in

I tërhiqet karta e qëndrimit kujt ka humbur vendin e punës. Kurthi i Kuesturave

Në Milano e province të tjera rishqyrtohet situate e të ardhurave kur i huaji paraqitet për përditësimin e dokumentit.

Romë, 22 prill 2015 – Teknikisht quhet Leje qëndrimi BE për qëndruesit afatgjatë, por që të gjithë e quajnë Kartë qëndrimi.

Imigrantët mund ta marrin pas pesë vjetëve pranie të rregullt në territorin Italian, nëse dëshmojnë se kanë të ardhura dhe një banesë të mjaftueshme, pasi kanë derdhur 200 euro (natyrisht përveç 27,50 eurove për lëshimin e dokumentit elektronik, 30 eurove që marrin Postat italiane për shërbimin dhe pullë-taksës prej 16 eurosh) e kanë marrë provimin e italishtes. Është një pikarritje e rëndësishme, sepse është një dokument qëndrimi “i përhershëm”. Ose të paktën kështu duhet të jetë.

Por Kuestura të ndryshme, duke filluar nga ajo e Milanos, kanë nisur t’u tërheqin kartën e qëndrimit atyre që nuk janë në gjendje të dëshmojnë që vitet e fundit kanë fituar të ardhura të caktuara nga burime të ligjshme. Rrezik ky që mund të hasin shumë imigrantë që me krizën ekonomike që po kalon Itali kanë humbur vendin e punës.

Heqja e kartës së qëndrimit bëhet kur të huajt kërkojnë një duplikatë apo përditësimin e kartës së qëndrimit, për shembull kur u lind një fëmijë apo kur duan të ndërrojnë fotografitë, gjë që bëhet çdo pesë vjet për ta pasur atë të vlefshme edhe si document identiteti.

Nëse kuestura zbulon që mbajtësi i kartës nuk ka pasur punë të rregullt e nuk janë derdhur të gjitha kontributet, e hedh poshtë kërkesën e përditësimit. Praktikisht i huaji merret në shqyrtim nga e para e i kërkohet të përmbushë të gjitha kriteret e parashikuara për lëshimin e parë të kartës së qëndrimit.

Në të vërtetë, Teksti unik për imigracionin parashikon tërheqjen e kartës së qëndrimit vetëm në disa raste të caktuara, si për shembull, kur i huaji bëhet i rrezikshëm për rendin public apo për sigurinë e shtetit, ose kur largohet nga BE për më shumë se 12 muaj rresht. Por asgjëkundi nuk flitet për verifikime të reja mbi të ardhurat.

“Ajo që bën Kuestura e Milanos është një praktikë e paligjshme që duhet të marrë fund” thotë për Stranieriinitalia.it Maurizio Bove, president i Anolf Milano, që ka ngritur zërin mbi këtë çështje. Po Kuestura si i justifikon tërheqjet e kartave të qëndrimit? “Duke thënë se një person që nuk mund të tregojë se ka të ardhura, me derdhjen e kontributeve dhe taksave, ka punuar në të zezë dhe është evazor fiskal. Për këtë arsye duhet ndëshkuar duke i hequr të drejtën e kartës së qëndrimit”.

“Me një fjalë prezupozohet që i huaji është fajtor – thotë Bove – kur është fakt që me situatën aktuale ekonomike janë të shumtë ata që kanë humbur vendin e punës . për më tepër, nëse me të vërtetë duhet ndëshkuar evazioni fiskal, pse të fillohet nga të fundit? Sidoqoftë po bëhet diçka që nuk parashikohet nga ligji. Për këtë, pas shumë rastesh të tërheqjes së kartës së qëndrimit, kemi paraqitur padi në TAR e ndërkaq po presim një ndërhyrje nga Brukseli”.

Bove dhe presidenti kombëtar i ANOLF-it, Mohammed Saady, kanë sinjalizuar atë që po ndodh në Drejtorinë e Përgjithshme të Çështjeve të Brendshme të Komisionit Evropian, duke i kërkuar tësqarojë këtë pikë. Me një letër shumë të detajuar pohojnë që këto tërheqje të kartave të qëndrimit kanë në kundërshtim me normativat evropiane, përveçse diskriminuese.

“Hipoteza që papunësia është një zgjedhje e qëllimshme e atyre që fitojnë statusin e qëndruesve afatgjatë – shkruajnë Saady dhe Bove – mund të konsiderohet thelbësisht raciste. Veç kësaj, nëse evazioni fiskal e të tjera forma të mospagimit të taksave mund të jenë praktikë që ndodh shpesh në Itali, do të ishte vërtet e turpshme të mbrosh tezën se kjo është praktikë i takon vetëm popullsisë migrante”.

Stranieriinitalia.it

Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

Mëse 1.750 migrantë kanë vdekur në Mesdhe nga fillimi i vitit

Crozza: “Se i migranti fossero soldi, l’Europa li salverebbe tutti”