vjeçar kosovar, i shtruar në gjendje të rëndë në repartin e rianimacionit në një spital të Sulmonës, kërkon të takojë prindërit në Prizren. Ata nuk kanë vizë që të vijnë pranë të birit, ndërsa ky i fundit nuk ka 17.000 eurot që nevojiten për transportimin e tij (bashkë me makineritë që mbajnë në jetë) në Kosovë
14 shtator 2010 – Fatmir Berisha, 22 vjeçar nga Prizreni gjendet i shtruar në një spital të Sulmonës. Me një sëmundje të rëndë që mund t’i marrë jetën. I riu ka shprehur dëshirën për të takuar prindërit që ka lënë në Kosovë. Por që transferimi i tij me avion, me të gjitha mjetet e nevojshme që e mbajnë në jetë, kushton 17.000 euro. Ndërsa prindërit, për të ardhur në Itali, që të rrinë pranë të birit kanë nevojë për vizë dhe për ta marrë u duhet kohë, që i biri ndoshta nuk e ka.
Fatmir Berisha ka ardhur në Pescasseroli (AQ) në 12 gusht të këtij viti me shpresën e një vendi pune, por nuk kaluan as dhjetë ditë kur nisi të ndihet keq aq sa u shtrua fillimisht në spitalin e Castel di Sangro dhe më pas në atë të Sulmonës. Me të marrë lajmin për sëmundjen së rëndë të djalit, familjarët kërkuan që ai të çohet në Prizren, por nuk arrijnë të mbledhin shumën e nevojshme për transportin e tij. Ndërkaq shpresat për të përqafuar djalin e tyre bëhen përditë e më të vakëta.